Si ka nis ishalla s’kris, mund të kenë kujtuar dje shumë nga ju këtë lutjen e stërgjyshërve tanë që jo një herë gjatë historisë janë gjendur të dëshpëruar. Para aktit të kryer kur s’mbetet tjetër, por të shpresosh në mrekulli.

Dëshira e shprehur e kryeministrit Thaçi, një ditë më parë, për t’i takuar kryetarët e sapozgjedhur të komunave me shumicë serbe, mori një përgjigje të pazakontë. Një si ultimatum. Për t’u takuar duhet të bëjë kërkesë me shkrim e pastaj, pasi të analizohet do të merret vendimi nëse duhet të pritet apo jo kryeministri i vendit. Tamam si të ishin bërë “dërzhavë”. Dhe nga kush?! Jo nga Veriu, por njëri nga kryetarët e sapozgjedhur të këtyre komunave të reja serbe të dizajnuara në hartën e “leopardit” të Kosovës.

Pas një procesi bisedimesh e marrëveshjesh jotransparente dhe një mjegullnaje të krijuar për atë çka po ndodh e çka janë marrë vesh në bisedimet, shqetësimet dhe dyshimet për të nesërmen bëhen edhe më të rënda. Sidomos me deklarimet haptas të kryeministrit Daçiq, që nuk duket të jenë vetëm për një përdorim dhe vetëm për konsum të brendshëm, kur sapo kishte dalë nga takimi me homologun e vet kosovar në Bruksel thoshte shprehimisht, se me pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale dhe në dialog, Serbia dhe serbët i kanë arritur të gjitha qëllimet dhe se as integrimi i policëve të MUP-it në Policinë e Kosovës assesi nuk do të thotë se e pranojnë “të ashtuquajturin” shtet të Kosovës.

Apo nëse është e vërtetë se Pantiq, kryetari sapozgjedhur i Mitrovicës përtej Ibrit, që ishte pjesë e delegacionit serb në bisedime, paska marrë fjalën dhe duke iu drejtuar raportueses së Parlamentit Evropian për Kosovën, si Isa ynë që dikur Lordit t’Londrës i paskësh thënë qartë dy fjalë: “Se në veri kurrë nuk do ta shihni flamurin e Kosovës dhe kurrë nuk do ta pranojmë pavarësinë e Kosovës”, erërat nuk duket se po fryjnë në drejtimin e duhur të velores kosovare. Përveç nëse ende s’jemi ndarë nga mendësia e atij që, pasi nuk di për ku është nisur, të gjitha rrugët e çojnë në drejtimin e duhur.

Megjithatë, e vlen të pritet. Sepse një janari nuk është larg dhe gjërat do të shihen. Së paku sa u përket 300 policëve të MUP-it që pritet së shpejti të ndërrojnë uniformat.

Megjithëse thuhej se edhe ata do të duhej të kalonin nëpër një procedurë rekrutimi në Polici, kjo tashmë duket se u harrua dhe as që e përmend kush. Pas bisedimeve “të suksesshme” duket se janë tejkaluar dhe shkelur të gjitha procedurat e parapara. Flitej për një trajnim të përshpejtuar në Vushtrri, për verifikim që do t’u bënte AKI, për betim e pallavra tjera, por nga krejt këto shihet se s’ka gjë.

Ata do të futen si mish i egër, me parimin “copy paste” sipas listës së policëve që Daçiqi e dorëzon në Bruksel, me grada të gatshme të MUP-it. Madje në Prishtinë qenkan dizajnuar kontratat e veçanta për obligimet e përgjegjësitë e këtyre policëve, që bazohen jo në parimet dhe rregullat e Policisë së Kosovës, por në Planin e Integrimit. Pas krejt kësaj, kush ka iluzion se policët e huaj do të jenë lojalë ndaj teje, mund të besojë se punët po na shkojnë mirë.

Testi i parë vjen menjëherë dhe është fare i thjeshtë.

Nëse të nesërmen e inaugurimit të policëve të MUP-it, në hyrje të stacioneve policore mbi Ibër nuk gdhijnë shenjat e shtetit, tabela dygjuhëshe me mbishkrimin “Republika e Kosovës” dhe nëse ai grumbulli i zallit mbi urë mbetet aty, nuk ka gjë nga kjo punë.

Nëse këto dy gjëra ndodhin, ka gjasa që nga Policia e Kosovës të bëhet diçka në të ardhmen. Kryesorja të mundësojnë zbatimin e ligjit dhe të procedurave disiplinore. Që prej procesit politik çështja të qitet në rrafshin institucional, ashtu që me shkelje të obligimeve policore e padëgjueshmëri të mos merret më politika.

Sa mund të arrihet kjo me një polici gati të atrofuar, do të shihet shpejt. Sepse frika më shumë vjen nga këta tanët në Prishtinë se sa nga ata në veri. Edhe ashtu, më shumë se në Veri, tash e sa vite problemi ka qenë te ne, në Prishtinë.
Kështu si ka nisur, vërtet mbetet vetëm të lutemi: Ishalla s’kris kështu si ka nis. Ose: Bëre Zot ëndërr, siç paska thënë ajo shtaza e mirë, me veshë të mëdhenj, padrejtësisht e anatemuar, kur ishte gjendur në një situatë si kjo jona.

Marrë nga "Zëri"