Si Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni mund të kapërcejë hendekun midis Trump dhe Evropës! Analiza e CNN

Si Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni mund të kapërcejë hendekun midis Trump dhe Evropës! Analiza e CNN

Donald Trump e Giorgia Meloni

Pak vite më parë, do të ishte e paimagjinueshme që Italia të kishte një nga qeveritë më të qëndrueshme në Europë. Administratat italiane të koalicionit zakonisht zgjatnin pak më shumë se një vit përpara se të shpërbëheshin, duke e bërë Italinë të paparashikueshme në mënyrë të qëndrueshme.

Por një sërë faktorësh, përfshirë krizat qeveritare në vende relativisht të qëndrueshme si Franca dhe Gjermania, si dhe popullaritetin e madh të koalicionit aktual të Italisë, të udhëhequr nga kryeministrja e krahut të djathtë Giorgia Meloni, në pushtet që nga viti 2022, e kanë bërë Romën një lojtar kyç në marrëdhëniet mes Europës dhe SHBA-ve nën presidencën e dytë të Donald Trump-it.

Gjatë mandatit të tij të fundit, Trump e quajti Europën një “armike” të SHBA-ve. Këtë herë, Meloni ka potencialin ta ndryshojë këtë falë, pjesërisht, mikut të tyre të përbashkët Elon Musk.

Musk, Trump dhe Meloni darkuan së bashku në një mbrëmje me 60 të ftuar të organizuar nga Presidenti francez Emmanuel Macron pas rihapjes zyrtare të Katedrales Notre Dame në Paris fundjavën e kaluar, një eksperiencë që Trump e përshkroi më vonë për The Neë York Post si pozitive.

“U morëm vesh shumë mirë,” tha ai, duke shtuar se ai dhe Meloni kaluan “shumë kohë së bashku.”

Të dy liderët, ndonëse politikisht të ngjashëm, nuk përputhen domosdoshmërisht në të gjitha konfliktet më të rëndësishme globale. Meloni ka qenë një nga mbështetëset më të forta të Ukrainës, duke u takuar me presidentin Volodymyr Zelensky dhjetra herë që nga pushtimi rus.

Megjithatë, nëse ajo mund të ndikojë në ndonjë mënyrë në veprimet e Trump-it, është e vështirë të thuhet, por ajo do të ketë shansin e parë për ta provuar në Europë.

“Përpara se të ketë një qeveri të re në Gjermani dhe me situatën aktuale në Francë, kur Trump të vijë në Shtëpinë e Bardhë, Italia do të ketë një lloj monopoli, si i vetmi vend me një qeveri të qëndrueshme,” tha Giovanni Orsina, drejtori i departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Luiss në Romë për CNN.

“Meloni dhe Musk kanë një marrëdhënie shumë të mirë në vazhdim, dhe Musk mund të jetë një ‘mik i ngushtë’ për të dy, për sa kohë që ‘muaji i mjaltit’ mes Trump-it dhe Musk-it zgjat,” shtoi ai.

Musk dhe Meloni krijuan një miqësi shumë të fortë gjatë verës së vitit 2023, dhe themeluesi i Tesla-s mori pjesë si kryefolës në konventën politike të Melonit, Atreju, në dhjetor të vitit të kaluar.

Thuhet se ai do të bëjë një paraqitje surprizë këtë fundjavë në të njëjtën konventë në Romë, ku kryefolës është Presidenti argjentinas Javier Milei, një tjetër nga aleatët populistë të Trump-it.

Marrëdhënia e tyre është aq e afërt saqë Meloni dhe Musk u detyruan të përgënjeshtrojnë në rrjetet sociale thashethemet për një romancë, pasi ai e përgëzoi për bukurinë e saj kur i dha çmimin Global Citizens në fillim të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Neë York.

Një foto e tyre duke shkëmbyer një shikim të gjatë bëri xhiron e rrjetit, ndaj Musk postoi në Tëitter se ai ishte aty me nënën e tij dhe se nuk ka “asnjë marrëdhënie romantike me kryeministren Meloni.”

Orsina beson se Musk mund t’ia lehtësojë kryeministres italiane “kontaktin” me Trump sa herë që ajo ta shohë të nevojshme.

“Ka një mundësi që Meloni të marrë iniciativën dhe të jetë një urë lidhëse mes administratës Trump dhe Europës,” tha ai.

Meloni pretendon se e ka nisur tashmë këtë proces lidhjeje në Paris, duke postuar një foto të saj me Trump-in në X (ish-Tëitter) me titullin: “Aleanca tashmë ekziston. Aksi SHBA-BE kalon përmes Italisë.”

Kjo nuk është hera e parë që Meloni është në favor të elitës MAGA (Shenim: Lëvizja e presidentit Trump “Ta bëjmë Amerikën përsëri madhështore”).

Steve Bannon ishte mbështetësi i saj amerikan përpara Elon Musk, duke marrë pjesë në konventën e saj Atreju në vitin 2018 dhe duke i thënë CNN-it në atë kohë se ai besonte se ajo do të ishte një nga politikanet më të rëndësishme në Europë.

Pasi ajo u zgjodh në vitin 2022 dhe u bë më e moderuar, Bannon, i cili nuk ka më fuqinë që kishte si strateg kryesor i Trump-it, u ftoh me të, duke i thënë javën e kaluar gazetës italiane Corriere Della Sera se ajo ka qenë një zhgënjim.

“Meloni pothuajse është kthyer në një Nikki Haley,” tha ai për gazetën italiane, duke iu referuar rivales së Trump-it në primaret republikane. Duke përmendur mbështetjen e saj për Ukrainën dhe atë që ai e përshkruan si mungesë të punës së Italisë mbi tregtinë, ai parashikon se nuk do të jetë Meloni ajo që do të ndikojë te Trump, por anasjelltas.

“Unë mendoj se qëndrimi i saj do të ndryshojë me ardhjen e Presidentit Trump, i cili do ta bindë atë,” tha Bannon. “Dhe vendet e NATO-s do të rreshtohen shumë shpejt. Përndryshe, nëse ajo me të vërtetë beson në ato që ka thënë në vitet e fundit, ajo duhet të jetë e gatshme me të tjerët në Europë të japë para për këtë, të nënshkruajë çeqe po aq të mëdha sa fjalimet e saj. Ne në lëvizjen MAGA jemi të vendosur: duam ta shkurtojmë 100% financimin për Ukrainën në Kongres.”

Për momentin, Meloni duket se është në anën e mirë të Elon Musk dhe si rezultat, edhe të Trump.

“Ajo është një politikane e ‘ditës pas,’ shumë më tepër sesa e ‘ditës përpara,’ thotë Orsina, duke iu referuar gjasave që Meloni të jetë më tepër reaguese sesa proaktive ndaj qasjes së Trump-it ndaj Europës.

 

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    14 Dhjetor, 13:13

    Berisha boton foton e gruas së Dumanit duke i rrezikuar jetën! Si e gjykoni?



×

Lajmi i fundit

Scholz humbet votëbesimin, Gjermania shkon në zgjedhje të parakohshme

Scholz humbet votëbesimin, Gjermania shkon në zgjedhje të parakohshme