Kapja e 1 milion eurove në pikën kufitare të Merdarës, në furgonin që drejtohej nga efektivi i Komisariatit nr. 5 në Tiranë, Aurel Kaziu, po cilësohet në Kosovë si një nga goditjet më të forta ndaj parave të paligjshme në vetëm një muaj pasi Shtetet e Bashkuara i dhuruan Kosovës një skaner 3 milionë dollarësh të një teknologjie të lartë për sigurinë e kufijve. Konfirmimi vjen nga drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu.

Mediat kosovare citojnë postimin e tij në LinkedIn, ku thotë se dërgesa me para u kap falë investimit në skanerët me rreze X dhe bashkëpunimit mes Doganës dhe Policisë Kufitare në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit.

"Rreth 1 milion euro të padeklaruara janë zbuluar në PKK Merdare – një ndër goditjet më të rëndësishme ndaj lëvizjeve të paligjshme financiare. Rezultat direkt i përkushtimit të stafit tonë si dhe i investimit strategjik në skanerët X-Ray, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe i bashkëpunimit efektiv në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit në mes Doganës dhe Policisë Kufitare. Me urdhër të Prokurorisë Speciale, tre shtetas të huaj janë arrestuar për të mundësuar hetime të mëtejme. Përkushtimi dhe profesionalizmi i zyrtarëve tanë është për çdo lëvdatë dhe shtrihet mbi synimin tanë për kufij të sigurt", shkruan ai. 

Rasti i ka kushtuar lirinë dhe detyrën 28-vjeçarit Aurel Kaziu, i cili është pezulluar dhe është nën hetim. Ai dyshohet se ka përdorur statusin e policit për përfitime personale ose për të tjerët, duke dëmtuar imazhin e Policisë së Shtetit, edhe pse ishte jashtë shërbimit. Krahas tij, në pranga kanë përfunduar edhe dy personat që shoqëronin ngarkesën me para tw identifikuar si Ardit Laska dhe Etnik Ahmaxhokaj,

Sipas të dhënave, Kaziu ishte nisur drejt Kosovës sapo kishte mbyllur shërbimin e natës. Ai kishte dy ditë pushim dhe nuk kishte njoftuar eprorët për daljen jashtë vendit. Prej rreth tre vitesh ishte pjesë e policisë, ndërsa më herët është marrë me transport mallrash drejt vendeve të Evropës dhe Britanisë së Madhe, si edhe në kthim për emigrantët shqiptarë.

Autoritetet nuk dinë se kujt mund t'i përkasë shuma e sekuestruar por dyshojnë që ajo është produkt i aktiviteteve kriminale. Paratë e mbështjella me qese plastike ishin fshehur në një hapësirë të krijuar posaçërisht në dyshemenë e furgonit. Paratë dyshohet se kishin si destinacion Tiranën. 

Një muaj më parë  SHBA-të i dhuruan Kosovës një skaner të prodhuar në Amerikë me vlerë prej 3 milionë dollarësh me qëllim forcimin e sigurisë kufitare.

Dhurimi erdhi pas shqetësimit të Ambasadës Amerikane në Kosovë mbi trafikun e paligjshëm

“Kjo teknologji rrit kapacitetet e zbulimit, mbështet tregtinë e ligjshme dhe avancon interesat e përbashkëta të sigurisë dhe zhvillimit ekonomik”, thuhej në njoftimin e Ambasadës Amerikane.

Siç raportojnë mediat kosovare, skanerët amerikanë si ai që i është dhuruar Kosovës mund të zbulojnë armë dhe mjete shpërthyese, drogë dhe kontrabandë, mallra të falsifikuara ose të padeklaruara, si dhe objekte të fshehura në automjete, kontejnerë apo bagazhe.

Shumica e skanerëve përdorin teknologji me rreze X (përfshirë rreze X me energji të lartë për ngarkesa të mëdha) dhe softuer të avancuar analizues, i cili identifikon forma, dendësi dhe materiale.

U.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 25 Shkurt, 09:49

    Kush e ka fajin për shembjen e rrugës Librazhd-Prrenjas?