Si ta luftoni sëmundjen nëpërmjet
një ushqimi më të shëndetshëm

Si ta luftoni sëmundjen nëpërmjet<br />një ushqimi më të shëndetshëm
TIRANË - Kemi ardhur sot të takojmë një mikeshën tonë të vjetër, dietologen Rolina Naço, për të biseduar mbi një moment vërtet shumë kritik. Mundohemi shpeshherë të japim mesazhe të rëndësishme për jetën e shëndetshme, për sensibilizimin e të gjithëve në luftën e përbashkët kundër tumoreve dhe kancerit të gjirit në veçanti.

Këtë herë do të ndalemi tek ushqimi. Sigurisht ushqimi ka rëndësi në përditshmërinë tonë kur jemi në normalitet, por është një kontingjent personash të cilët e vuajnë tashmë në trupin e tyre këtë sëmundje dhe ata duhet të ushqehen, por si? Le ta gjejmë së bashku.
 
Rolina, përshëndetje! Në fakt, është e rëndësishme besoj kjo që do të themi sot sepse ka shumë persona që janë pjesë e zinxhirit të sëmundjeve tumorale edhe gratë në mënyrë specifike të kancerit të gjirit, të cilat tashmë kanë zbuluar që diçka negative nuk shkon në trupin e tyre, kanë filluar trajtimin. Ne kemi folur shpeshherë për mënyrën sesi trajtohet dhe çfarë hallkash duhet të kalojë një i sëmurë. Por të gjitha këto hallka shoqërohen nga ushqimi i përditshëm. Si ndryshon të ushqyerit në këtë fazë të jetës së gruas?
Në fakt, nga ana teorike, le të themi, baza e një menyje të një personi që është duke luftuar dhe duke pasur këto betejat me tumorin dhe specifikisht me tumorin e gjirit, është që do të bazohen sërish në produktet ushqimore të cilat janë sa më organike, të cilat s’kanë përmbajtje shtesë në vlera të cilat janë konservuese ose ngjyrues, dhe përsëri bazohemi te produktet ushqimore që kemi si bimë.

Dhe shumë herë më pak produkte ushqimore nga shtazoret. Elementi tjetër që do të duhet të përmendim është që shpeshherë, pavarësisht se teorikisht ne duhet të konsumojmë disa ushqime, te një person i cili është duke marrë mjekimet e tij ose duke pasur ciklet e kimioterapisë që është duke mbajtur, sigurisht që na shfaqen edhe probleme të tjera, të cilat ndoshta na i vështirësojnë mundësitë për të ngrënë atë që duhet.

Ndoshta mund të kemi probleme me përzierjen e stomakut, ose të kemi probleme me aromat e ndryshme që mund të na shkaktojnë përsëri vështirësi për t’i konsumuar ushqimet që duhet të konsumojmë. Aty është shumë e rëndësishme që familjarët t’i krijojnë një ambient më të ngrohtë, më të mirëkuptueshëm dhe më të motivuar personit që është duke pasur këtë betejë në jetën e tij. Dhe duhet të jemi edhe tolerantë, sigurisht.

Për të folur dhe për të dhënë ndihmë në shumë njerëz që ndoshta nuk dinë se çfarë të konsumojnë, është shumë e rëndësishme të përmendim disa rregulla, le të themi, të cilat do të duhet t’i ndjekin. Baza, thamë që janë produktet ushqimore në perime. Do të duhet të evitojmë produktet ushqimore që flasin për sheqer të drejtpërdrejtë, pra ëmbëlsia e vetme që ne mund të marrim le të jetë nëpërmjet frutave ose mjaltit dhe ato jo në sasi të ekzagjeruara përsëri.

Elementi që përsëri do të duhet të përmendim është që perimet do të duhet të jenë të pranishme në çdo vakt edhe mesvakti të ditës sonë dhe produktet e perimeve, në qoftë se nuk arrijmë të konsumojmë atë sasi shumë të madhe ose stomaku ynë nuk është në gjendje për të toleruar, për të ngrënë atë sasi shumë të madhe, do të duhet t’i marrim në formë lëngjesh të porsashtrydhura.

Perimet të cilat të jenë sa më të freskëta, të sapoblera, le të themi, në ato kushte në të cilat ne mund t’i gjejmë ato, ose mund t’i marrim edhe në një bahçe në qoftë se dikush e ka këtë mundësi, por le të mos imarrim një herë në javë dhe t’i mbajmë gjatë në frigorifer. Të mos harrojmë që ajo është një mënyrë që e degradon cilësinë e vlerave ushqimore të produktit.

Pra, sa më të freskëta, aq më mirë. Çdo ditë, më mirë akoma.
Sigurisht, çdo ditë dhe t’i referohemi stinës. Përsëri është një element shumë i rëndësishëm. Produktet e bimëve të cilat kanë një fuqi shumë të lartë antioksiduese dhe antitumorale janë, le të themi, lakrat, në familjen e lakrave, duke filluar nga lulelakra, nga brokoli, nga lakra tradicionale e bardhë, nga lakra e kuqe ose lakrat e Brukselit, por përsëri te lakrat e Brukselit do të këmbëngulja që në qoftë se janë vetëm prodhim vendi, të mos harrojmë, sepse në qoftë se janë të importuara, ato kanë kaluar një kohë shumë të gjatë në transport dhe asgjësohet një pjesë e vlera ushqimore të tyre; rrepat, përsëri, që kanë atë shijen të ngjashme me koçanin e lakrës.

Po mundohem që të jap edhe shijen e cila lidhet me substancat që kanë këtë fuqi antitumorale. Mund të vazhdojmë me panxharin e kuq. Mund të vazhdojmë me karotën, të cilat janë edhe produkte të cilat ne i gjejmë edhe shumë kollaj në stinën e sotshme.

Pjesa tjetër shumë e rëndësishme janë legumet, fasulet, thjerrëzat, bizelet, të cilat kanë disa substanca që quhen lihnan, të cilat lidhen edhe me konsumimin e sojës që edhe populli e zgjedh sepse lidhet edhe me një mbrojtje kundër tumorit të gjirit sidomos te femrat, por ngaqë nuk mund të gjejmë sojë aq të mirë këtu preferohet të përdorim produktet e vendit tonë që janë fasulet, të cilat gjenden shumë kollaj, mund të gjejmë edhe qiqra, edhe thjerrëza të vendit.

Zona e Skraparit, zona e Korçës i prodhon ato edhe pse në sasi më të vogla; bishtajat, barbunjat në qoftë se ne i kemi rritur dhe i kemi të freskëta gjatë verës ose në dimër mund t’i kemi marrë dhe mund t’i kemi ruajtur në frigorifer, për t’u siguruar që marrim bishtaja po të vendit tonë; vaji i ullirit mos të harrojmë që është një element shumë i rëndësishëm dhe do të duhet të bëjë pjesë të përditshme në menynë tonë, si edhe konsumimi i frutave të thata siç janë bajamet dhe arrat.

Elementi tjetër që mbahet si një nga kurat, le të themi, antitumorale dhe jo vetëm, është bari i grurit, i filizave të grurit. Ne mund të marrim shumë mirë grurin, të cilin mund ta lagim me një pambuk me ujë, siç kemi bërë të gjithë në shkollë, duke parë sesi edhe del filizi nga fara e grurit dhe, le të themi, gjethja jeshile e parë që lëshohet të cilën mund ta pimë në formën e një lëngu. Është vënë re në vitet e fundit, në studimet që janë bërë, është një lëng shumë i fuqishëm dhe lufton qelizat tumorale.
 
Cilat janë disa produkte të tjera me veti të fuqishme antioksiduese ose gërryese sepse dihet që qelizat kanceroze janë një keqformim i zhvillimit të qelizave normale dhe shpeshherë dhe agresive.
Në fakt, përveç perimeve që ne përmendëm, do të duhet të kemi shumë kujdes te pjesa e sheqerit që unë thashë sepse qelizat tumorale kërkojnë një ushqim të menjëhershëm dhe sa më shumë sasi e drejtpërdrejtë e karbohidrateve është e lidhur të konsumojmë, aq më shumë nxit përshpejtimin e fillimit të tyre, ndaj edhe rekomandojmë që qoftë edhe nganjëherë sasia e tepruar e frutave sepse përmbajnë sasi sheqeri mund të stimulojë prodhimin e tepruar të qelizave tumorale.

Ne i ndamë frutat të cilat do të duhet të konsumohen, jo shumë të ëmbla, gjithmonë të merren me lëkurën e tyre në mënyrë që ne të përfitojmë nga antioksiduesit që përmban lëkura e tyre, ose te vetë tuli i tyre por së bashku me fibrat; perimet që përmendëm sidomos do të duhet të përmendim edhe këto me gjethe jeshile, që janë spinaqi, lëpjeta, pazia, të cilat përsëri kanë një sasi të lartë kripërash minerale, dhe që janë edhe të ndjeshme dhe do të duhet të konsumohen qoftë edhe në formën e lëngut, në mënyrë që të mos gatuhen dhe të humbasin një pjesë të vlerave ushqimore të tyre; zëvendësimi i sheqerit me mjaltin sepse mjalti ka një efekt që përthithet më gradualisht dhe përveç kësaj na ofron një sasi të konsiderueshme në vitamina dhe në kripëra minerale.

Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Report Tv në Gjadër, ja pamjet brenda qendrës së emigrantëve! Detajet si do funksionojë

Report Tv në Gjadër, ja pamjet brenda qendrës së emigrantëve! Detajet si do funksionojë