'Si më arrestuan njerëzit e infiltruar të Kadri Hazbiut në kufirin e Hanit të Hotit'/ Dëshmia e rrallë e ish-agjentit të CIA-s: Dy vite më mbajtën në arkivol

'Si më arrestuan njerëzit e infiltruar të Kadri Hazbiut në kufirin e Hanit të Hotit'/ Dëshmia e rrallë e ish-agjentit të CIA-s: Dy vite më mbajtën në arkivol

Pjesa e gjashtë

Publikohet historia e panjohur dhe e rrallë e Avdul Hakan Banushit me origjinë nga fshati Golem i Gjirokastrës, i cili gjatë periudhës së pushtimit të vendit (1939-1944), ndryshe nga e gjithë familja e tij që u rreshtuan në radhët e forcave partizane, ai u angazhua në organizatën nacionaliste të rinisë së “Ballit Kombëtar” në qytetin e Durrësit, ku u arrestua nga forcat gjermane në tetorin e vitit 1943 dhe së bashku me 73 persona të tjerë, u dërguan fillimisht në kampin gjerman të Prishtinës, e më pas në kampet e shfarosjes në masë në Landsberger e Dakau, nga ku ai mundi të lirohej vetëm në vitin 1945, pas ndërhyrjes së forcave anglo-amerikane. Kthimi i Banushit në Shqipëri në vitin 1945, pasi qëndroi disa kohë në kampin e Rexhio-Emilias në Itali, (ku asokohe ishin edhe disa nga krerët kryesorë të ‘Ballit’ dhe ‘Legalitetit’ me në krye Mit’hat Frashërin dhe Abaz Kupin) dhe arrestimi i tij pak ditë pas mbërritjes në atdhe, pasi në aerodromin e Laprakës, rojet partizane i gjetën një letër që i’a kishte dhënë ish-Prefekti i Gjirokastrës, Rasim Babameto, gjatë kohës që ishin në Rexhio-Emila. Dënimi i Banushit me 18 vjet burg, duke u akuzuar si “agjent i anglo-amerikanëve” dhe lirimi i tij në vitin 1961, ku ai nuk qëndroi shumë kohë pranë familjes në fshatin Golem, pasi u arrestua përsëri teksa ishte i internuar në qytetin e Fierit, nga ku ai mundi që të arratisej nga burgu që natën e parë dhe iku në drejtim të Gjirokastrës, ku kaloi kufirin shtetëror dhe doli në Greqi, ku pas pak kohësh fitoi azilin politik për në SHBA-ve. Angazhimi i Banushit në radhët e mërgatës politike shqiptare në Perëndim, si anëtar i “Komitetit Shqipëria e Lirë”, ku në vitin 1973, pasi ishte stërvitur nga CIA, erdhi disa herë me misione sekrete në Shqipëri, me qëllim që t’i bënin atentat Enver Hoxhës në paradën e madhe të 29 nëntorit 1974, me rastin e 30 vjetorit të çlirimit dhe arrestimi i tij në vitin 1975 në afërsi të kufirit të Hanit të Hotit, pas një gracke që i kishte ngritur vetë ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, nga ku më pas ai do të izolohej për dy vjet me radhë në qelitë e ‘Repartit 313’ në Burgun e Tiranës dhe më pas në Burrel, nga ku mundi të lirohej vetëm në fillimin e vitit 1991.

