Si mund të çahet bllokada ruse ndaj Detit të Zi

Si mund të çahet bllokada ruse ndaj Detit të Zi

Foto ilustruese

Bota po përballet me një krizë globale ushqimore, të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës. Produktet bujqësore të Rusisë dhe Ukrainës, janë shumë të rëndësishme për sigurinë globale të ushqimit. Rusia dhe Ukraina përbëjnë respektivisht 13 për qind dhe 8.5 për qind të eksporteve botërore të grurit.

Prandaj sanksionet kundër Rusisë, si dhe bllokada detare e Moskës ndaj porteve detare të Ukrainës, i kanë nxjerrë jashtë tregut këto eksporte jetike. Për pasojë, miliona njerëz janë në rrezik të përjetojnë pasiguri ushqimore akute, sidomos ata në botën në zhvillim. Rreziqet janë të mëdha: një krizë ushqimore në një shkallë të tillë, mund të shkaktojë uri katastrofike globale, të nxisë destabilitet politik në vendet që varen nga importet e drithërave, dhe të shkaktojë valë tronditëse në të gjithë ekonominë globale. Komuniteti ndërkombëtar ka në dispozicion disa opsione ushtarake dhe diplomatike për ta lehtësuar këtë krizë të pritshme, por të gjitha ato kanë edhe anët negative.

NATO mund të përdorë marinën e saj të fuqishme dhe fuqinë e madhe ajrore për të shoqëruar anijet ukrainase të mbushura me grurë. Por një traktat i njohur si Konventa e Montreux, e kufizon madhësinë e forcës ushtarake që mund të hyjë në Detin e Zi.

Dhe Rusia mund të kundërshtojë kalimin e autokolonave me grurë përmes arsenalit të saj detar, me shumë gjasa duke përdorur mina dhe nëndetëset. Qasjet alternative, si krijimi i autokolonave me anijet e palëve të treta, apo transporti i grurit nga portet jo-ukrainase të Detit të Zi, do të ishin më pak provokuese, por do të vareshin sërish nga dakordësia e rusëve.

Pra, për këtë krizë nuk ka zgjidhje të lehta. Por sado të vështira që mund të jenë ato, Perëndimi nuk mund ta shpërfillë këtë problem. Pasi nëse kriza e urisë përhapet gjerësisht dhe do të shkaktojë destabilitet politik, do të ketë një presion në rritje ndaj Perëndimit për të vepruar.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre duhet të kenë një plan – qoftë edhe të papërsosur – në rast se duan të shmangin një katastrofë globale, e cila mund të dalë jashtë kontrollit. Një mënyrë për të anashkaluar bllokadën detare të Rusisë, dhe për të lejuar dërgesat e eksporteve bujqësore të Ukrainës, do të ishte transportimi i tyre nga toka.

Me ndihmën e vendeve fqinje si Polonia dhe Rumania, Ukraina po përdor linjat hekurudhore për të transportuar grurë. Këto metoda kanë një avantazh të madh, pasi Rusisë i mungon aftësia për ta penguar një lëvizje të tillë. Edhe pse teorikisht linjat hekurudhore janë të prekshme ndaj sulmeve me raketa apo avionë, një ndalim i tillë është shumë i vështirë për t’u realizuar për një periudhë të gjatë.

Këtë e mësuan edhe aleatët gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur u përpoqën të shkatërronin linjat hekurudhore gjermane dhe japoneze. Linjat hekurudhore janë relativisht të lehta për t’u riparuar, ndaj sulmet duhet të jenë të vazhdueshme. Por Rusisë i mungojnë mjetet për ta bërë këtë. Por nga ana tjetër sistemit hekurudhor ukrainas i mungon kapaciteti për të kompensuar pamundësinë e tregtisë nga deti.

Eksporti i gjithë sasisë ushqimore të Ukrainës – i vlerësuar në 30 milionë tonë drithë – do të kërkonte vetëm 100 ngarkesa anijesh, krahasuar me 300.000 ngarkesa të mëdha hekurudhore. Sipas disa llogaritjeve do të duheshin 14 muaj për ta transportuar të gjithë grurin përmes linjës hekurudhore, ndërsa nga deti vetëm 4 muaj.

NATO mund ta çajë bllokadën detare të Rusisë, duke siguruar autokolona anijesh luftarake që do të shoqëronin anijet tregtare që do të niseshin drejt porteve ukrainase, të cilat do të siguronin furnizimin e shpejtë ushqimor që i nevojitet botës. Por kjo strategji do të përballej me disa pengesa, më së pari nga forcat detare ruse, të cilat kanë kapacitetin për të sulmuar çdo anije perëndimore që do të ndërhynte në konflikt.

