Si të shërohesh përmes librit

Si të shërohesh përmes librit
TIRANE - Kërkimi në internet, më solli një lajm që mu duk i pazakontë, në Londër ishte hapur një librari, ku libri trajtohet për shërim. Në fakt, kur flitet për letërsinë, krahas atributeve të tjera, gjithnjë e me shumë i mëvishet edhe gjasa shëruese. Shërimi, me anë të librit, e ka marrë emrin biblioterapi, pra një shërim, unik dhe specifik. Thelbi i biblioterapisë shprehëse, lidhet me komunikimin, si akt i leximit dhe shërimit, për të gjitha grupmoshat.

Për të kuptuar diçka, le të nisemi nga një situatë shërimi me anë të psikoterapisë, që realizohet me anë të psikologut. Këto dy anë të shërimit me komunikim, nëse i bashkon komunikimi, ndahen në formën e komunikimit, sepse biblioterapia realizohet me tekstet letrare, pra është një komunikim specifik, që mundësohet me anë të leximit/aktiv. Megjithëse në mjediset tona, pak dihet, e prandaj është momenti për të ndezur drita jeshile për ta hipotekuar si një shans të ri, aftësinë shëruese të teksteve letrare, e njohur dhe përdorur gjerësisht.

Formën e vetë të plotë si koncept dhe shkencë, Biblioterapia, e fiton sidomos rreth viteve ’30 të shekullit të kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në këtë periudhë ka një zgjim të jashtëzakonshëm ndaj libri si një mënyrë dhe mjet shërues, në Londër. Në mes të tjerash kemi një situatë të tillë që lajmëron se: Libraria e fundit është hapur këto ditë dhe quhet "School of Life" ("Shkolla e Jetës"). Për të kuptuar përbërjen dhe rolin e saj, duhet ndjekur filli i njoftimeve që vijnë, ku mes të tjerash shkruhet: Është një lloj "farmacie kulturore" shumë e veçantë, që u ofron vizituesve të saj ushqim për barkun dhe mendjen, që në fakt të sjellë në mend gjithë ndihmesën e dhënë nga shkrimtarja Virginia Woolf.

Për të sjellë për lexuesit edhe një mendim tjetër që ilustron idenë shëruese të librit: Pasi përfundova së lexuari për të 12-ën herë librin “Lufta dhe Paqja”,- shkruante në 1951 në ditarin e tij shkrimtari rus Mikhail Prishvin, kuptova më në fund domethënien e ekzistencës sime”. Këto fakte na mundësojnë jo pak, që të krijojmë një ide mbi sekretin që bart një tekst letrar, që përpos se të të njohë me botën, të edukojë dhe zbukurojë shpirtin, ndikon edhe për shërimin nga lëngatat e ndryshme jetësore dhe psikologjike. Këto e bëjnë të pashmangshme një diskutim mbi këtë prani, një diskutim të institucioneve të kulturës dhe të shëndetit mendor, të shkrimtarëve dhe studiuesve, të shkollës dhe familjes, të gjithë shoqërisë.

Po flasim për një hemisferë të tjetër të tekstit letrar, që aty ka qenë, që nuk e kemi vënë re, ose nuk e kemi ditur, por që tashmë do të duhet të njihet, të zbulohet dhe mbi të gjitha të hipotekohet si mënyrë e re e forcës shëruese të librit. Bazuar në rezultatet ku ka mbërritur biblioterapia në hapësirat e tjera, kryesisht të perëndimit, aq sa vihet re se tanimë njihen edhe fazat e ndryshme, të cilat na vijnë edhe të përcaktuara: Identifikimi – kur lexuesi e gjen dhe identifikohet me personazhin; Katarza – kur lexuesi ndan shumë mendime dhe ndjenja me personazhin në veprën letrare; Mishërimi– kur lexuesi përmes personazhit kupton se si të përballet me problemet dhe çështjet e veta.

Duke qenë një temë e re, në marrëdhënie me librin, tashmë si mjet utilitar, vetvetiu lindin disa pyetje, që në përnjohje të kësaj hapësire. Si do të realizohet njohja e problemeve, e simptomave që mundet të shërohesh duke lexuar? Kush do të merret me ata që kanë shqetësime, pra cilët do të jenë terapeutistë të njohjës së librit, apo të shenjave të rëndimit shpirtëror dhe mendor, pra psikologët? Nga praktika e përbotshme, këtë rol dhe mision, e kanë marrë përsipër shkrimtarët, studiuesit, por edhe njohës të librave. Por, përcaktimi i shenjave të dëmtimit, bëhet e nevojshme për tu ndjekur nga një psikolog. Pra, mbase do të duhet të kemi një ndërthurje të palëve që mundet të jenë ekspertët e biblioterapisë.

 Po familja, në çfarë lidhje do të jetë me librin, tanimë edhe si një mjet shërues? Kuptohet se biblioterapia, pasi të njihet si vlerë, të kuptohet si mision, shpejt do të jetë një bashkudhtar i jetës së njeriut, si shkrim letrar, që përmban energji të shumëfishta, por disi më tepër si lexim, që ndihmon për të çliruar këto energji dhe përmes tyre të shërohet nga jo pak shqetësime që e shoqërojnë qenien njerëzore.

Shkrimi u publikua sot në Suplementin Fundjava në gazetën Shqiptarja.com(print), 15 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Si nisi skema e mashtrimit me bursat e studimit! Zbulohet e-mail i parë të 20-vjeçarit që maskohej si “Klea Rama”, dërguar Ministrisë së Arsimit

Si nisi skema e mashtrimit me bursat e studimit! Zbulohet e-mail i parë të 20-vjeçarit që maskohej si “Klea Rama”, dërguar Ministrisë së Arsimit