“Kur nisën kontraditat e para të Tiranës zyrtare me Republikën Popullore të Kinës në vitin 1972-’73, na u shtua akoma dhe më shumë besimi se kishte ardhur koha të organizoheshim me masa konkrete për një zbarkim të mundshëm në Shqipëri. Pas bisedimeve që kishin bërë më parë krerët e Komitetit “Shqipëria e Lirë” me zotin Zhozef Shishko, zv/sekretar i Departamentit të Shtetit dhe majorin Tomas Smith, që mbulonte emigracionin politik shqiptar në SHBA-ve, në janarin e vitit 1974, kryesia e Organizatës “Fronti i Rezistencës Antikomuniste Shqiptare”, vendosi të dërgonte në Shqipëri grupin e parë, i cili do të përbëhej prej pesë vetash. Ndër detyrat kryesore që do të kryente ai grup, ishin: ‘Takimet me njerëzit e pa kënaqur nga regjimi komunist, minimi i monumentit të Stalinit dhe Leninit në qendër të Tiranës, hedhja në erë e selisë së Komitetit Qendror të PPSH-së, shpërndarja e materialeve propagandistike me frymë antikomuniste, që ishin përgatitur më parë që në Neë York etj. U vendos që grupin e parë do ta kryesoja unë, me që kisha njohje me kontigjentin e familjeve të përndjekura nga regjimi komunist, ku do të mbështeteshim ne fillimisht. Në këtë grup përveç meje bënin pjesë dhe: I. Rrushiti, N. Banushi, I. Lame dhe A. Sula. Mbas disa përgatitjesh intensive që bëmë në një bazë sekrete, më në fund u nisëm me avionin që do të përshkonte intenerarin: Neë York – Londër, – Amsterdam – Romë – Athinë. Kur mbërritëm në kryeqytetin grek, u strehuam në Hotel “Atllantik” dhe të nesërmen shkuam në bazën ushtarake të Prevezës, ku koloneli që na priste na furnizoi me armatime që përbëheshin nga pesë automatikë, pesë pistoleta, 20 granata, 6 kg. dinamit, kapsula dhe mjetet mekanike për shpërthimin e tyre, veshjet e notit, një radio-marrëse e dhënëse, si dhe shumë municione e pajisje të tjera. Pasi i sistemuam këto në një vend të sigurtë, bisedova me kolonelin për rrugët e mundshme që duhej të ndiqnim për të hyrë në Shqipëri dhe në orën shtatë të mbrëmjes u nisëm me një motoskaf të vogël që drejtohej nga tre marinarë dhe pas disa orësh mbërritëm në bregdetin e Ksamilit”.

Kështu e kujtonte fillimin e “aventurës shqiptare”, Avdul Hakan Banushi, me origjinë nga Golemi i Gjirokastrës, i cili na rrëfente për herë të parë disa nga ngjarjet më të bujshme të jetës së tij, të ndodhura në vitin 1974 – ‘75, kur ai në krye të një grupi komando të nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, hyri disa herë me misione të fshehta në Shqipëri.

Kush ishte Avdul Banushi dhe cila është e kaluara e tij? Përse u internua ai në kampin nazist të Dakao-s në Gjermani dhe si mundi që të lirohej prej andej? Si u kthye ai në Shqipëri në tetorin e vitit 1945 dhe përse u dënua me 18 vite burg, duke u akuzuar si agjent i anglo–amerikanëve? Si mundi ai që të arratisej nga Dega e Punëve të Brendshme e Fierit në ditët e para të gushtit të vitit 1961 dhe si e kaloi kufirin për në Greqi? Çfarë i kërkuan atij në Athinë dhe si mundi ai që ta fitonte azilin politik për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Kush ishin krerët antikomunistë shqiptarë që organizuan “Fronin e Rezistencës Antikomuniste” dhe përse dështoi “aventura shqiptare” e Abdyl Banushit, si dhe atentati ndaj Enver Hoxhës në paradën e madhe të 30 vjetorit të çlirimit në 29 nëntorin e vitit 1974? Cili ishte njeriu që e shoqëroi dhe e tradhtoi Abdyll Banushin në misionin e tij të fundit në Shqipëri, gjë e cila bëri që ai të binte i gjallë në duart e forcave shqiptare të kufirit në afërsi të Hanit të Hotit, nga ku ai do të izolohej në burgun e tmerrshëm të Burrelit, deri në shembjen e regjimit komunist në 1991-in? Lidhur me këto dhe mjaft ngjarje e fakte të tjera, na njeh intervista ekskluzive që na ka dhënë z. Banushi, disa vjet më parë, e cila do jetë në gjashtë numra radhazi.