Aktualisht flota ruse e Detit të Zi ka 5 fregata, disa anije amfibe, dhjetëra anije të mbrojtjes bregdetare dhe më e rëndësishmja, 6 nëndetëse të reja të avancuara, që janë të armatosura me silurë, raketa dhe mina. Po ashtu Rusia ka në Krime raketa anti–anije me rreze veprimi prej të paktën 200 miljesh.

Por braktisja e Ishullit të Gjarpërinjve nga marina ruse e zbeh rrezikun për Perëndimin. Gjithsesi kontrolli i Rusisë në Detin e Zi nuk është absolut. Humbja në muajin prill e “Moskva”, kryqëzorit kryesor që lëshonte raketat, i dha një goditje të rëndë aftësisë së Moskës për të kontrolluar ujërat e Ukrainës.

Gjithsesi NATO, do të jetë e kufizuar në aftësitë e veta për shkak të Konventës së Montreux. Marrëveshja e vitit 1936, rregullon trafikun detar në ngushticat turke që lidhin Detin e Zi me Mesdheun. Ajo lejon një qasje të pakufizuar për anijet tregtare dhe një kalim relativisht të lirë në portet e Detit të Zi, por e kufizon madhësinë dhe numrin e anijeve luftarake që mund të kalojnë tranzit nëpër ngushtica.

Po ashtu, konventa ndalon kalimin e nëndetëseve nga vendet që lagen nga Detit i Zi, duke anashkaluar kështu një nga forcat e mëdha detare të NATO-s. Shtetet e Bashkuara nuk janë nënshkruese të Konventës së Montreux, ndaj në teori këto rregulla nuk vlejnë për Marinën e SHBA-së.

Por Uashingtoni, e ka respektuar marrëveshjen pa marrë parasysh rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, dhe në respekt të Turqisë, një anëtare e NATO-s. Gjithsesi aleanca mund të operojë brenda kufizimeve të përcaktuara nga konventa. Kufizimi deri në masën 45.000 tonë për anijet nga fuqitë e jashtme do të lejonte vendosjen atje të rreth 5 destrojerëve.

Duke pasur parasysh kufirin prej 30.000 tonësh për marinën e një vendi, Shtetet e Bashkuara mund të dërgojnë 3 destrojerë, ndërsa 2 të tjerët nga vende si Britania e Madhe apo Franca. Pavarësisht numrit të tyre të kufizuar, këto anije mund të ofrojnë një garanci të mjaftueshme për anijet tregtare që do të transportojnë grurë ukrainas.

Po ashtu, NATO mund të përdorë fuqinë e saj të madhe ajrore. Duke supozuar se Rumania dhe Bullgaria do të bashkëpunojnë duke ofruar bazat e tyre, dhe duke i lejuar avionët e NATO-s të fluturojnë mbi territorin e tyre, fuqia ajrore e NATO-s do të dominonte luftanijet ruse dhe forcat e saj ajrore në rajonin e Detit të Zi.

Rusia ka shumë të ngjarë të përdorë minat detare dhe nëndetëset për të sulmuar anijet me grurë, pasi këto armë nuk janë vetëm efektive, por edhe të fshehta dhe të mohueshme, gjë që do të zbuste peshën e fajin në rastin e një incidenti të tillë. Rusia ka vendosur shumë mina nënujore pranë porteve të Ukrainës.

Ukraina mund të përpiqet t’i ç’aktivizojë ato, por kjo do të kërkonte një operacion të gjatë dhe të mundimshëm nga anije të vogla dhe të pambrojtura. Gjashtë nëndetëset ruse do të përbënin kërcënimin më të madh, pasi ato janë të armatosura mirë. Në një rast të tillë, do të pasonte një luftë me armë detare, ku NATO ka të ngjarë të dominojë në fund.

Një opsion më pak konfrontues do të ishte përfshirja në operacion e vendeve jo anëtare të NATO-s, që mund të shoqërojnë anijet tregtare. Një vend si Egjipti, që varet shumë nga gruri i importuar, mund të jetë i gatshëm të marrë përsipër rreziqet që do të sillte një operacion i tillë.

Shtetet e Bashkuara mund të përdorin një qasje të drejtpërdrejtë, duke u vendosur anijeve tregtare flamujt e saj, në mënyrë që Rusisë t’i duhet të sulmojë anijet amerikane për të zbatuar bllokadën e saj. Diçka e ngjashme ndodhi me cisternat kuvajtiane të naftës gjatë luftës Iran-Irak në vitet 1987-1988. Uria globale mund të mos jetë ende akute, por kur të mbërrijë, do të godasë fort. Është përgjegjësi e NATO-s dhe Perëndimit që të kenë një plan përpara se mungesa të kthehet në krizë./. Nga Mark Cancian, “Foreign Affairs”, Marrë me shkurtime nga BOTA.al

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Ushtria libaneze apel banorëve: Shmangni zonat ku forcat izraelite janë ende të pranishëm

Ushtria libaneze apel banorëve: Shmangni zonat ku forcat izraelite janë ende të pranishëm