Si paguhen gazetarët e huaj për
të “nxirë” faqen e Shqipërisë

Lidhja e fshehtë – Si paguhen gazetarët e huaj për të “nxirë” faqen e Shqipërisë në mediat ndërkombëtare

Jean Arnault Derens. Njihuni me “majën e ajsbergut”, të një fushate ndërkombëtare lajmesh të rreme, të sponsorizuara bujarisht nga Partia Demokratike, përmes konsulentëve të saj ndërkombëtarë, emra si Aron Shave apo Jim de Mint.

Por, le t’i marrim gjërat me radhë. “Le Temp”, një gazetë e përditshme zvicerane, publikon ditën e djeshme një lajm me titull bombastik, “Shqipëria e përmbytur nga trafiku i drogës”. Pa dyshim, lajmi riciklohet me bujë nga portalet anti-qeveritare, të mbushur me tituj që shtyjnë lexuesin të besojë në një denoncim publik ndërkombëtar të qeverisë shqiptare.

Në pamje të parë, shkrimi i “Le Temps” është një artikull më shumë jodashamirës ndaj vendit tonë, i shkruar nga ndonjë gazetar i zellshëm për mbledhje informacioni të çfarëdoshëm në motorët e kërkimit.

E megjithatë, në kërkim i shkurtër mbi këtë emër, Jean Arnault Derens, ish-gazetar i prestigjiozes “Le Monde” tregon një sekuencë shumë shqetësuese në shtrembërimin e qëllimshëm të informacionit.

Pak kohë më parë, Derens shkruante se “Shqipëria është burimi më i madh i paqëndrueshmërisë politike në Ballkan”, e nëse vazhdon kërkimin, gjen një mori artikujsh anti-shqiptarë, që mbajnë penën e këtij gazetari francez. (Lexo shembullin – https://www.monde-diplomatique.fr/publications/l_atlas_geopolitique/a53557,)

Dikur korrespondenti i gazetës më të madhe franceze për Ballkanin Perëndimor, diku në mes të karrierës së tij Derens vendosi që të ndjekë një rrugë që e shpërblen shumë më tepër se rroga, ndonëse e bollshme e gazetarit të “Le Monde”. E kjo shpjegon përse ai u largua prej saj, për të nisur punë në gazeta me profil më të ulët, ku është i lirë që të shkruajë lajmet të porositura, në këmbim të një shpërblimi shumë më të madh.

Nëse do të ishte vetëm Derens, mund të flitej pa dyshim për një rastësi. Por, për një sy të kujdesshëm, “pattern” i ndjekur është gjithmonë i njëjtë. Një grup i gazetarësh apo portalesh të huaja, gjithmonë të njëjtët, që publikojnë lajme kundër Shqipërisë.

Lajmet riprodhohen brenda disa minutash, ndonjëherë edhe përpara se të publikohen në mediat mëmë, nga portalet opozitare që përligjin këto burime informacioni si opinione prestigjioze ndërkombëtare.

I tillë është rasti i Zeljko Ivanoviç, gazetarit të “Vijestit” malazez, që fitoi famë sepse në një konferencë ndërkombëtare në Tiranë, javën e shkuar kundërshtoi fjalën e Ramës për lirinë e mediave. Portalet në borderonë e PD e shpallën hero, duke i dhënë një mbulim mediatik të jashtëzakonshëm dhe duke e sponsorizuar fuqimisht në rrjetet sociale gjatë të gjithë ditës.

Pak rëndësi ka se Ivanoviç, gjithashtu është një penë që shkruan vazhdimisht kundër Shqipërisë e se në editorialet e tij, ai shkon deri atje sa të thotë se “Kosova, veshka e Serbisë, është qëndra e trafikut ndërkombëtar të organeve”. http://www.lexo.al/skandali-opozita-perkrah-gazetarin-malazez-qe-tha-kosova-veshka-e-serbise/

Një prej rasteve më të bujshme të “Fake News” që krijoi një qarkullim të jashtëzakonshëm në vend, është ai i hedhur në treg nga portali anonim Italian, “Pianeta Italia News”.