Zoti Banushi, ku shkuat pasi ikët nga fshati Savër?

Akoma pa zbardhur dita ne hymë në qytetin e Lushnjes dhe shkuam tek familja e Ç. Godos, babai i të cilit, Isa Godo ish-oficer i Xhandarmërisë së Zogut, ishte arratisur nga Shqipëria në vitin 1953 e ishte vendosur në Bruksel, ku vazhdonte të ishte pjesëtar i organizatës sonë. Ç. Godo na pranoi në shtëpinë e tij me frikë të madhe, por nuk pranoi që të dilte për të njoftuar personat e tjerë që kërkonim ne, duke na thënë se kishte frikë se në mes tyre mund të kishte njerëz të infiltruar prej Sigurimit të Shtetit. Pasi dolëm nga shtëpia e tij, u ndamë në dy grupe dhe mbërritëm në Durrës në familjen Cerloi. Ajo ishte një familje tregtarësh dhe me gjithë rreziqet që i kanoseshin, na priti shumë ngrohtë. Pas tre ditësh ata pranuan të bënim aty një mbledhje dhe pasi krijuam celulën e re, u nisëm për në Tiranë. Pasi qëndruam disa ditë në Tiranë, ne morëm rrugën përsëri për në Jug të Shqipërisë dhe nga mali i Buretos, vazhduam në drejtim të kufirit shtetëror me Greqinë, duke e kaluar atë në mes rreziqesh të shumta dhe më pas udhëtuam drejt Janinës e më pas në Athinë.

Çfarë bëtë më pas?

Nga Athina me avion u larguam për në Francë, ku për disa ditë qëndruam në hotelin tonë të përhershëm, “Viktor Hygo”, ku patëm disa biseda e debate me Sadik Premten e Seit Kryeziun. Më pas lëvizëm për në Belgjikë e Gjermani, ku takuam edhe shqiptarë të tjerë të mërgatës antikomuniste dhe më pas u kthyem në kryeqytetin italian Romë.

Përse i bënit të gjitha këto lëvizje?

Këto lëvizje ishin pjesë e taktikës sonë, përpara se të hynim me mision për në Shqipëri, për të çorientuar Sigurimin e Shtetit në Shqipëri. Efekti i këtyre lëvizjeve, ishte humbja e gjurmëve nga ndjekjet e Zbulimit Shqiptar që kishte bashkëpunëtorët e tij pothuaj në të gjitha shtetet ku kishte shqiptarë.

Nga Roma ku shkuat më pas?

Nga Roma unë me Tom M., u nisëm me tren për në qytetin e Barit dhe me vete kishim dhjetë kg. materiale propagandistike, pa përfshirë këtu armatimet për katër persona, që do t` i shpërndanim në Shqipëri. Nga porti i Barit u nisëm me tragetin “Iliria” për në portin e Dubrovnikut të Jugosllavisë. Për kalimin e materialeve dhe armatimeve që kishim me vete, rreziqet më të mëdha i kishim në kontrollet që bëheshin nëpër porte, apo pikat e kalimit kufitar, të cilat në shtetet ballkanike ishin më të rrepta.

A patët probleme kur hytë në portin e Dubrovnikut?

Duke e ditur se Toma ishte i ri dhe pa përvojë, unë e lashë të shkonte përpara dhe materialeve që kishim, u dola vetë për zot. Policit që filloi të më kontrollonte i dhashë 100 USD në dorë dhe mbasi më pa pasaportën amerikane, ai më lejoi të kaloja pa më kontrolluar më. Më pas dolëm nga porti dhe morëm një taksi e cila na çoi deri në qytetin e Titogradit, që ishte 700 km. larg që andej. Në atë qytet mbërritëm në orën dhjetë të mbrëmjes së 2 prillit të vitit 1975 dhe sapo zbritëm nga taksia, e ndjemë veten krejt të sigurtë nga peripecitë e mëdha që kishim kaluar, sepse aty banonte familja e Tom M. e cila konsiderohej si një nga bazat tona më të sigurta.

