Si u krijua "Dumvirat"–i Ball-
Legalitetit pa dijeninë e Zogut

Si u krijua Legalitetit pa dijeninë e Zogut">
Në janar të vitit 1945, dy politikanë shqiptarë, ndonëse të internuar nga aleatët në një kamp transit në Bari, i mirënjohuri Mid’hat Frashëri, që ishte kreu i Ballit Kombëtar dhe një klerik nga Shkodra, Sali Muftija, ky i dyti, në emër të organizatës “Legaliteti”, i kanë kërkuar Sekretarit amerikan të Shtetit në detyrë, të mos ndërmerret asnjë nismë për njohjen e qeverisë komuniste, të krijuar që para çlirimit të vendit. Ky dokument bëhet i njohur në vitet 2000.

Gjithsesi, ngjall kërshëri historike. Nëse vetë, personalisht, Mid’hat Frashëri (1880-1949) mund të bënte politikë të pavarur, kjo nuk mund të thuhet për një legalist, ndonëse me merita, si Sali Muftija (1891-1978).

Në komitetin drejtues të Legalitetit bënin pjesë personalitete të spikatura politike, intelektuale e kombëtare si Xhemal Naibi, Ndoc Çoba, Gaqo Goga, Rauf Fico, Pater Lekë Luli O.F.M., Osman Myderrizi, etj. Personaliteti  kryesor në atë periudhë është Abaz Kupi (1892–1976), komandanti i formacioneve luftarake legaliste që u organizuan në të gjithë vendin.

Së pari, kryetari i Lëvizjes (në dokumentin anglisht: “organization”) së Legalitetit ishte Abaz Kupi. Së dyti, të tilla veprime të karakterit diplomatik, koordinoheshin nga vetë Mbreti Zog I (1895-1961).

Ai më parë kishte komunikuar me letra me Presidentin Ruzvelt dhe nuk mund ta ulte “stekën” deri në nivelin e një të ngarkuari me detyrën e sekretarit të shtetit ad hoc, sikurse ishte Xhozef Grju (Joseph Grew, 1880-1965).

Së treti, për shkak të kontradiktave të mëdha mes Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, Muftija nuk kishte tagrin të bashkonte Legalitetin me vullnetin e tij në një “dumvirat” të emër të organizatës, ku aderonte. Madje, katër vjet e gjysmë më vonë, Mbreti Zog I ka kundërshtuar krijimin e komitetit “Shqipëria e Lirë”, ku në krye të tij ishte vetë shefi i Legalitetit, Bazi i Canës.

Ndoshta është ndonjë intrigë e vogël e Midhatit. Kuptohet, konciziteti dhe stili elegant i letrës është meritë e shkrimtarit, publicistit, politikanit të hollë dhe diplomatit Midhat Frashëri, i cili rreth 20 vjet para kësaj letre ka qenë ambasador i Shqipërisë në Uashington. Madje dhe në “toskëzimin” e emrit nga Salih Myftija në Sali Muftija mund të ketë dorë Frashëri!

Por nuk përjashtohet se kjo letër dhe kjo “federatë” dy organizatash apo bashkim forcash antikomuniste mund të jetë sugjeruar nga britanikët, për të bindur akoma më shumë Uashingtonin në nevojën e një politike të shtrënguar ndaj sundimtarëve të rinj të Tiranës.

Fakti që letra është dërguar si aerogram (shkresë zyrtare e çuar me postë ajrore diplomatike), pavarësisht se në zyrën e pritësit ka mbërritur me 12 ditë vonesë, mund të argumentojë hamendjen se prapa Frashërit dhe Myftisë qëndronte Forin Ofisi.

Të ndodhur në kamp internimi, As Frashëri as Muftija nuk mund të dinin për “izolimin i Shqipërisë si dhe mungesën e komunikimit me botën jashtë” apo fakti “që grupe të mëdha njerëzish po rezistojnë dhe po luftojnë kundër imponimit arbitrar të regjimit komunist në vendin tonë. Rezistenca kundër strukturës së sotme në Shqipëri është edhe pasive dhe aktive”.

Është e natyrshme që t’i luteshin “qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që, derisa të sqarohet me themel situata, nuk duhen ndërmarrë hapa në drejtim të njohjes së regjimit aktual terrorist në Shqipëri - një njohje që do të ishte në dëm të vendit tonë, ku përvojave të hidhura ekzistuese po u shtohen të tjera tashmë”.

