Si u organizua sulmi terrorist në Banjskë? A ishte i informuar Vuçiç, çfarë paralajmëronte Radoiçiçi në vazhdimësi

Si u organizua sulmi terrorist në Banjskë? A ishte i informuar Vuçiç, çfarë paralajmëronte Radoiçiçi në vazhdimësi

Armë të sekuestruara pas sulmit në Banjskë

Plani i tyre ishte i qartë. Fillimisht për grupin terrorist të udhëhequr nga Milan Radoiçiç, ishte esenciale fuqizimi financiar.

Pikërisht ky serb i njohur shumë mirë për autoritetet e Republikës së Kosovës, ishte ai që mori përsipër organizimin monetar, duke nisur me metodën e shpëlarjes së parave. Për këtë u shfrytëzuan disa biznesmenë.

Njëri nga ta, nga data 1 janar e vitit 2017, Radule Steviç, po ashtu i pandehur në rastin “Banjska”, në cilësinë e pronarit dhe personit përgjegjës të bizneseve RAD D.O.O dhe Radule Stevic B.I, duke e ditur se pasuria e Radoiçiqit buronte nga aktivitete kriminale,  përmes bizneseve të regjistruara në emër të tij dhe aktivitetit ekonomik të tyre, ka bashkëpunuar dhe e ka ndihmuar atë për të konvertuar pasurinë e tij, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.

Duke qenë se aspektin financiar nuk e kishte më problem sepse për shtatë vjet ishin grumbulluar para edhe nga tenderë milionëshe, Radoiçiq ofronte pagesa të rregullta mujore për ata që do i bashkoheshin në planin e tij.

Gjithçka potencohet në Aktakuzën e Prokurorisë Speciale, të siguruar nga Klan Kosova, ku dëshmitarët kanë dhënë shpjegime të detajuara.

Plot 66 dëshmitarë janë intervistuar për sulmin terrorist në këtë fshat të Zveçanit, njofton Klankosova.tv.

Njëri prej tyre me shifrën F1 i ka shpjeguar Prokurorisë se si një mik i tij që ka qenë pjesë e grupit në Banjskë, i ka treguar për mënyrën e financimit të një pjese prej pjesëmarrësve.

“Milani i ka organizuar këta persona dhe personat e tjerë në Serbi të cilët i ka ushtruar, i ka përgatitur me armatim të lehtë dhe të rëndë, të cilët një kohë të gjatë kishin ushtruar në Serbi dhe shumicën prej tyre Milani i ka paguar nga 2.000 € në muaj përmes parave kesh, për t’i përfshirë në këtë grup, ata fillimisht i kanë thënë se kanë shkuar me idenë që të çlirojnë pjesën veriore nga Kosova, po ashtu me qëllim që serbët e kësaj pjese të shkëputën nga Kosova”, citohet F1 në aktakuzë.

Si rrodhi organizimi i sulmit në Banjskë, a ishte i vetëdijshëm edhe presidenti i Serbisë, Alexandar Vuçiç?

Sinjale të forta rreth asaj që ndodhi më 24 shtator 2023, ishin dhënë në një takim të mbajtur në Rashkë më 13 tetor 2021, ku të pranishëm kishte edhe zyrtarë të lartë shtetëror të Serbisë, me në krye vet presidentin, Alexandar Vuçiç.

Nga ai takim ku ishin të pranishëm edhe pjesëtarë të strukturave paralele në veri, përfshirë Milan Radoiçiq e Vladimir Radivojeviç (ky i fundit i njohur me nofkën “Mami”), Prokuroria Speciale posedon video-incizimin me deklarimet e tyre të detajuara.

Aty “Mami” pyeste se a e kanë mbështetjen e shtetit të Serbisë për armatosjen dhe fillimin e rezistencës, duke iu ankuar Vuçiçit me pretendimin se në barrikadat e ngritura nga serbët në veri, policia e Kosovës plagosi një të ri serb.

“Unë i nderuar kryetar së bashku me këta djem kemi qenë aty, në vijë të parë, çdo herë kur është kërkuar, e kemi dëgjuar shtetin tonë çdo herë, edhe herën e fundit, kur ata kanë rregulluar rrugëtimin e tyre duke kaluar mes nesh, e kemi dëgjuar shtetin tonë, nuk kemi më durim, i kam tri vajza, me e vjetra i ka 17 vjet, nuk do të ju mbajmë më gjatë, do të ju dëgjojmë juve, ne po shkojmë poshtë, unë i kam fëmijët atje, nuk mund të pres më shumë, ndoshta e kam, nuk dijë si ta shpjegoj, e kanë plagosur djalin e ri në praninë tonë, çka presim më shumë”, thoshte Radivojeviç.

Vuçiq e pyet nëse i është ofruar ndihma Sofronijeviçit kur ishte në Zveçan. Ky i përgjigjët: po mendoj se po, vetëm dua ta dijë se a do ta kemi mbështetjen e shtetit?, a kemi njerëz që mund të iu besojmë, të cilët janë tanët, mendoj se herë tjetër nuk do të ketë, jam duke folur këtu në emër të këtyre të rinjve, të cilët besoj se pajtohen me mua, nëse nuk mendojnë ashtu, le të thonë, ata brohorasin se pajtohen me konstatimin e tij, dhe duartrokasin. Pas kësaj ai shton, njerëzit që i shihni këtu kanë ardhur nga barrikadat. Kaq kisha, nuk do të ju mbajë më gjatë, faleminderit, prapë pjesëmarrësit duartrokasin”. Ky është deklarimi i “Mamit” para shefit të shtetit serb, i dëgjuar qartë në video-incizimin që e posedon Prokuroria Speciale e Kosovës.

Në takimin e njëjtë, poashtu i pandehuri Milan Radoiçiç mban një fjalim, madje duke dhënë mesazhe para Vuçiqit për organet e sigurisë në Kosovë, se do të luftohet në veri.

“I keni dëgjuar këta trima çfarë thonë, unë do t’ju them vetëm një gjë në emër të të gjithëve, se herën tjetër do të mbrohemi deri në fund, deri në vdekje”.

Në këtë fjalim lë të kuptohet se i pandehuri Milan Radoiçiç ka rolin kyç në udhëheqjen e grupeve kriminale që veprojnë në pjesën veriore, është organizator i të gjitha ngjarjeve dhe incidenteve të cilat kanë ndodhur në komunat me shumicë serbe në Kosovë dhe në të njëjtën kohë konfirmon qëllimin e tij për organizimet e ardhshme dhe rezistencën deri në vdekje.

Si rrjedhojë, më datën 05.07.2022, publikohet edhe një video-incizim ku shihet Radoiçiç duke dhënë mesazh kërcënues, në kodrën ku është i vendosur kryqi në Leposaviq.

Në atë video i njëjti thotë:

”Terrori i vërtetë ndaj popullit serb po fillon, per popullin tim në veri dhe për te gjithë serbët edhe të tjerët, më lejoni t’u them se unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini çfarë do të thotë, sepse nga këtu nuk ka kthim mbrapa, rrnoft Serbia”, deklaronte Radoiçiç.

Ndërkohë, deri në shtatorin e vitit 2023, nga grupacionet kriminale serbe në veri, janë shkaktuar jo rrallë herë probleme shumë serioze, njofton Klankosova.tv.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65 vjecari

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, humb jetën 65 vjecari