A shkuat në atë bazë?

Sigurisht, sapo zbritëm ne shkuam menjëherë tek shtëpia e Tomës, ku unë u takova me të gjithë njerëzit e familjes. Desha të them se pritja që m`u bë aty ishte disi e ftohtë. Kur u ulëm për të ngrënë, vura re shumë lëvizje të njerëzve që hynin e dilni. Sidomos vëllai i Tomës, Deda, hynte dhe dilte e në një rast të gjithë njerëzit e familjes dolën jashtë duke më lënë mua vetëm.

A u ngjallën dyshime pritja e ftohtë që i’u rezervua në atë shtëpi dhe ato lëvizje?

Të them të drejtën një farë habie më shkaktoi, por që të dyshoja se isha para ndonjë gracke, nuk e mendova kurrë. Megjithatë unë i pyeta për shqetësimin e tyre, se ç`hall kishin dhe ata më thanë se kishte ndodhur një ngatërresë, për martesën e Dedës. Më pas ne ramë dhe fjetëm. Unë fjeta bashkë me Tomën në një dhomë e gjatë natës, pashë një ëndërr të tmerrshme, sikur një qen kufiri më sulmoi të më kafshonte, e menjëherë u ngrita ndenjur. Toma ndjeu lëvizjen time dhe më pyeti se ç`kisha e unë i tregova ëndrrën.

Kur u nisët për të hyrë në kufirin shqiptar?

Më datën shtatë prill 1975, në orën dhjetë të natës, na erdhi e na mori një taksi dhe u nisëm për në drejtim të kufirit jugosllavo-shqiptar.

Kush ju shoqëroi për aty?

Bashkë me mua dhe Tomën, erdhën për të na shoqëruar edhe vëllai i tij Deda, e babai tyre Gj., të cilët ishin në përbërje të grupit tonë që do hynim në Shqipëri. Gjatë rrugës për në kufi, taksia mori një rrugë të verbër malore dhe ata më thanë se nuk dilej ndryshe për atje ku do shkonim ne. Taksixhiut i treguam një shtëpi në buzë të kufirit, që të krijonim alibinë dhe pasi e paguam, ai iku. Sapo zbritëm, filluam të bisedonim se si mund të kalonim për të hyrë në Shkodër.

Ju, a kishit qenë ndonjëherë në ato anë, pra, a kishit kaluar ndonjëherë në atë zonë kufitare, për të hyrë në Shqipëri?

Jo, për mua ishte hera e parë që shkelja në ato anë, por vendimi që ne do të hynim aty, ishte marrë që më përpara në Neë York, për arsye se ishte Toma nga ato anë dhe ai e njihte vendin me pëllëmbë, ndërsa si kryetar i grupit isha unë.

Nga vendosët të kalonit për të hyrë brenda territorit shqiptar?

Ne vazhduam rrugën duke zbritur kodrën që të nxjerr në afërsi të rrugës nacionale pranë Hanit të Hotit. Ndërsa ishim duke zbritur, aty unë u thashë Tomës, Dedës e Gj., që të kontrollonin armët, sepse ato ishin armë automatike të markës gjermane “Shnajzer” dhe nuk i kishim përdorur më parë. Unë u thashë atyre të m`i jepnin t`i kontrolloja dhe pasi m’i dhanë, unë ua bllokova me anë të një ingranazhi, duke vendosur tre numrat në një vijë. Pas kësaj ua dhashë duke i’u thënë se i kishin në rregull.

Pse u’a bllokuat armët?

Atë gjë e bëra sepse ndërsa ishim duke zbritur kodrën, Toma seç foli me Dedën, fshehurazi meje, gjë e cila më futi në dyshime.

Ç’ndodhi më pas me ju?

Ndërsa ishim duke udhëtuar në drejtim të kufirit të Shqipërisë dhe ishim futur rreth 800 metra në brendësi të tokës shqiptare, vumë re ndërtesat e postës së Hanit të Hotit, brenda telave të klonit. Aty Gj., u ul për të pushuar dhe pirë një cigare, duke thënë se ishte lodhur. Unë desha ta kundërshtoja, por në atë çast u ulën edhe Deda me Tomën, duke më futur mua në mes tyre. Unë nxora paketën e cigares dhe ndërsa po ulja zinxhirin e bluzës, për të nxjerrë çakmakun, ndjeva se Toma më erdhi nga prapa për të ndezur cigaren e tij.

Nuk dyshove fare te ato lëvizje dhe veprimeve që po bënin ata?

Po dyshoja, por ishte punë sekondash dhe kur unë u mundova t`ja ndizja cigaren, ndjeva një goditje të fortë në fytyrë dhe në kokë. Në çast rashë përdhe i trullosur dhe si në mjegull dallova edhe Dedën e Gj., që m`u afruan e më godisnin në qafë me qytat e automatikëve. Edhe në ato kushte kur akoma nuk më kishin lënë ndjenjat plotësisht, arrita në nxjerr nga brezi pistoletën dhe qëllova disa herë kuturu, pa i parë ku ishin ata.

Ç’ndodhi pas kësaj, a u dëgjuan të shtënat e armës suaj?

Pas pak nga baraka e kufirit që ishte aty pranë erdhën menjëherë ushtarët, të cilët zunë të më qëllonin me shkelma e grushta kudo në trup, deri sa humba ndjenjat.

Kur u përmendët, ku ndodheshit?

Unë u përmenda vetëm në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës kur po më mjekonin.

Po me Tomën, Dedën e Gj., ç’ u bë?

Ndërsa ishin duke më mjekuar në Degën e Brendshme të Shkodrës, unë vura re se aty ndodheshin po të lidhur edhe Deda me Tomën, madje ata ishin të lidhur pas karrigeve. Gj., nuk ishte aty, ai ishte kthyer mbrapsht që në Han të Hotit.

Si e shpjegoni këtë, pra përse ndodhi ajo gjë me ju…?!

Loja që kishte bërë Sigurimi i Shtetit dhe personalisht ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, me mua, duhej vazhduar deri në fund. Ata i kishin arrestuar me qëllim që të mos i dekonspironin si agjentë të tyre dhe për të më dhënë mua të kuptoja, se nuk isha goditur prej tyre, por prej ushtarëve të kufirit dhe se ata gjoja ishin arrestuar njëlloj si unë. Ndërsa Gj., u kthye, sepse ai bënte lojë të trefishtë, me Sigurimin Shqiptar, me amerikanët dhe me jugosllavët.

Sipas jush a ishte realizuar me sukses gracka që i’u kishin ngritur njerëzit e Sigurimit të Shtetit?

Jo, sepse nga sa kam mundur të mësoj vite më vonë, ata të tre nuk kishin urdhër për të më qëlluar mua. Detyra që kishin marrë ata nga Sigurimi i Shtetit, ishte vetëm survejimi im dhe të njoftonin për lëvizjet që bëja në shtete të ndryshme të Europës, ndërsa kur të hyja në Shqipëri, arrestimi im do të bëhej vetëm nga njerëzit e Ministrisë së Brendshme. Pra agjentët që kishte rekrutuar Sigurimi i Shtetit, më qëlluan mua pa autorizimin e eprorëve të tyre.

Ç’ndodhi më pas me ju, nga Dega e Shkodrës ku ju çuan?

Më tetë prill të vitit 1975, nga Dega e Punëve të Brendshme e Shkodrës, më shoqëruan me katër makina policie dhe më nisën për në Tiranë, ku më sistemuan në ‘Burgun e Vjetër’ (Rep. 313) në qelinë Nr.39. Aty më kishin shtruar një dyshek me kashtë në dysheme dhe të mbështetur në mur, qëndronin dhe dy punonjës të Ministrisë së Brendshme me fizik të madh. Pas pak aty hyri komandanti i burgut, H. Shehu, i shoqëruar nga një suitë e tërë, të cilët më vështruan një copë herë pa më folur, sikur të shikonin një kafshë prehistorike të gjallë në një Kopsht Zoologjik. Ata mezi i dalloja turbullt nga dhimbjet që nuk më pushonin dhe më pas, rashë përsëri pa ndjenja.

Kur dhe kush iu mori në pyetje si fillim?

Që ditën e parë kur u përmenda, dy civilët që qëndronin në qelinë time, më morën me një batanije në kokë e më shpunë diku. Kur më hoqën batanijen, e pashë veten në një dhomë të mobiluar, ku qëndronin të ulur dy burra rreth të dyzetave. Njëri prej tyre pasi më ftoi të ulesha, mu drejtua: “U bëre i famshëm mor jahu, mjaft u solle me tajare viu-viu, por unë ta kisha bërë benë, zoti Avdul Banushi. Pa të shti në dorë nuk të lejsha. I zgjut e trim je, këtë nuk ta mohon njeri, por në fund u tregove budalla. Kishe harruar se Kalin e Trojës, e kemi dhe na”.

Kush ishte ai që po ju fliste?

Nuk po e njihja, por ndërsa ai më fliste, unë për të treguar se isha i qetë, u ula në karrige dhe vura këmbën për mbi këmbë. Në atë çast, njeriu që më kishte folur i pari, luajti nga karrigia dhe më bërtiti: “Ule mor këmbën, se këtu je para Ministrit…”. Në atë çast e kuptova se isha para Kadri Hazbiut dhe Rexhep Kollit, që fliste me dialekt tiranas.

Çfarë të thanë tjetër ata?

Ndërsa Rexhep Kolli po më bërtiste që rrija këmba mbi këmbë, Kadri Hazbiu tha: “Lëre lëre, helbete edukata amerikane”. Pastaj ai më tha se unë do të quhesha me emrin Rexhep Kalemi dhe vetëm me atë emër do t` u përgjigjesha atyre që do më shoqëronin për në dhomë, përndryshe do ta kisha keq punën. Po kështu më thanë se do më jepnin një paketë duhani ‘DS’ në ditë dhe një kafe. Pastaj ata dhanë urdhër të më merrnin dhe Ferhat Matohiti, Shefi i Hetuesisë së Ministrisë Brendshme, më shoqëroi vetë për në dhomën time, ku kishin bërë ndryshime të mëdha. Aty kishin sjellë dyshekë pambuku dhe çarçafë të bardhë, fare të rinj. Më pas, më morën përsëri dhe më çuan po në atë dhomë, ku zv/Ministri i parë i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, më mori në pyetje, duke më thënë: “Duhet t`ia hapësh zëmrën Partisë dhe shokut Enver, se ai i lehtëson njerëzit që tregohen të sinqertë”. Kur mbaroi së pyeturi ai, më çuan përsëri në qelinë time, ku përsëri ishin bërë ndryshime të mëdha.

Çfarë ndryshimesh…?!

Aty nuk ishin më dy dyshekët me pambuk dhe kishin vendosur një arkivol të hapur, i shtruar brenda me një jorgan. Arkivoli ishte një metër e shtatëdhjetë centimetra i gjatë, shtatëdhjetë centimetra i gjerë dhe tetëdhjetë i thellë. Ai ishte vendosur në qendër të dhomës, ndërsa në krahun e djathtë, ishte një tavolinë dhe një karrige për shoqëruesin tim. Mbi tavolinë ishte një skafandër sampisiti, ndërsa në krahun tjetër qëndronte një njeri që siç mora vesh më vonë, ishte shefi i Shëndetësisë së Ministrisë Punëve të Brendshme, Nevzat Vigani, që i ngjante kopje Stalinit.

Çfarë ishte ai arkivol dhe pse e kishin sjellë aty?

Arkivoli ishte një metodë e vjetër që Ministria e Brendshme e Shqipërisë, e kishte huazuar nga sovjetikët, Ai ishte dhe mjet presioni për të zbërthyer të arrestuarin edhe mjet sigurie, pasi aty të mbanin të lidhur me disa çelësa që edhe polici kur t`i zgjidhte, donte disa minuta. Në atë arkivol, mua më mbajtën të lidhur me zinxhirë dhe skafandër në kokë për 13 muaj e tetë ditë, që unë qëndrova në atë qeli gjatë hetuesisë.

Për çfarë ju pyesnin gjatë hetuesisë?

Për gjithçka, që nga mbledhja e Madridit me Leka Zogun, e gjithë aktivitetin tim, të cilin ata e dinin, por e kërkonin t`ua thoja e dëshmoja me gojën time. Gjatë hetuesisë, më ballafaquan edhe disa herë me Tom M., e gruan e tij P., që e kishin sjellë në SHBA-ve, të cilët dëshmuan rreth aktivitetit tim.

A pranuat ju për ato që u pyesnin?

Unë gjatë gjithë hetuesisë nuk pranova asgjë dhe i mbetesha fjalës së pare, që gjoja kisha ardhur për herë të parë në Shqipëri”.

Kur i’u nxorën në gjyq?

Më 2 maj 1976, hetuesi im Dhimitër Beshiri, me dy ndihmsat e tij, më solli rrobat që do paraqitesha në gjyq dhe berberi H. Karai, më qethi dhe më rrojti për herë të parë pas 13 muajve. Gjyqi ndaj meje vazhdoi në dy seanca më 13 dhe 14 maj, i drejtuar nga Eeleni Selenica, Kryetare Gjykate dhe Prokuror Edmond Sanxhaktari. Akuza ndaj meje ishte: “Krime ndaj shtetit, vepra terroriste, provokime për të prerë marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë me shtete të tjera, pjesëmarrje në banda të armatosura, vepra terroriste kundër personave të huaj dhe agjitacion e propagandë”. Në bazë të shtatë neneve që më kapnin për këto akuza, u dënova me 25 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen për pesë vjet të të drejtës elektorale.

Ku e vuajtët dënimin dhe kur u liruat nga burgu?

Dënimin e vuajta në burgun e Burrelit dhe prej aty u lirova më 17 mars të vitit 1991, me të fundit të burgosur që u liruam pas protestave të Komitetit të Helsinkit.

Sa burg keni bërë gjithsej?

Në Shqipëri kam bërë 31 vjet e tre muaj, ndërsa dy vjet të tjera i kam vuajtur në kampet naziste të Prishtinë, Landsbergerit e Dakaut, pra 33 vjet e tre muaj gjithsej.

Si mendoni, përse nuk ju pushkatuan kur akuzoheshit për vepra terroriste dhe gjatë kohës që ishit në burg a patët oferta për të punuar për Sigurimin e Shtetit?

Nuk më pushkatuan, jo se iu dhimbsej plumbi, por ndoshta unë u duhesha i gjallë dhe ata shpresonin të më thyenin. Për këtë gjë, më erdhi në burgun e Burrelit, Kryetari i Degës së Zbulimit, Hasan Luçi dhe më propozoi të vihesha në shërbim të Shqipërisë, kuptohet të Sigurimit të Shtetit.

Si u përgjigjët ju?

Unë jo vetëm që e refuzova, por i thashë se: nëse dilja i gjallë që andej, përsëri do të tentoja t`ua vija bombat në Komitetin Qendror në Tiranë. Pas kësaj, Hasan Luçi u largua, por si duket ai nuk më raportoi për ato që i thashë, se ndryshe do të më kishin ri dënuar përsëri aty në burg.

A jeni penduar për atë se ju shkoi gjithë jeta në burg?

Aspak, unë i kisha hyrë me koshiencë asaj rruge që në moshën 16-vjeçare dhe ndjehem krenar për të kaluarën time si shqiptar dhe gjithçka tjetër kam bërë kundër regjimit diktatorial të Enver Hoxhës. /Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

DASH e cilëson 'retorikë të papërgjegjshme' kërcënimin e Medvedevit ndaj NATO-s

DASH e cilëson 'retorikë të papërgjegjshme' kërcënimin e Medvedevit ndaj NATO-s