Vetëm pak javë na ndajnë nga nisja e provimeve të Maturës Shtetërore dhe emocionet tek nxënësit e klasave të 12-ta janë gjithnjë e më të dukshme. Këtë të premte, në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” u zhvillua simulimi i provimit të gjuhës shqipe dhe letërsisë.

“Kur i shikoja të gjithë nxënësit bashkë në rresht dhe kur vinte teza e provimit ishte shumë e frikshme. Unë e ndjej vetëm të përgatitur. Kam nevojë dhe pak për më shumë punë, por do japim forcë. Këto janë dy muaj që duhet t'i japim forcat.”, thotë Sara Muhaj, nxënëse.

“Unë natën e kalova me një mendje të lehtë. Tash, unë gjatë gjithë vitit kam qenë aktive, e kam dëgjuar mësimin, ndihem e sigurt te vetja. Kështu u ndjeva edhe në test.”, tregon një tjetër nxënëse, Lura Paheshti.

Përveç përgatitjes intensive në mësime, maturantët po ndjekin edhe konsultime për orientimin e karrierës.

“Unë dua mjekësi të përgjithshme ose stomatologji. Mjekësia ka nevojë, ne si shtet kemi nevojë shumë. Kështu që jam shumë dakord që të rri këtu dhe të vazhdoj", thotë Sara Muhaj.

“Unë synoj të vazhdoj për shkenca politike, për diplomaci. Po unë synoj të vazhdoj jashtë. Mendoj që do më sjellë më shumë mundësi dhe do më hapë më shumë horizonte për të ardhmen.", shprehet Lura Paheshti.

Në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” janë 329 maturantë që po përgatiten për provimet.

“Për momentin ne po organizojmë simulime të provimeve të maturës. Kjo në një farë mënyre i çliron ata nga emocione që do të kenë ndoshta në ditët e provimeve dhe njëkohësisht i vendos në një pozicion pune dhe angazhimi në mënyrë që ata të jenë të mirë përgatitur edhe nga ana akademike.”, u shpreh Elsa Sheqi, drejtoreshë e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”

Nga ana tjetër, zëvendësministrja e Arsimit, Orjana Osmani tha se mësuesit dhe stafi administrativ do të mbajnë më shumë përgjegjësi për mbarëvajtjen e procesit.

“Përgjegjësitë që duhet të ketë çdokush që merret me këtë proces duke filluar që nga përgjegjësi i administrimit, administratorët brenda shkollës. Pra kur themi përgjegjësit, janë ata që e organizojnë të gjithë procesin duke zbatuar me rigorozitet çdo rregull që gjendet në rregulloren e maturës shtetërore.”, thotë Orjana Osmani, zv/ministre e Arsimit.

Nxënësit që rezultojnë mbetës në disa lëndë përjashtohen nga provimet, ndërsa penalizime do të ketë edhe nëse kapen me celular gjatë kontrollit.

“Në momentin që nxënësit tentojnë të hyjnë në mjediset e provimit me celular ose çdo mjet teknologjik i cili nuk lejohet në ditën e provimit të maturës shtetërore, sigurisht i penalizon ata dhe i përjashton menjëherë nga provimi i maturës shtetërore.", thekson zv/ministrja.

Provimet e Maturës Shtetërore do të zhvillohen në muajin qershor, duke filluar me atë të gjuhës së huaj më datë 2, më 9 qershor gjuha shqipe, provimi i matematikës një javë më vonë më 16 qershor, për ta mbyllur më 23 qershor me provimin e lëndës me zgjedhje.