Por ata vënë në dijeni Uashingtonin se “telegrame të ngjashme po u dërgohen edhe Shkëlqesive tyre, ministrave të Jashtëm të Britanisë së Madhe dhe të Bashkimit Sovjetik”. Nëse shan dhe kërkon të mos njihet qeveria e terrorit komunist, është e dyshimtë, të paktën për Frashërin, t’ia kërkojë këtë Moskës dhe Molotovit! Londra dhe Uashingtoni po.

Në katër dokumentet e tjera, vërehet padurimi i “Luanit” britanik për të ndërmarrë një sërë kushtesh që i duheshin vënë liderit komunist për përfitimin e ndihmave dhe për pasojë njohjen e qeverisë së tij. Del se Enver Hoxha (1908-1985) ka kundërshtuar dhënien e ndihmave npërmjet shtimit të vëzhguesve anglo-amerikanë. Në një telegram të këshilltarit politik amerikan pranë Shtabit të Forcave Aleate në Kazerta të Italisë, drejtuar Sekretarit të Shtetit më 16 janar 1945, pohohet se “Hoxha i ka nxjerrë pengesa planit të ML-së (Military Liaison (Albania), një institucion ushtarak britanik-amerikan i ngarkuar me planifikimin dhe administrimin e ndihmave civile në Shqipërinë e çliruar) dhe nuk ka pranuar ndihma mbi çfarëdo baze tjetër përveç pranimit të furnizimeve nga bordi i anijes me minimum vëzhguesish. Përfaqësuesit e ML-së do të qëndrojnë në Tiranë disa ditë më shumë me shpresë se këshilltarët e matur të Hoxhës mund zbrapsin vendimin e tij të tanishëm të pandryshueshëm. Ka pak shpresë për këtë”.

Por këtu ka një koincidencë historike. Ministri britanik rezident në Shtabin e Forcave Aleate të Mesdheut dhe President në detyrë i Komisionit Aleat, Itali ishte deputeti, Sër Herold Mekmillën (Harold Macmillan, 1894-1986), më vonë ministër dhe dy herë Kryeministër. Në një debat të nxehtë, në vitin 1960, mes diktatorit shqiptar Enver Hoxha dhe shefit të Kremlinit Nikita Hrushovit, ky i fundit ka akuzuar se me ton të tillë ukrainasit nuk kishte guxuar t’i fliste as kryeministri anglez Makmilan, gjë që çoi në ndërprejen e bisedimeve. Pikërisht, ky lord i cituar nga homologu i tij amerikan Kërk, i ka kërkuar Londrës të ishte e matur: “Macmillan tha mbrëmë se i kishte rekomanduar Forin Ofisit se Hoxhës nuk duhej t’i bëhej trysni për çështjen e ndihmave ose për çfardo çështje për momentin, se do të ishte e parapëlqyeshme të pritet derisa të bëhen disa marrëveshje me Titon për ndihmat humanitare... dhe se Hoxha do të merrte sinjal nga Titoja”.

Anglo-amerikanët:Enveri të puthet me Titon
Pas 10 ditësh, në një telegram i Sekretarit të Shtetit në detyrë drejtuar Kërk-ut, më 26 janar 1945, thuhet se “Departamenti është dakord me pikëpamjen e Mekmillënit ndonëse mendojmë se Hoxhës i duhet bërë e qartë se jemi gati dhe dhe kemi vullnetin të japim ndihma në çdo kohë nëse ai do të bjerë dakord për një numër të arsyeshëm vëzhguesish. Ka gjasa që konkludimi i kënaqshëm i negociatave me jugosllavët do të ndikonte në vendimin e tij”. Në të tre dokumentet që po botohen këtë numër, përmendet emri i Titos (1892-1980), që duhej të “urdhëronte” Enver Hoxhën për vijën e sjelljes me britanikët dhe amerikanët. Duhet pranuar që jo vetëm Beogradi dhe Moska, por edhe Londra dhe Uashingtoni ne heshtje, kishin vendosur që Shqipërinë t’ia linin Jugosllavisë.

[gallery]22043[/gallery]
  
Dokumenti 1 
Enver Hoxha, pengesa planit të ndihmave
Telegram i z. Aleksandër K. Kërk, këshilltar politik pranë Shtabit të Forcave Aleate, drejtuar Sekretarit të Shtetit
Kazerta, më 16 janar 1945, ora 22:00
[marrë më 17 janar 14:37]
Hoxha i ka nxjerrë pengesa planit të ML-së [1] dhe nuk ka pranuar ndihma mbi çfarëdo baze tjetër përveç pranimit të furnizimeve nga bordi i anijes me minimum vëzhguesish. Përfaqësuesit e ML-së do të qëndrojnë në Tiranë disa ditë më shumë me shpresë se këshilltarët e matur të Hoxhës mund zbrapsin vendimin e tij të tanishëm të pandryshueshëm. Ka pak shpresë për këtë.
Mekmillën-i (Macmillan) [2] tha mbrëmë se i kishte rekomanduar Forin Ofisit se Hoxhës nuk duhej t’i bëhej trysni për çështjen e ndihmave ose për çfardo çështje për momentin, se do të ishte e parapëlqyeshme të pritet derisa të bëhen disa marrëveshje me Titon [3] për ndihmat humanitare (shih telin tim nr. 72, datë 8 janar, mesnatë) dhe se Hoxha do të merrte sinjal nga Titoja. Mekmillëni gjithashtu tha se kishte informuar Forin Ofisin se nuk e shihte të bazuar nxitjen e ndihmave humanitare te shqiptarët si furnizime të tilla që mund të përdoren për avantazh të dobishëm, dhe se do të ishte mirë që të mos tregohej ndonjë interes i veçantë rreth marrjes së ndihmave në Shqipëri, pasi së shpejti, herët a vonë Hoxha do të vinte vërdallë.
Nga ana tjetër shqiptarët, shumë prej të cilëve kanë vuajtur së tepërmi gjatë dëbimit të gjermanëve nga vendi i tyre, nuk do të marrin asnjë ndihmë. Departamenti i Shtetit i Shtetit është, natyrisht, i informur se një anije e vogël ndihmash është dërguar kohët e fundit në Split të Jugosllavisë mbi një bazë ad hoc (shih telin tim nr. 83, datë 9 janar).
Do të vlerësoja komentet e Departamentit të Shtetit.

Shënim i origjinalit anglisht
[1] Military Liaison (Albania), një institucion ushtarak britanik-amerikan i ngarkuar me planifikimin dhe administrimin e ndihmave civile në Shqipërinë e çliruar.
[2] Herold Mekmillën (Harold Macmillan), deputet, ministri britanik rezident në Shtabin e Forcave Aleate të Mesdheut dhe President në detyrë i Komisionit Aleat, Itali.
[3] Mareshal Tito (Josip Broz), Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes Kombëtare në Qeverinë e Përkohshme të Jugosllavisë.
 
Dokumenti nr. 2  
Lëvizjet e tjera që luftuan kundër pushtuesit
 
Aerogram i z. Aleksandër K. Kërk, këshilltar politik pranë Shtabit të Forcave Aleate, drejtuar Sekretarit të Shtetit
Kazerta,  më 19 janar 1945, ora 10:00
[Marrë më 31 janar ora 18:00]
Letra e mëposhtme e nënshkruar nga Mid’hat Frashëri [1] dhe Sali Muftija iu dërgua Sekretarit të Shtetit, duke i kërkuar kësaj qeverie të mos ndërmarrë asnjë masë për njohjen e qeverisë ekzistuese të Shqipërisë:
 
“Kemi mësuar se Enver Hoxha, kryetar i së vetëquajturës qeveri shqiptare në Tiranë, ka kërkuar njohje zyrtare nga ana e aleatëve. Qeveritë e tre vendeve të Demokracive të mëdha kanë deklaruar solemnisht se nuk do të lejojnë kurrsesi që një palë të imponojë vullnetin e vet me atë të forcës mbi të gjitha palët dhe mbi popullin në tërësi lidhur me çështjen e regjimit.

Sot, nëse çështja do të shtrohej në frymë objektive, është e qartë se në Shqipëri regjimi i Enver Hoxhës, i cili është komunist, iu imponua popullit, jo vetëm me forcë, por edhe me terrorizëm të dukshëm. LNÇ-ja [2] nuk ka qenë i vetmi front i rezistencës në Shqipëri, por ka pasur dhe lëvizje të tjera që kanë luftuar kundër pushtuesit. Prandaj FNÇ-ja nuk është përfaqësuese e vullnetit të lirë të popullit shqiptar dhe nuk duhet konsideruar si e tillë.

Karakteri komunist i administratës së Enver Hoxhës është manifestuar sheshit nga deklaratat zyrtare dhe botimet e bëra nga sunduesit e sotëm që pretendojnë të jenë mbrojtës të popullit. Izolimi i Shqipërisë si dhe mungesa e komunikimit me botën jashtë e bën të pamundur njohjen e vullnetit real të njerëzve, por është fakt që grupe të mëdha njerëzish po rezistojnë dhe po luftojnë kundër imponimit arbitrar të regjimit komunist në vendin tonë. Rezistenca kundër strukturës së sotme në Shqipëri është edhe pasive dhe aktive.

Duke marrë parasysh të gjitha këto, ne nuk mund të besojmë se qeveritë aleate do të tolerojnë në Shqipëri dominimin e një partie të vetme, e cila është plotësisht jodemokratike. Ne, prandaj, i lutemi qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që, derisa të sqarohet me themel situata, nuk duhen ndërmarrë hapa në drejtim të njohjes së regjimit aktual terrorist në Shqipëri - një njohje që do të ishte në dëm të vendit tonë, ku përvojave të hidhura ekzistuese po u shtohen të tjera tashmë.
Telegrame të ngjashme po u dërgohen edhe Shkëlqesive tyre, ministrave të Jashtëm të Britanisë së Madhe dhe të Bashkimit Sovjetik.
Me respekt,
Për Ballin Kombetar:
Midhat Frashëri
Për organizatën e “Legalitetit”:
Sali Muftija
Më 7 janar 1945.”
Aktualisht të dy nënshkruesit janë të internuar në kampin transit nr. 1, Bari, ata kanë mbërritur në Itali në nëntor (Sh. telin tim nr. 1530 datë 28 nëntor 1944 [3]).
KIRK
Shënime të origjinalit anglisht:
[1] Kryetari i Ballit Kombëtar, lëvizje e rezistencës shqiptare e cila u shpërbë në vitin 1944 gjatë luftës civile me Lëvizjen Nacional Çlirimtare e dominuar nga komunistët. Frashëri u arratis në Itali në nëntor 1944, ku ishte i internuar.
[2] Lëvizja Nacional-Çlirimtare.
[3] Nuk është botuar , njoftonte ardhjen në Bari të 150 refugjatëve politikë shqiptarë.
 
 Dokumenti nr. 3
Marrëveshje me Enverin si me Titon
Telegram i z. Aleksandër K. Kërk, këshilltar politik amerikan pranë Shtabit të Forcave Aleate, drejtuar Sekretarit të Shtetit
Kazerta, më 26 Jan 1945, ora 24:00
[Marrë më 9 shkurt , ora 24:00]

315. Teli im nr. 176, datë 16 janar, ora 22:00. Si rezultat i rrugës pa krye ku janë futur ndihmat humanitare për Shqipërinë u vendos në një takim dje në AFHQ [1] që gjeneral Sadler [2] duhet t’u kërkojë Shefave të Përbashkët të Shtabit modifikimin e direktivës ekzistuese (Fan 428 [3]), në mënyrë që të lejojë negocimin e një marrëveshjeje ushtarake midis përfaqësuesit të SACMED-it [4] dhe Hoxhës si ajo kohët e fundit me Titon. [5] Besohet se Hoxha së shpejti do të afrohet me M / L-në dhe se mund të arrihet një marrëveshje me anë të së cilës ai mund të pranojë një numër fillestar prej afër 200 vetash të të gjitha niveleve në vend të 1200 të parashikuar në krye të herës. Tashmë është hequr dorë nga përpjekjet për të futur ndihma në baza ad hoc dhe se nuk është pranuar alternativa tjetër, pra shpërbërja e M / L. [6]
Negocimi i një marrëveshjeje ushtarake me Hoxhën sigurisht njeh faktin që Hoxha dhe FNÇ-ja kontrollojnë në mënyrë efektive Shqipërinë aktualisht. Do të ishte e dëshirueshme po të më informonte departamenti urgjentisht nëse ky propozim ka miratimin e tij. [7]
                                                             
Shënime të origjinalit anglisht
[1] Inicialet për “Allied Force Headquarters” (Shtabi i Forcave Aleate).
[2] Gjeneral Brigade Persi L. Sejdler (Percy L. Sadler), ushtria amerikane, zëvendës-komandant për operacionet e përbashkëta me britanikët për ndihmë dhe rehabilitim në vendet e Ballkanit.
[3] Mesazhi i datës 23 shtator 1944, nga Shefat e Përbashkët të Shtabit pranë Komandantit Suprem Aleat i Mesdheut, që e autorizonte të hynte në ujdi me grupe të tilla vendore që kishin nën kontroll Shqipërinë, në mungesë të një qeverie që nuk ishte njohur ende ndërkombëtarisht. Megjithëse i autorizuar të bënte diskutime me këto grupe, ishte porositur të mos bënte asnjë premtim të prerë për ndihmë. Pjesa përkatëse e Fan 428, është përmbledhur në telegramin nr. 202, datë 2 tetor 1944, në Kazerta.
[4] Inicialet për “Supreme Allied Commander, Mediterranean Theater” (Komandanti Suprem Aleat i Mesdheut), feld-mareshalin Sër Herlod Aleksandër (Sir Harold Alexander).
[5] Për një përshkrim të shkurtër të marrëveshjes së 19 janarit 1945, midis autoriteteve jugosllave dhe SACMED-it lidhur me ndihmat e ML-së në Jugosllavi, shih: George Woodbridge, “UNRRA: The History of the United Nations Relief and Rehabilitation Administration” (New York, Columbia University Press, 1950), vol. II, pp. 141-142.
 [6] Më 11 prill 1945, u nënshkrua një marrëveshje për futjen dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare në Shqipëri nga Military Liaison (Albania) midis Komandantit Suprem Aleat të Mesdheut dhe gjeneral-kolonelit Hoxha. Kontrata e ML-së skadonte më 23 qershor 1945, dhe nuk u përtëri. Operacionet e ndihmave të ML-së përfunduan më 30 qershor dhe stafi i ML-së u largua nga Shqipëria më 5 korrik. Për periudhën18 prill - 5 korrik, ML (Albania) dorëzoi 9.150 tonë furnizime, 334 kamionë, 9 ambulanca dhe 24 traktorë për bujqësinë.
[7] Në telegram nr. 78, datë 30 janar, ora 19:00, drejtuar Kazertës, thuhet në veçanti, si më poshtë: “Me sa duket nuk do të ketë asnjë kundërshtim për nënshkrimin e një marrëveshjeje ushtarake me Hoxhën të ngjashme me marrëveshjen e fundit me Titon sipas skemës së përshkruar në telegramin tim nr. 315, datë 26 janar. Një marrëveshje e tillë sigurisht do të jetë në një nivel thjesht ushtarak dhe e formuluar në mënyrë që të mos ketë njohje të autoriteteve ekzistuese sikurse linte të nënkuptohej qeveria e Shqipërisë”.
 

Kush është Kush?
Midhat Abdyl Frashëri
 
(1880-1949), diplomat, shkrimtar dhe politikan. Ishte i biri i Abdyl Frashëri. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit në vitin 1908. Një nga nënshkruesit e shpalljes së pavarësisë, ministër në Qeverinë Ismail Qemalit. Më 25 nëntor 1920, kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Më pas mbajti poste të tjera ministrore dhe u caktua ambasador në Greqi dhe SHBA në vitet 1922-1926. Në vitin 1925, hapi një librari në Tiranë. Në vitin 1939, pas pushtimit të vendit vendos të rikthehet në politikë. Në vitin 1941, ideologu kryesor dhe një nga themeluesit e Ballit Kombëtar. Kundërshtar i PKSH, u detyrua në nëntor 1944, të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali. Krijon në gusht 1949 Komitetin Shqipëria e Lirë. Më 3 tetor 1949, vdes si pasojë e një ataku kardiak në hotel në Nju Jork. Ka botuar disa libra: “Naim bej Frashëri, kujtimi mbi të ungjin”, “Hi dhe shpuzë”, “Plagët tona” etj.
 
Kush është Kush?
Salih Efendi Myftia 

 Salih Efendi Myftia (1891-1978) ka qenë klerik dhe legalist shkodran. Rrjedh nga një familje shumë e njohur besimtarësh, dijetarësh, atdhetarësh. Ka shërbyer si imam në Shkodër, ishte edhe myderriz. Në vitin 1927 myfti në Krujë, më vonë kryemyfti i prefekturës së Shkodrës dhe Kosovës. Jo vetëm që nuk u pajtua me pushtimin e Shqipërisë nga fashizmi dhe nazizmi, por iu kundërvu me armë në radhët e Lëvizjes së Legalitetit, derisa u internua në Gjirokastër. Në nëntor 1944 u arratis. Për 34 vjet, deri sa ndërroi jetë, luftoi kundër komunizmit në mërgim. Në Amerikë u vendos në Nju Jork. Më 16 maj 1966, në “Sheraton Atlantic Hotel”, nën udhëheqjen e e tij, u mbajt mbledhja e Kuvendit të Qendrës Islamike Shqiptare-Amerikane. Me 12 nëntor 1972, preu shiritin e xhamisë në Bruklin, ku ishin tubuar qindra besimtarë shqiptarë, disa prej tyre të veshur me kostume kombëtare. Vdes më 19 maj 1978, në moshën 87- vjeçare.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit