Hap pas hapi si e forcoi pozitën politike Ahmet Zogu, nga komandat i “luftëtarëve” të Matit në Ministër i brendshëm e kryeministër.
Në numrin e djeshëm Shqiptarja.com publikoi pjesën e dytë Kristo Frashëri: Si e manipuluanhistorinë biografët e Ahmet Zogut
4. FILLIMET E KARRIERËS POLITIKE TË AHMET ZOGUT
Fillimet e karrierës politike të A. Zogut nisin, sikurse u tha, në Kongresin e Lushnjës, i cili u mblodh më 21 janar 1920, ku ai mori pjesë si delegat i Matit. Sipas letërnjoftimit të tij zyrtar, në atë kohë ai ishte 25 vjeç. Edhe pse i ri, ai tashmë ishte një personalitet i përgatitur, ndonëse jo plotësisht, për të marrë pjesë në jetën politike të Shqipërisë. Ai kishte rënë në kontakt me personalitetet politikë shqiptarë më 1917 kur vajti si delegat shqiptar në Vjenë me rastin e kurorëzimit të perandorit Karli I. Në Vjenë në atë kohë ndodheshin midis të tjerëve edhe Faik Konica, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isuf Ndreu. Ai u paraqit në Vjenë jo vetëm si delegat i Matit, por edhe si një udhëheqës politik që kryesonte një forcë të armatosur prej disa mijëra matjanësh. Sipas praktikës që përdorte Vjena, për të financuar forcat e parregullta ushtarake të paktën në Shqipëri, qeveria austriake i lidhi Ahmet Zogut rrogën e një koloneli rezervë, të cilën e anulloi sapo ra në dijeni se ai kishte mashtruar për numrin e luftëtarëve që gjoja kishte në dispozicon.
Pasaktësitë e tepruara të lajkatarëve shqiptarë vazhdojnë edhe në historinë e kësaj periudhe. I tillë është për shembull, kontributi i jashtëzakonshëm që gjoja Ahmet Zogu ka dhënë, sipas tyre, për mbledhjen e Kongresit të Lushnjës. Dihet mirë se nismën për mbledhjen e Kongresit të Lushnjës e morën personalitetet më të spikatura të lëvizjes kombëtare të atyre viteve, siç ishin Aqif Biçaku, Abdi Toptani, Abdyl Ypi, Sotir Peci, të cilët mbanin lidhje me anëtarët e delegacionit diplomatik shqiptar që ndiqte punimet e Konferencës së Paqes në Paris. Nuk duhet harruar se në atë kohë viset shqiptare, me përjashtim të Shkodrës e të Korçës, të cilat ndodheshin nën autoritetin ushtarak ndërkombëtar dhe frëng, ishin nën okupacionin ushtarak italian.
Dihet gjithashtu se disa ministra të Qeverisë së Durrësit, kishin kapitulluar para autoriteteve politike dhe ushtarake të Romës duke pranuar aneksimin italian të Vlorës dhe njohjen e Shqipërisë nën mandatin e Italisë. Sipas kapitullit përkatës të veprës së Hysen Selmanit, del sikur mbledhja e Kongresit të Lushnjës ishte fund e krye vepër e Ahmet Zogut, sikur djaloshi matjan 25-vjeçar i kishte bërë për vete në favor të Kongresit të Lushnjës të gjithë komandantët e reparteve të xhandarmërisë së qeverisë së Durrësit dhe gjithë nëpunësit e administratës së saj që ajo kishte në vise të ndryshme të Shqipërisë. Këto pretendime nuk janë të vërteta.
Para së gjithash, më 1920 Ahmet Zogu ende nuk ishte një personalitet me peshë në arenën politike shqiptare. Ai u ftua të merrte pjesë në Kongresin e Lushnjës si delegat i Matit dhe asgjë më tepër. Veçse ndryshe nga delegatët e tjerë, të cilët shkuan atje me bastun në dorë dhe me një revolver në brez, ose të shoqëruar me 2-3 trima të armatosur – Ahmet Beu, siç thirrej në atë kohë, mori me vete nga Mati kur u nis për në Lushnjë, siç pohon dhe vetë, 300 luftëtarë matjanë e dibranë të armatosur. 200 prej tyre i la në Tiranë dhe në Fushë-Krujë, kurse 100 luftëtarë i mori me vete në Lushnjë. Ky aksion që thonë se ishte i llogaritur, qe fatlum për të. Autoritetet italiane të pushtimit me përkrahjen e disa autoriteteve të Qeverisë së Durrësit, bënë çmos për ta penguar Kongresin e Lushnjës.
Me qëllim që të krijonin një klimë terrori ndaj pjesëmarrësve të ngjarjes historike, ata nëpërmjet agjentëve shqiptarë të Mustafa Krujës, vranë një nga organizatorët e Kongresit, Abdyl Ypin, në kohën kur ai u nis nga Durrësi për në Lushnjë. Nga ana tjetër, komanda italiane e okupacionit ushtarak në Vlorë vendosi të ndalonte mbledhjen e kongresit, mbasi ishte e sigurtë se vendimet e tij do të ishin për pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë, në dëm të synimeve të saj - aneksimin e krahinës së Vlorës dhe protektoratin e saj mbi Shqipërinë. Këtë njoftim e kemi nga Myfit Libohova, në atë kohë agjent i qeverisë italiane dhe dorë e fortë e Qeverisë së Durrësit. Komanda italiane barrën për të penguar mbledhjen e Kongresit të Lushnjës, për të mos dalë vetë në shesh, ia ngarkoi pikërisht këtij renegati shqiptar, Myfit Bej Libohovës.
Kur milicia “shqiptare” prej rreth 150-200 vetësh ishte në shërbim të Italisë marshoi për në Lushnjë, kongresistët tepër të shqetësuar menduan të largoheshin për ta mbledhur kongresin në një vend tjetër, pasi xhandarmëria lokale ishte e pakët prej 15-20 vetësh. Në çastin më kritik Ahmet Zogu mori përsipër ta mbronte Lushnjën me “vullnetarët” e vet dhe deklaroi se po ta lejonin ishte gati ta trefishonte, mbase dhe më tepër forcën mbrojtëse me “vullnetarët” që kishte lënë në Tiranë dhe në Fushë-Krujë. Më në fund, kur milicia priste në fshatin Kozarë pranë Lushnjës përgjigjen e ultimatumit drejtuar kongresistëve që të shpërndaheshin – Myfit Libohova mori vesh se në Lushnjë po organizohej rezistenca e armatosur. Forcat e milicisë të Myfit Beut, të cilëve u ishte premtuar se Lushnja do të merrej pa derdhur gjak, refuzuan të vazhdonin marshimin, mbasi nuk donin që të ndesheshin me armë me vëllezërit e tyre.
Siç dihet, milicia u kthye në Vlorë. Kongresi i vazhdoi punimet, mori vendimet e veta historike: deklaroi se do të kundërshtonte me çdo mjet zbatimin e Traktatit të Londrës dhe se do të mbronte pavarësinë e plotë të Shqipërisë së bashku me integritetin e saj tokësor. Veç kësaj, ngarkoi Sulejman Delvinën të formonte qeverinë kombëtare. Në listën e anëtarëve të qeverisë vështirësia më e madhe u paraqit kur u bisedua për emrin e ministrit të Punëve të Brendshme. Asnjë nga emrat e propozuar nuk e merrte përsipër detyrën kryesore dhe të ngutshme të qeverisë: të mëkëmbte dhe të vendoste brenda një kohe sa më të shkurtër administratën shtetërore dhe rendin publik. Vështirësia vinte ngase pjesa më e madhe e vendit ndodhej nën kontrollin e ushtrive italiane, kurse qeveria shqiptare e formuar në Lushnjë nuk kishte as forca të armatosura, as mjete financiare për organizimin e tyre, ashtu siç e kërkonin rrethanat.
Në këto çaste dramatike u shqyrtua propozimi se Ahmet Zogu po të emërohej ministër i Brendshëm kishte mundësi ta krijonte xhandarmërinë shqiptare brenda pak ditëve, me kusht që ta lejonin të rekrutonte si xhandarë vullnetarët e tij. Kështu ai u emërua ministër i Brendshëm në qeverinë shqiptare që doli nga Kongresi i Lushnjës më 9 shkurt 1920, kurse dy ditë më vonë autoritetet e larta shtetërore u vendosën në Tiranë. Në mungesë të uniformave për xhandarmërinë, Ahmet Zogu me autorizimin e qeverisë u vuri “vullnetarëve” matjanë dhe dibranë nga një shirit të kuq në krahun e majtë dhe i ktheu në xhandarë të shtetit. Kështu, ai krijoi, si të thuash, brenda një nate një xhandarmëri shtetërore me lidhje personale, e cila u bë pikënisje e forcimit të autoritetit të tij pushtetor.
Si ministër i Brendshëm ai i shtoi rradhët e xhandarmërisë me anë të miqve të vet me xhandarë nga viset e tjera të Shqipërisë, të lidhur gjithashtu me emrin e tij. Krijimi i xhandarmërisë i shërbeu Ahmet Zogut si pikëmbështetje organizative, madje mund të thuhet edhe si një parti politike. Kapitalin politik Ahmet Zogut ia rritën sukseset që ai pati në realizimin e programit kryesor të Kongresit të Lushnjës – organizimi brenda disa javëve i administratës shtetërore pothuajse në mbarë vendin dhe vendosjen në të njëjtën kohë e rendit publik. Në fund të majit kur përfundoi largimi i ushtrive ndërkombëtare nga Shkodra dhe i ushtrive frënge nga Korça, administrata qeveritare duke përfshirë dhe repartet e xhandarmërisë, u vendosën brenda pak ditëve në mbarë Shqipërinë (me përjashtim të disa fshatrave të Dibrës dhe të Devollit të pushtuara nga ushtritë serbe dhe greke).
Këtë sukses që pati qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës, lajkatarët ia atribuojnë aftësive personale të mbretit Zog. Ky është pa dyshim një vlerësim i tepruar. Qeveria e Sulejman Delvinës e realizoi programin që shpalli Kongresi i Lushnjës para së gjithash në sajë të patriotizmit të popullsisë shqiptare. Këtë e dëshmon të paktën Lufta Çlirimtare e Vlorës në qershorin e vitit 1920, e cila i deboi ushtritë italiane nga territori i atdheut pa pjesëmarrjen e forcave të armatosura qeveritare, as të reparteve të xhandarmërisë së Ahmet Zogut.
Vepër e qeverisë është pa dyshim ndjekja që ndërmorën forcat e xhandarmërisë shqiptare për të shfarosur bandat e keqbërësve, me të cilat ishte mbushur vendi. A. Zogu nënshtroi në emër të qeverisë shqiptare gjithashtu krerët derebej që nuk pranuan t’i bindeshin autoritetit qeveritar. Në sajë të këtyre sukseseve ai e mbajti postin e rëndësishëm qeveritar. Ai vazhdoi të ishte edhe më tej ministër i Brendshëm deri në vitin 1924 me ndërprerje disamujore. Madje, edhe kur më 2 dhjetor 1922 u bë kryeministër, ai e mbajti në të njëjtën kohë portofolin e ministrit të Brendshëm deri në pragun e Revolucionit të Qershorit, kur dha dorëheqjen si kryeministër (30 mars 1924).
Gjatë këtyre viteve me lidhjet që krijoi me krerët e institucioneve administrative të rretheve të emëruara prej tij ai vuri nën kontroll pothuajse mbarë vendin. Këto lidhje së bashku me xhandarmërinë pothuajse personale ngjallën shumë shpejt dyshime në qarqet demokratike, të cilat e akuzuan Ahmet Zogun se synonte të vendoste pushtetin personal. Por, Ahmet Beu nuk u tërhoq. Si përgjigje ai vazhdoi t’i kushtonte kujdes të veçantë, në emër të programit të qeverisë, vendosjes së rendit publik, për të cilin kishte nevojë vendi. Për vendosjen e rendit Ahmet Zogu përdori çdo mjet për të “shfarosur” bandat e shumta të keqbërësve. Vendosja e rendit mezi pritej nga opinioni publik mbasi kishte lidhje me qetësinë, lëvizjen e lirë, respektimin e pronës, garancinë e pasurisë dhe të jetës.
Duke shfrytëzuar këtë aspiratë dhe në të njëjtën kohë, duke përfituar nga fakti se në atë kohë nuk kishte organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, repartet e xhandarmërisë për të vendosur rendin nuk kursyen asnjë mjet, as kërbaçin, as arrestimet, as djegiet e shtëpive. Gjatë operacioneve, keqbërësit u ndoqën deri në skutat më të thella të maleve. Kush kishte kryer krime dhe kapej, varej në sheshet publike ditën e pazarit fshatar. Edhe ai që nuk kishte kryer krime, kur kapej dhe nuk pranonte të denonconte shokët e vet, rrihej barbarisht në sy të popullsisë. Në këto aksione, të cilat u kryen në emër të vendosjes së autoritetit ligjor të shtetit, Ahmet Zogu nuk kurseu as bandat e organizuara nga Esat pashë Toptani, kushëriri i nënës së tij, duke i dhënë fund përshpëritjeve se i lejonte fshehurazi veprimet e tyre.
Njëkohësisht u ndërmor edhe fushata e çarmatimit, gjatë të cilës u përdor publikisht kërbaçi. Ai u tregua tepër energjik edhe në shtypjen e revoltave të armatosura që ndodhën gjatë kësaj periudhe katërvjeçare. Përshtypje të madhe la guximi me të cilin ai nënshtroi në vitin 1921 lëvizjen e armatosur të kapedanit mirditor Marka Gjonit, i cili në marrëveshje me Beogradin shpalli Mirditën Republikë autonome. Po ashtu, përshtypje të thellë la edhe vendosmëria me të cilën u ballafaqua me kryengritësin Elez Isufi, i cili në mars 1922, hyri me forcat e tij kryengritëse brenda në Tiranë. Gjatë këtyre operacioneve ushtarake Zogu ndërmori edhe disa manovrime politike.
Midis dy partive parlamentare që u krijuan në Shqipëri në vitin 1921, Ahmet Zogu në fillim u rreshtua në “Partinë Popullore” krahas figurave më të shquara të Parlamentit - F. Noli, L. Gurakuqi, S. Vinjahu, A. Këlcyra, B. Peja, H. Prishtina, R. Mitrovica, etj. - dhe jo në “Partinë Përparimtare” ku strehoheshin forcat konservatore dhe bejlerët e vendit Toptanë, Vrionë, Libohova me në krye Shefqet Vërlacin. Duke parë se në “Partinë Popullore” nuk kishte hapësirë për të bërë karrierë, ai i braktisi shokët e vet dhe kaloi në “Partinë Përparimtare”. Me këto lëvizje politike, nuk munguan as lidhjet familjare. Kur ishte në “Partinë Popullore” lidhi miqësi me kryetarin e saj B. Pejën, duke u bërë kumbar i djalit të tij Gencit, kurse tani u fejua me vajzën e Shefqet Vërlacit, kryetarin e “Partisë Përparimtare”, të cilën e ndau kur u bë kryetar i Republikës.
Sukseset që korri në politikën e brendshme patën reflekse edhe në politikën e jashtme. Siç dihet, pas Luftës së Parë Botërore, në konstelacionin politik evropian mbisundonin tre fuqitë e Antantës – Anglia, Franca, Italia, kurse fuqia e katërt, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishin rrudhur në politikën e mospërzierjes në problemet evropiane. Londra, Parisi dhe Roma, të interesuara për vendosjen e stabilitetit politik brenda në Shqipëri, filluan ta shihnin me simpati dorën e hekurt të Ahmet Zogut edhe për faktin se ai nuk i sillte pengesë depërtimit të kapitaleve të tyre në ekonominë shqiptare. Madje Zogu nuk e fshihte gadishmërinë e tij për të dëgjuar këshillat e disa funksionarëve britanikë, të cilët i mbante afër si këshilltarë.
Njëri prej tyre ishte Morthon Eden, një agjent britanik i Inteligenc Service, i cili sikurse thuhej, qëndronte prapa Zogut para, gjatë dhe pas Kongresit të Lushnjës. Me largimin e tij erdhi në Tiranë diplomati anglez H.C.A. Eyres, i cili në kryengritjen e armatosur të kryesuar nga Elez Isufi dhe Bajram Curri në mars 1922 doli haptaz në mbrojtje të qeverisë së A. Zogut. Madje, pas ngjarjeve të marsit, Zogu zgjodhi si këshilltar të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dikasteri më i rëndësishëm i qeverisë shqiptare, kolonelin anglez F. Stirling, e zuri ish-guvernator britanik i Jafës në Palestinë. Edhe më vonë pasi Zogu u shpall President i Republikës, vendin e kolonelit A. F. Stirling e zuri më 29 shtator 1926 gjenerali anglez në pension J. Persi, i cili i ndihmuar nga dhjetë oficerë të tjerë britanikë, mori përsipër organizimin e xhandarmërisë shqiptare, armën më të rëndësishme të pushtetit zogist.
Përkundrazi, veprimet e Zogut, të cilat gjithnjë e më tepër nxirrnin në shesh ambiciet për vendosjen e një diktature personale, ngjallën shqetësime në qarqet politike demokratike. Figurat kryesore të arenës politike shqiptare, që kishin shpalosur flamurin e demokracisë, i shtuan kritikat kundër Zogut. Madje, ata kaluan deri në personalizimin me emrin e tij të forcave politike që përkrahnin qeverinë e Tiranës. Në këtë mënyrë, nëpërmjet kritikave të personalizuara me emrin e A. Zogut, vetë rreshtimi opozitar kontriboi në ngritjen e personalitetit të tij në jetën politike shqiptare. Zogu haptazi tregohej indiferent përpara këtyre sulmeve.
Ajo që i revoltonte kundërshtarët e Zogut, ishte heshtja e tij. Jo vetëm si ministër i Brendshëm, por edhe si kryeministër, fliste shumë pak si brenda ashtu dhe jashtë Parlamentit. Kritikave, madje edhe sulmeve, herë nuk u përgjigjej, herë u jepte përgjigje të shkurtra. Nganjëherë nxiste miqtë e vet t’u jepnin përgjigje sulmeve të opozitarëve. Madje, nuk ngurroi të “pranonte” një vjershë të hartuar nga Kristo Floqi si një himn panegjirik, kushtuar Ahmet Zogut, në të cilin ngrihej në qiell fitorja që ai korri në shtypjen e kryengritjes së Elez Isufit dhe Bajram Currit në mars 1922. Në këtë himn “panegjirik”, i cili në kohën e monarkisë u bë himni i mbretit Zog, në njërën nga katër tubzat thuhej:
Si kreshnik luftëtar majë kalit,
Si dragua, panther, a luan,
Si petrit, a sokoli i malit,
Si rrebesh, si stuhi, si tufan.
Kurrë nuk tregohej i zemëruar, por shtirej gjakftohtë. Megjithë interpelancat e herëpashershme në Parlament, Zogu nuk jepte llogari për veprimtarinë e qeverisë. Dinte të tregonte indiferentizëm edhe gjatë ligjëratave të stolisura me perla letrare të Fan Nolit, sentencave juridike të Stavro Vinjahut dhe argumenteve ekonomike të Luigj Gurakuqit. Kur Beqir Valteri i bëri atentat në hyrjen e Palamentit dhe ai u plagos lehtë në dorë, pasi vuri shaminë mbi plagë, kërkoi që Parlamenti të fillonte punimet. Ai heshti kur një nga deputetët përcolli në Parlament vlerësimin që kishte dhënë drejtori administrativ i shkollës amerikane teknike të “Harry Fulzit”, Hollin Kshead, për vjershën e përmendur të Kristo Floqit, kushtuar Ahmet Zogut, të mbushur me emra kafshësh se “nuk ngjante si një himn panegjirik, por më tepër si përshkrim i një kopshti zoologjik”.
Gjakftohtësia dhe heshtja në jo pak raste qenë në dëm të personalitetit të tij. Duke mos u dhënë përgjigje akuzave që bëheshin për abuzime në kurriz të buxhetit shtetëror, shumëkush krijoi bindjen se ato ishin të vërteta, sipas parimit, heshtja është gjysmë miratim. Po ashtu edhe emërimet klienteliste të favoritëve në poste të rëndësishme shtetërore peshuan në dëm të tij. Përpjekjet për të vënë nën kontroll komandën e ushtrisë, ashtu siç kishte lidhur pas vetes armën e xhandarmërisë, e diskritituan emrin e tij në qarqet ushtarake. Orvatjet për të fashitur kërkesat për një reformë agrare, qoftë edhe në çifligjet e shtetit, i dhanë atij damkën e mbrojtësit të sistemit mesjetar çifligar. Me një fjalë, hendeku midis qeverisë dhe opozitës erdhi duke u thelluar. Qeveria hyri në krizë.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.07.2013
Po nga Kristo Frasheri mund te lexoni dhe
EKSKLUZIVE/ Fischer: Pse dështoi Zogu për Shqipërinë perëndimore
EKSKLUZIVE Konica: E kam njohur Zogun, kurrë s'tha të vërtetën
Eqerem Vlora, një nga kritikët më të mëdhenj të Ahmet Zogut
Gabimi i rëndë i Ahmet Zogut: Nuk mbajti qeveri në mërgim
DOKUMENTI SURPRIZË/ Letra e Duçes: Hasan Prishtina njeriu ynë
Ja pse e dhuroi Ahmet Zogu Shën Naumin dhe Vermoshin
Si ndikoi marrëveshja e Zogut me Pashiçin tek kufijtë e Shqipërisë
Kristo Frashëri: Si e manipuluan historinë biografët e Ahmet Zogut
EKSKLUZIVE/Kristo Frashëri: Ju rrëfej Ahmet Zogun e vërtetë
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)