Si u dorëzuan para policisë së
Zogut komunistët e Shkodrës

Si u dorëzuan para policisë së<br />Zogut komunistët e Shkodrës
Goditja e grupit të Shkodrës dhe gjyqi i 1939.
Nga fundi i 1938 policija e Zogut arestoi në Bilisht Petro Dumen, Ilo Kerenxha dhe Mihal Trojanin që të tre elementa të grupit të Shkodrës. Këtyre u gjeti edhe një numur egzemplarësh të buletinit jeshil. Mbas arestimit të këtyre, policija arestoi edhe një numur tjetër elemetash nga të grupit të Shkodrës midis të cilëve Niko Xoxi, Vasil Shanto, Qemal Stafa, Kristo Themelko, Tuk Jakova, Zef Mala dhe Gjovalin Luka si edhe nga të grupit të Korçës midis të cilëve Sotir Vullkanin, Stefo Grabockën, Vojo Kushin, Faik Mirakun, Sadik Shtrëmbecin, Mihal Lakon e tjerë; ky i fundit u nxuar para gjyqit, por për mungesë faktesh u lirua. Numuri i të arrestuarëve arrinin në 73.
Arrestimi i shokëve të grupit të Korçës u bë mbas deponimeve të elementeve të grupit të Shkodrës.
Gjat zhvillimit të hetimevet nga ana e të arrestuarvet kemi dy qëndrime: elementat e grupit të Korçës mbajtën një qëndrim të prerë karshi hetusis zogiste, duke mos pranuar asnjë nga akuzat që u atribuan.

Si përfundim autoritetet zogiste për mungesë provash u detyruan të lëshojnë një pjesë të tyre ndërsa një pjesë tjetër e dënuan, duke u mbështetur në deponimet e disa udhëheqësve të grupit të Shkodrës. Përkundrazi udhëheqësit kryesorë të grupit të Shkodrës Niko Xoxe dhe Zef Mala kanë filluar të tradhëtojnë që në presionet e para. Aq të gjera dhe të hollësishme ishin deponimet e Niko Xoxit mbi ç’ka ay dinte rreth aktivitetit të grupit të Shkodrës dhe të grupeve të tjera sa që vetë prokurori i atëhershëm u detyrua t’a karakterizoi Niko Xoxen si një thes miell që sa her e shkunt lëshon miell. Niko Xoxi e Zef Mala në ballafaqimet me bashkëpunëtorët e tjerë të grupit i nxisnin që edhe këta të deponojnë. Të njëjtin qëndrim mbajtën edhe Petro Duma, Mihal Trajani dhe Gjovalin Luka. Shokët e tjerë nën presionin e këtyre deponimeve të kryetarëve të tyre u detyruan që të pranojnë aktivitetin revolucionar vetëm përsa deklaronin të parët dhe jo lidhje të tjera.

Kryetarët e grupit të Shkodrës duke parë se në qëndrimin e dobët të tyre po humbin autoritetin e tyre karshi anëtarëve të tjerë dhe me qëllim që të rifitojnë pozitat që po humbin dhe të justifikojnë tradhëtinë e tyre çpikën teorinë se komunisti përpara armikut dhe bile me fakte që provojnë fajsinë e tij mund të kallzojë, me qëllim që të shpëtojë një pjesë të shokëve të tij. Me gjith këtë teori shokët e tjerë të grupit kanë filluar të humbasin besimin e tyre ndaj Niko Xoxes dhe Zef Malës.

Para se të arrestuarit e grupit të Shkodrës të dalin përpara gjyqit, në burg me elementat kryesorë u bë një mbledhje me qëndrimin që duhet mbajtur. Atje u bemdos që Niko Xoxi, Zef Mala, Vasil Shanto dhe Qemal Stafa të pranojnë haptazi përpara gjyqit se janë komunista, të mbrojnë ideollogjinë komuniste dhe të demaskojnë rregjimin antipopullor të Zogut dhe drejtësinë e tij fashiste. Për elementat e tjerë që nuk ishin aq të kompromentuar të mos pranojnë se janë komunista, por njerës të pa kjartë, kështu që të mos rëndohen me dënime të mëdhaja. Por me gjith këtë vendim, Niko Xoxe dhe Zef Mala edhe përpara gjyqit u treguan të dobët dhe mizerabël dhe vetëm Qemal Stafa dhe Vasil Shanto mbrojtën me heroizëm ideollogjinë e tyre komuniste dhe goditën regjimin shtypës të Zogut.
Me arrestimin e elementeve kryesore, grupi i Shkodrës kufizoi aktivitetin e tij deri në kohën e riorganizimit mbas okupacionit italian.

Vija politike e grupit të Shkodrës
Përsa i përket vijës së tij politike as kryetari i grupit as edhe anëtarët e thjeshtë të tij nuk ishin të kjartë. Në përgjithësi ata urrenin regjimin e Zogut, imperializmin dhe fashizmin kishin simpathi të madhe për B.S. dhe komunizmin, përse ç’duhej të bënin dhe se si duhet t’a organizonin luftën nuk ishin të kjartë. Në radhët e grupit aq tepër mungonte njisin e mendimit, disiplina dhe qetësia në pikpamjet e tyre sa që në të njëjtën kohë që grupi kishte si udhëheqje të tij teorinë e kuadrove, elementa të tjerë kryesore të grupit si Vasil Shanto, Kristo Themelko e tjerë me inisiativën e tyre organizonin në Tiranë sindikatat e tipografëve, marangozëve e tjera.

Grupi i Shkodrës ka patur pikpamje të shtrembëra në lidhje me klasifikimin e shtresave të vendit tonë dhe pranonte se në Shqipëri nuk kishte as borgjezi as proletariat dhe se zanatçinjtë ishin pjesa më revolucionare. Këtu kishin burimin dhe pikpamjet e tyre mbi partinë dhe punën komuniste. Duke u nisur nga pikpamja e gabuar se në Shqipëri nuk ka klasa, grupi ka përfunduar në mohimin e luftës së klasës të mundësis së një lëvizje komuniste masash dhe si rjedhim në mohimin e revolucionit. Këndej ka rjedhur teorija për të pregatitur kuadrot dhe për të mos i rezikuar këto kuadro deri sa të krijohen konditat për një lëvizje revolucionare masash dhe për krijimin e një partie. Prej këtej ka rjedhur edhe pikpamja tjetër e gabuar që okupacioni italian do të kishte edhe anët e tij pozitive, mbasi do të krijonte proletariatin dhe do të forcohesh lëvizja komuniste në Shqipëri në kontakte me Partinë Komuniste Italiane. Kjo vijë politike e pengoi grupin që të zhvilloi një aktivitet të gjerë revolucionar në radhët e masave.

Gjithashtu ndër elementet e grupit të Shkodrës egzistonin edhe pikpamje të gabuara në lidhje me luftën e dytë botërore të cilën e karakterizonin si një luftë midis dy palëve imperialiste në të cilën ne nuk duhet të ngatëroheshim. Të gjitha këto pikpamje nuk i lejuan grupit të Shkodrës që të kuptoi drejt direktivat e Kominternit dhe të mobilizohet për plotësimin e tyre.
 
Vija organizative e grupit
Format organizative të grupit të Shkodrës ishin shumë të dobëta dhe simbas rastit ishin forma treshe, pesëshe dhe lidhje individuale, duke u lidhur këto direkt me përgjegjësin kryesor ose varg njëri me tjetrin. Në grup nuk egzistonte njisi veprimi dhe mendimi nuk kishte një jetë të mbrendëshme të shëndoshë, egzistonte një konspiracion i kalbur dhe një disiplinë formale në lidhje me pranimet në parti. Grupi me gjithse zyrtarisht nuk ishte kundra punëtorëve, por duke mohuar luftën e klasës dhe duke u udhëhequr nga teorija e kuadrovet, anonte më tepër nga elementi i pregatitur intelektual që me pak përjashtime të gjithë ishin të shtresës mikroborgjeze dhe në radhë të dytë nga zanatçinj të cilët i konsideronin si forcën më revolucionare. Prandaj edhe në kompozicionin e grupit sundonte më tepër elementi intelektual dhe baza punëtore e grupit ka mbetur gjithmonë e kufizuar.

Grupi i Shkodrës ka patur gjithashtu edhe një seri pikpamjesh të tjera të gabuara siç ishin ato për vjedhjet dhe për familjen të cilat janë marë hua nga grupi i të Rinjve.
Qëndrimi dhe aktiviteti i grupit gjat vitit 1939. Me goditjet që pësoi grupi nga ana e qeverisë zogiste për një kohë deri mbas okupacionit të Shqipërisë kur u liruan nga burgu udhëheqësit e tij kryesorë, ka kufizuar aktivitetin e tij. Me rastin e okupacionit më 1939 nga ana e masës së grupit kishin një aktivitet të mirë patriotik kundra okupatorit që u shpreh në demonstratat e prillit në Shkodër. Por grupi nuk mundi të bëjë asgjë më tepër dhe as që ndërmori ndonjë përpjekje që të organizoi luftën e armatosur kundra okupatorit. Në këtë mes grupin e rëndonin edhe pikpamjet e tij të gabuara në lidhje me okupacionin italian.

Marrëveshje midis grupevet
Siç u theksua edhe në raportin mbi grupin e Korçës, në prandverën e 1940 midis grupeve të Korçës dhe të Shkodrës u lidh një marrëveshje bashkëpunimi, por e cila për vetë bazat e dobëta në të cilat u mbështet u prish mbas dy tre muajsh. Ajo që dolli nga kjo marrëveshje për grupin e Shkodrës ishte bashkëpunimi që ay lidhi me grupin e të Rinjve, i cili në atë kohë u paraqit si një grup më vehte dhe që mbajti deri në fund. Nga fillimi i vitit 1940 grupi i Shkodrës në bashkëpunim në grupin e të Rinjve, ju drejtua një farë Bashko Strugari në Ulqin, kuadro e P.K.Jugosllave me të cilin ka qenë njohur Qemali qysh më përpara. Këtij grupi i shpjegonte gjendjen në Shqipëri dhe i kërkonte ndihmë. Në përgjigje ay i udhëzonte elementat e grupit të Shkodrës që komunistë e Shqipërisë duhet të zgjerojnë luftën e tyre kundra okupatorit, duke bashkëpunuar me të gjithë patriotët e ndershëm me një front të vetëm dhe të forcohen organizativisht duke ecur drejt formimit të një partie, e cila do të udhëhiqte luftën kundra okupatorëve dhe tradhëtarëve.

Përgjigja e Bashko Strugarit u kundërshtua reptësisht nga ana e Anastas Lulos, e cili e karakterizoj Bashkon si një element idealist dhe që nuk është në korent të situatës në Shqipëri. Në këtë frymë nga ana e Anastasit dhe të Vasil Shantos ju kthye përgjigja Bashkos duke i treguar dhe se si pikpamjet e tij nuk mund të zbatoheshin në Shqipëri. Bashkua në letrën e dytë kritikoi elementat e grupit të Shkodrës dhe të Rinjve si elementa idealistë, jo në pikpamje të shëndosha dhe u theksoi se është e vërtetë që për atëhere në Shqipëri nuk kishte një lëvizje revolucionare dhe një P. Komuniste, por ishin komunistat e Shqipërisë ata që do të bënin të gjitha këto gjëra dhe se mundësitë egzistonin.
Më von grupi i Shkodrës me anë të Fadil Hoxhës krijoi lidhje me Kosmetin duke kërkuar ndihmë të organizatës atje. Organizata e Kosmetit i dërgoi në Shqipëri Dushanin nga fillimi i vitit 1941.

Dushani me të ardhur në Shqipëri mori kontakt me grupin e Shkodrës dhe grupin e të Rinjve si edhe me elementa të tjerë të shkëputur. Njëkohësisht ky kërkoi që të vijë në lidhje edhe me grupin e Korçës, por udhëheqësit e grupit të Korçës nuk e pranuan mbasi ay s’kishte asnjë dokument. Kjo e dëshpëroi Dushanin i cili filloi edhe ky të bjerë në pozitat e grupit të Shkodrës e të Rinjve. Në fund, mbasi nuk mundij të bëjë asgjë tjetër, provokoi një mbledhje me të dy grupet dhe formoi një udhëheqje të përbashkët me këta shokë: Qemal Stafën, Vasil Shanton, Anastas Lulën, Sadik Premten dhe Kristo Themelkon. Njëkohësisht u hodh edhe ideja që pranë kësaj udhëheqje të formohej një komitet ushtarak me në krye Pal Terovën, i cili nuk u organizua.

Zhvillimi i situatës në vitin 1941 e detyroi grupin e Shkodrës të mendoi dhe ay seriozisht për formimin e një partie. Nga ana subjektive largimi i Niko Xoxit dhe i Zef Malës i dhanë mundësit masës së shëndoshë të grupit që të futet në rrugën e vërtetë revolucionare. Në konferencën e I-rë grupi i Shkodrës u shkri i gjithë pa rezerva në parti, me përjashtim të Zef Malës dhe të Niko Xoxit.

faksimile dosier
 

Redaksia online
a.n shqiptarja.com
 
 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Armando Broja luan 70 minuta me Everton, futet në fushë dhe bën protagonistin

VIDEO/ Armando Broja luan 70 minuta me Everton, futet në fushë dhe bën protagonistin