Mbi këtë subjekt, janë botuar disa dëshmi e dokumente gjatë viteve pas rënies së regjimit komunist. Por sot, Shqiptarja.com sjell një dëshmi e rrallë për vjedhjen e 10 mijë naloponave ar të Lef Nosit nga drejtuesit më të lartë të Sigurimit të Shtetit.
Dëshmia mban firmën e një ish-punonjësi të Sigurimit të Shtetit, i cili shkruan në një letër drejtuar Komitetit Qendror se 10 mijë napolonat ia kishte dhënë atij në dorë Lef Nosi në momentin e arrestimit dhe ato florinj, përmes shefit të Seksionit, ku ai punonte ia kishin dhënë Koçi Xoxes.
Tre vjet pas kësaj ngjarjeje ai ngre dyshimin se ato florinj ishin përvetësuar ndoshta nga Koçi Xoxe dhe kërkon që të bëhen hetime dhe ai të dalë madje edhe në gjyq të dëshmojë për atë fakt. Po ashtu ai rrëfen edhe për shkelje të tjera të drejtuesve të Sigurimit në vitet e para të pas Luftës, ku thekson torturat deri në vdekje, që përdoreshin nga Sigurimi.
Dokumenti ruhet në AQSH në një dosje, ku gjenden edhe shumë dëshmi të tjera për shkeljet dhe metodat e dhunshme të funksionimit të Sigurimit të shtetit në vitet e para të pasluftës. Më poshtë e sjellim të plotë letrën e këtij ish punonjësi të Sigurimit, ku gjendet kjo dëshmi e rrallë.
Komitetit Qendror të Partis Punës Shqiptare
Tiranë
Në vitin 1944 hyra në Sigurim si Oficer informativ i qytetit dhe i Qarkut. Në atë kohë është bërë një punë e madhe dhe në vitin 1945 mu njoftu grada toger.
Vazhdova punën me shumë suksese fitova një simpathi të madhe, regullova informacjonin, u dorëzuan shumë kriminela disa nga ata i lishim për të punu që të na informonin për të tjerët.
Mu dorëzuan 11 dezertusa nga Guri i Zi nga Belshi të tjerë dhe shumë të tjerë do të ishin dorëzu kur u dorëzua një kriminel nga Dumbreja. Nuk pranonte ti dorëzohej asnjeriu vetëm mua, por shefi i Seksjonit u mur vesh me Koçi Xoxin dhe menjiher Koçi bani lirimin tim. Për kapjen e Lef Nosit isha unë në lidhje me Lefin dhe më dha 10 000 napolona, të cilat ja
dorëzova shokut Jani Naskës shef i Seksjonit, i cili ia shpuri Koçit, nuk dimë se ku shkuan këto para mbasi më nxuarë në lirim, Koçi i kishte thënë që futeni në Central ku ka qenë, në rast se ka punë, kështu që hyra në Central si Elektromontjer por me shumë zor, pastaj puna teme më bani që të benem kryetar dege i Centralit dhe mbasi Ministrija kërkonte një njeri Komiteti i Partisë së qytetit me caktoj mua dhe ma vonë u bana Drejtor i ndërmarrjes Nish Elektrikut ku jam hakoma, në 46 me erdhe disa informatorë nga Dumbreja më thanë vishu dhe hajde se ty të dorëzohen të arratisurit.
Kërkova nga Seksjoni të shkonja dhe Koçi nuk më la po dha urdhër që informatorët të çarmatosen dhe shtëpitë e tyre të kontrollohen imtësisht. Kur u pushova un me 1 prill Seksjoni me urdhrin e Koçi Xoxit filloj torturat nëpër fshatrat dhe prej drurit vdiq një nga Belshi dhe tre katër të tjerë u arratisën, ku janë hakoma në arrati. Kështu që puna në gjithë qarkun u pezullua gati fare vetëm u dorëzuan ata që i kisha unë në lidhje.
Prandaj unë lutem atij Komiteti që të kërkohet llogari edhe për këto që unë thashë dhe jam gati të dal dhe para Gjyqit ti faktoj.
Antari i P. Punës Shqipëris
Sotir Spiro
Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com