Me më pak se 500 klikime në ditë, papritmas portali u vendos në qendër të gazetarisë investigative, sipas portaleve tona që raportuan gjërësisht lajmin e tij për zhdukjen e 1 400 kontenierëve me mbetje radioaktive në Shqipëri.

Një javë më vonë lajmi u përgënjeshtrua nga burime zyrtare italiane dhe investigimi i gazetarit CARLO BOLLINO, por vetëm pasi bëri xhiron e mediave në Shqipëri. Me siguri, shumë lexues të atij lajmi të rremë, besojnë ende tek historia e kontenierëve. Pak rëndësi ka që u përgënjeshtrua më pas, qëllimi politik i lajmi u arrit. Baltë, sa më shumë baltë, sepse diçka ngelet.

Një rastësi? Jo, portali Italian, me pronar të panjohur, i palicensuar dhe pa ip italiane, është vetëm një “kal troje” për të shitur edhe ai lajme ndërkombëtare, të veshur me tisin e autoritetit të të huajve, që më pas riprodhohen me bujë në Shqipëri.

Por, kjo përpjekje nuk përfundon vetëm me lajme. “Heritage Foundation”, një fondacion që çdo vit përpilon një renditje për lirinë ekonomike në botë, drejtohet nga Jim de Mint, një person me lidhje të ngushta me Uashingtonin, i cili është pikërisht njeriu që gjeti dy biletat me të cilat Basha dhe Mediu shkuan për të ndjekur inagurimin e Trump në janar të këtij viti.

Një lidhje e tillë, as që është fshehur nga demokratët, me Bashën që përpara fotos me Trump, publikonte në “Facebook” e tij foton me De Mint. Çfarë është më e lehtë të besohet, që De Mint ndihmon Bashën në axhendën e tij politike sepse admiron liderin e opozitës shqiptare apo e bën këtë sepse edhe ai ka përfunduar në borderotë e fshehta të “SHQUP”-it?

Dhe, a është vërtet një rastësi që dy javë pas asaj vizite, renditja ndërkombëtare për lirinë ekonomike, e fondacionit të De Mint “nxin” Shqipërinë duke e ulur me disa vende?

Pjesë e kësaj makinerie lajmesh të rreme, të ngritura nga opozita u evidentuan në kohën e çadrës së opozitës. Jason Emert, 32-vjeçari i përshkruar nga portalet opozitare si këshilltari i Trump dha një fjalim inkurajues në Tiranë, i cili u sponsorizua me të madhe si sinjal për mbështetjen e presidentit amerikan.

Emert, në fakt s’kishte asnjë lidhje me Trump, ai ishte vetëm ish-drejtuesi i një shoqate rinore jopolitike, e financuar nga lobi grek në SHBA. Po, ç’punë prish. Nja disa mijëra shqiptarë e kanë lexuar lajmin se këshilltari i Trump erdhi në Tiranë dhe na tha troç të votojmë PD. Disa vota më shumë. Punë e madhe se del më vonë që është “fake news”.

E në mes të të gjithë kësaj makinerie të sofistikuar balte, guri i diamantit i kësaj kurore vazhdon të mbetet “Qytari Dixhital”, denoncimet e ish-Kryeministrit Berisha. Shumica e shqiptarëve do të thonë se pavarësisht se ekzagjeron, shumë nga këto denoncime dalin të vërteta. Po, ku dalin të vërteta? Në portalet dhe profilet sociale në borderonë e PD? Punë e madhe, qëllimi justifikon mjetin.

Ndaj, lavdi dhe të na rrojë “fake news”. Edhe me koston e nxirjes së imazhit të vendit. Fundja, rëndësi ka marrja e pushtetit.

Marrë nga: LEXO.AL

 

Redaksia Online
J.Sh Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale