Të punësohesh si prokuror tashmë duhet të kalosh dy testime, një test me shkrim dhe një test me gojë në lidhje me njohurit që ke fituar nga shkollimi apo eksperienca si oficer i policisë gjyqësore.

Vendosja e testimit si një rregull shtesë konfirmohet për a1report nga zyra e shtypit pranë prokurorisë së përgjithshme, ku kryeprokurori Adriatik Llalla ka miratuar disa ndryshime në Këshillin e Prokurorëve mes tyre dhe pranimin e prokurorëve.

Këto dy testime të shtuara sqaron zyra e shtypit pritet të rrisin cilësinë e prurjeve të prokurorëve në sistem si dhe të përzgjedhin ata persona të cilët do të marrin rezultatin maksimal.

Deri në muajin nëntor rekrutimi i prokurorëve të rinj, funksiononte me plotësimin e dosjeve personale nga çdo kandidat e më pas këto dosje renditeshin në bazë të vjetërsisë e rekomandimeve.

A1Report ka mundur të mësojë se aktualisht janë mbi 30 oficer të policisë gjyqësore të cilët kanë aplikuar për të kaluar si Prokuror, ku me ndryshimet e reja këta aplikantë do duhet t’i nënshtrohen testimeve.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)