Republika Islamike e Iranit është e mësuar me dhunën politike. Ajo ka lindur nga një revolucion dhe më pas ka përjetuar një rrugëtim plot sfida. Asgjësimi i atyre që nuk ishin të rreshtuar me mullahët pas rrëzimit të Shahut. Marrjet e pengjeve. Përplasjet e brendshme me zhdukjen e figurave përfaqësuese. Terrorizmi i frymëzuar dhe ai i pësuar. Agresioni irakian në vitin 1980. Shtysat separatiste të kurdëve, beluçëve dhe arabëve. Përballjet e para me SHBA-në. Vrasjet e të mërguarve. Mbështetja e milicive në Lindjen e Mesme. Sanksionet dhe embargoja mbytëse. Lufta fillimisht e fshehtë e më pas e hapur me Izraelin. Dhe mbi të gjitha, kryengritjet e përsëritura të shoqëruara me një presion ndërkombëtar gjithnjë e në rritje.
Këto sprova kanë treguar qëndrueshmërinë e regjimit dhe vendosmërinë në reagim. Një rezultat i arritur deri më sot me dorë të rëndë për të shtypur protestat, por edhe me lëvizje për të kalibruar përgjigjen.
Teherani ka modeluar një sistem gjigant, të përbërë nga aparate “në konkurrencë” dhe të mbivendosura. Komponentë që jo rrallë kanë pasur përplasje, të shpërthyera herë pas here në larje hesapesh, rrjedhje informacioni dhe intriga. Mbi të gjithë qëndron Udhëheqësi Suprem, Ali Khamenei, një lider i sëmurë dhe në fazë rënieje. Nën të ndodhet Këshilli për Sigurinë Kombëtare, i drejtuar nga Ali Larijani, i cili të shtunën ka përsëritur se protestuesit do të trajtohen pa asnjë mëshirë. Për këtë, njerëz nuk i mungojnë.
Mburoja kryesore, që prej gjithmonë, përfaqësohet nga Gardat e Revolucionit, një “ushtri” paralele me marinë, divizion raketor dhe departamente spiunazhi. Të armatosura mirë, me prani të gjerë dhe burime të konsiderueshme, ato kanë ndërtuar një qendër të tyren pushteti falë lidhjeve me sektorin ekonomik. Janë krahu i gjatë i ajatollahëve, por disa vëzhgues nuk e kanë përjashtuar se një ditë mund të zëvendësojnë vetë klerin, si një zgjidhje teknike në vend të asaj teokratike.
Pasdaranët veprojnë si brenda ashtu edhe jashtë kufijve, mbështeten te aleatët dhe nuk mendojnë se kanë kufij. Megjithatë, fama e tyre është zbehur gjatë verës, kur izraelitët arritën të eliminojnë një numër të konsiderueshëm oficerësh të lartë, përfshirë gjeneralët më të rëndësishëm, të befasuar në shtëpitë e tyre, në strehime dhe bunkerë.
Elementi i dytë, veçanërisht për të përballuar protestat popullore, përfaqësohet nga Basij-ët. Ata janë një milici e përbërë nga dhjetëra mijëra burra, në teori ndër më të bindurit ndaj mesazhit khomeinist. Bashkojnë vendosmërinë me besnikërinë dhe, kur sheshi shpërthen, janë ndër të parët që dislokohen. Pamjet i kanë treguar shpesh në njësi mbi motoçikleta, të angazhuara në ndjekjen e demonstruesve. Një masë manovruese në krah të pasdaranëve.
Më të tërhequra mbeten forcat e rregullta të armatosura, Artesh-i, gjithmonë të mbajtura në plan të dytë krahasuar me Gardat. Megjithatë, në orët e fundit ato kanë shpërndarë një komunikatë që lë të kuptohet një përfshirje e drejtpërdrejtë e afërt. “Ne monitorojmë armikun – kanë theksuar – dhe jemi gati të mbrojmë të mirën publike kundër çdo komploti.” Një ndërhyrje e tyre në rrugë mund të jetë sinjal i vështirësive të mëtejshme për të frenuar protestën në një territor kaq të madh, por edhe nevoja për të zgjeruar rrjetin e mbrojtjes, ndërsa Donald Trump rikthehet të kërcënojë me sulme dhe Pentagoni nxjerr në qarkullim plane të supozuara bombardimesh.
Rrethi mbyllet nga shërbimet sekrete. Të shumta, siç ndodh në shumë vende. Ato vëzhgojnë kundërshtarët e largët, shtypin ata të brendshëm dhe mbikëqyrin njëra-tjetrën. Këtu bëjnë pjesë Ministria e Inteligjencës, agjentët e pasdaranëve, J2 i Mbrojtjes, departamenti kibernetik, një rrjet agjencish të lidhura me policinë dhe një sërë entitetesh më të vogla, gjithmonë të angazhuara në grumbullimin e të dhënave, parandalimin e infiltrimeve (edhe në sektorin strategjik bërthamor) dhe në mbështetjen e fushatave të arrestimeve.
Zhvillimet dramatike të muajve të fundit kanë dhënë gjithsesi një verdikt: ata që duhej të garantonin mbrojtjen kanë dështuar të zmbrapsin të paktën një pjesë të goditjeve të sjella nga boshti SHBA-Izrael dhe përdorin metoda brutale për të ndalur ata që kërkojnë një jetë më të mirë./ Corriere della Sera
Komente








Tani jetojme ne shekullin 21 dhe jo ne shekullin 7 populli duan duan jete dhe liri feja eshte personale kur sejcili mer nji drejtim por jo i vendosur me force feja nuk esht ligj shteteror sa ma shum gjera me force aq ma shum e humbas besimin nda popullit dhe tani te ndodhe kjo a dota vrasin ajutollahet tere popullin qe te mbeten ne pushtet nuk mendoj por kur doti burgos populli keta parzite.
Përgjigju