Si u katandis kështu kjo PD

PD-ja si klubi i të pakënaqurve të PS-së

Shyqyr që erdhe Sali… Ku je o Sali,

U bënë dy javë që mungon e nuk shtyhet.. rutinë e monotoni, nuk shan më njeri, nuk zihet kush, edhe ata që bëjnë të flaktin kur je ti këtu, në variantin më të mirë flinin gjumë në karrige këto dy jave,e  në variantin më të keq i kishe tek kafja me kryeministrin e ministrat duke kërkuar favore e duke mbaruar punët e veta.

Mjaftuan dy javë pa ardhur dhe e fute në letargji opozitarizmin. Imagjino mos jesh ç’ndodh me partinë demokratike.

Si përfundoi kështu PD-ja? 

Partia e parë e pluralizmit që edhe në ditët më të këqija mbushte sheshet 

Partia që mblidhte energjitë dhe shpresën e njerëzve për ndryshim

Partia e shumë qytetarëve dhe e njerëzve të guximshëm

Po si perfundoi kështu PD-ja o Sali, investimi më i madh që ke bërë këto 25 vite.
 
E kontrollove, e fuqizove, e pastrove nga njerezit që të dilnin kunder, e mbushe me njerezit më besnik, i more nga fshati e nga hiçi e i bere politikanë, gjyqtarë, biznesmenë,  i bëre ministra, presidentë, u dhe prona e i pasurove, i bëre milionerë, u le banda të armatosura për t'i bërë të ndjeheshin trima, u le edhe selinë më të madhe që ka ndonjë parti në Europë.

Madje bëre dhe një akt të pazakontë për karakterin tënd, u tërhoqe për tu hapur rrugën që të pavarësoheshin, 
….e për dy vjet shiko ku përfundoi..

Nga sheshet e qendrat e qyteteve lideri i Partisë Demokratike përfundoi të bëjë mbledhjet në kioska bastesh e sufllaqesh. 

Si mund të pretendojë pushtet kryetari i Partisë Demokratike kur tubimin më të madh e ka me 50 vetë, aq sa kishe ti Sali makina që të ndiqnin nga pas në ditën më të keqe të 97-ës. 

Si mund të katandiset Partia Demokratike mos mbledhë dot as aq sa mbledh asambleja socialiste e Kasharit tek klubi i Zijait në Yrshek. Vetëm kryetare e sekretare organizatash, pa asnjë simpatizant janë mbi 60 vetë. 

Si i kthyet gjithë PD-istat si pleq nostalgjikë, që ngushollohën duke thënë “të kishim pasur të ndjerin Olldashi gjallë e Saliun 10 vjet më të ri pa ta shihnit ju të PS-së..”

Humbje e thelle në 2013-ën. Më e thellë akoma në 2015-ën. 85% e popullsisë drejtohet nga mazhoranca. 

Për të mos folur për Dibrën se këtë vërtet nuk e kuptoj. E bere ti Dibren Sali për t'i dhënë ndonjë mësim Lulit, apo humbet vërtet aq thellë?

Se s'mund të jetë kjo e dyta kur gjithë besnikët e tu të dikurshëm shkonin e rrihnin njerëz andej nëpër fushatë. Ti e di shumë mirë që nuk merren votat ashtu. 

Dhe menjëherë pas zgjedhjeve, s'kishte mes jush asnjë lloj analize, as për 2013-ën as per 2015-ën, e as për Dibrën. E meqë s'ia dolët me armiqtë e jashtëm ju turrët të zbulonit armiqtë e brendshëm. Jo të merreshit me problemet, po merreshit me Majlindën e Eduard Selamin, a thua se ata janë problemi..

Si u katandis kështu partia o Sali. Dridhet PD-ja nga embrioni i partisë së re të Gjergj Bojaxhiut. Rëndë shumë… 
Pa e shpallur akoma, nuk  mbet gazete, deputet, a i paguar pranë jush që nuk bëri ç'mundi për të hedhur baltë mbi të.

Të shkoi dëm dhe dorëzimi pa kushte që u bëre grekëve për pushtet, ju fale detin u ndërtove varrezat e ua mbushe me eshtra shqiptarësh dhe ndërkohë për viktimat çame nuk fole asnjehere. Edhe ata, grekët, nuk të ndihmojnë dot më.


Si mbetet kështu, në baltë, me sytë nga qielli. A po bie ndonjë LSI-st a PS-ist nga lart.. A janë në humor Rama me Metën a s'janë në humor Rama me Metën, a e hapi Blushi LIBREN apo jo, a do iki ndonjë deputet nga PSja a jo? 

Gjysmën e grupit e keni me ish-socialistë. 
Po mirë, po ndonjë demokrat do perfaqësoni ju? Do përfaqesoni ndonjë të djathtë apo do ktheheni në klubin e të pakenaqurve të PS-së në lirim?

Unë nuk mendoj se kjo është rastesi Sali. Je politikani më me eksperience në Shqipëri.
Ia ke dalë i vetëm kundër të gjithëve. 

Nuk besoj se nuk e kupton këtë situatë apo se të ka dalë jashtë kontrollit. 

Duket qarte që ti nuk je spektator në kete histori dhe ka filluar të ngjisë teoria që dukej konspirative në fillim, se në 2017-n do të rimarrësh kontrollin përmes besnikut tënd, ish-presidentin Bujar Nishani. 

Nuk po i qaj hallin PD-së. Vazhdoni kështu edhe nja 10 vjet të tjera po qe për ne. 

Por si qytetar i këtij vendi më vjen keq për ata demokratët që e meritojnë të kenë përfaqësuesit e tyre në parlament, se sot duken si jetimë e të papërfaqësuar. 

Më shqeteson opozita si pasuri kombëtare por më shumë akoma më shqetëson fakti që po na e vini qeverinë në gjumë. Më shumë oponencë po bejnë socialistët e ish-socialistet që nga Blushi e shumë të tjerë se sa gjithë ajo çka ngelur nga partia demokratike. 

Pa opozitë nuk është mirë për demokratët, nuk është mirë për parlamentin, nuk është mirë për qeverinë, nuk është mirë edhe për vendin. 

3 parti të reja u hapen këto ditë. Mos hapet edhe ndonjë tjetër e ju përze në bllok nga parlamenti.

E nuk do ishte dhe aq keq por po vazhduat kështu, të paktën bëni një gjë te mirë.

Kthejeni ndërtesen oficereve të bejne funeralet se ate hije nuk arritet t'ia hiqnit dot asaj godine. 

*Fjala qe deputeti Artan Gaçe mbajti sot ne Parlament

(d.b/Shqiptarja.com)

 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Afera Partizani/ Iu refuzua shfuqizimi i masës së sigurisë, Kushtetuesja zbardh vendimin për Jamarbër Malltezin

Afera Partizani/ Iu refuzua shfuqizimi i masës së sigurisë, Kushtetuesja zbardh vendimin për Jamarbër Malltezin