Si u shpall Enver Hoxha
“Hero i kombit” nga Kuvendi

Si u shpall Enver Hoxha<br />“Hero i kombit” nga Kuvendi<br>
Mes qindra dekoratave e titujve që mori Enver Hoxha gjatë gjithë jetës së tij, një histori kurioze ekziston për marrjen e titullit më të lartë “Hero i Kombit”, dhënë në nëntor 1946, pikërisht në kohën kur ai falë miqësisë vëllazërore me Titon kishte lënë në federatën jugosllave Kosovën.

Rrethanat, në të cilat Hoxha e mori këtë titull që e barazonte atë me heroin Kombëtar Skënderbeun, janë shumë të ngjashme me shumë iniciativa të mëvonshme, të cilat ia behnin gjithmonë nga poshtë dhe gjithmonë në emër të popullit. Në një mbledhje të zakonshme të Kuvendit Popullor, me 27 nëntor 1946, një prej deputetëve Hasan Pulo, kishte kërkuar ta hapte ai mbledhjen me një propozim. Pasi bën një hyrje të gjatë për “vlerat e rralla të komandantit”, Pulo bën propozimin, që në emër të popullit t’i japin Komandantit titullin “Hero i Kombit”.

Të gjithë pjesëmarrësit në bisedimet mbi këtë çështje shfaqen të ekzaltuar dhe vihen në garë për të bërë propozime të reja deri në zgjedhjen e një komisioni që do të shkonte në mbrëmje në shtëpinë e diktatorit për ti komunikuar atij vendimin e rëndësishëm që ishte marrë në kuvend.  Pothuajse e gjithë mbledhja e pasdites së 27 nëntorit 1946, i rezervohet këtij subjekti gati absurd, dhe vetëm në fund të saj miratohen një varg projektligjesh, që në të vëretë duhej të ishin thelbi i mbledhjes së asaj pasditeje.      

Më poshtë e sjellim të plotë procesverbalin e mbledhjes së Kuvendit Popullor të 27 nëntorit 1946, ku vendos t’i jepej Enver Hoxhës titulli “Hero i Kombit”

Republika Popullore e Shqipërisë

Kuvendi popullor

Sesioni i II-të

Proces-verbal i Bisedimeve

Bisedimet e Mbledhjes së 48-të

E mërkurë më 27 nëntor 1946 ora 17.

(Kryeson z.dr.Ymer Dishnica)

Bëhet thirrja emërore e zz.deputetëve dhe ndodhen pranë:

Abdyl Këllezi, Gogo Nushi, Olga Plumbi, Andrea Saatci, N/Kolonel Baba Fejzo Dervishi, dr. ing. Gaqo Tashko, Major Rrahman Uruçi, Salahudin Toto, Gjeneral-Major Myslim Peza, Gjeneral-Major Spiro Mojsiu, Shefqet Beja, Prof. Aleksandër Xhuvani, Kolonel Baba Faja Martaneshi , n/Kolonel Kadri Hoxha, Kadri Musaj, Prof. Kostaq Cipo, dr. Petraq Popa, Kolonel Ramadan Çitaku, Sami Baholli, Sulejman Spahiu, Gjeneral

Major Bedri Spahiu, Kolonel Islam Radovicka, prof.Kadri Baboci, Lefter Konomi, dr.Manol Konomi, Mihal Jorgji, dr. Omer Nishani, Qiriako Harito, Prof. Sejfulla Malëshova, prof. Siri Shapllo, Kolë Kuqali, Kolonel Kristo Themelko, dr. Medar Shtylla, Naxhie Dume, Pandi Kristo, N/Kolonel Pëllumb Dishnica, prof. Sali Mborja, prof. Skënder Luarasi, Xhelal Rusi, Dr. Ymer Dishnica, Abedin Shehu, N/Kolonel Rrahman Përllaku, Refat Spahiu, Gjeneral Major Dali Ndreu, major Ethem Bajrami, Haki Stërmilli, Kolonel Haxhi Lleshi, Irfan Majuni, Arif Gjyli, Beqir Gjelbegu, Gjovalin Luka, Kostandin Boshnjaku, prof. Mark Ndoja, Kolonel Tuk Jakova, Zija Dibra, N/Kolonel Bilbil Klosi, Hasan Pulo, Liri Gega, Kolonel Manush Myftiu,  dr. Sezai Agalliu, Shefqet Musaraj.

Mungojnë: zz.Gjeneral Kolonel Enver Hoxha, n/Kolonel Beqir Balluku, Karaman Ylli, (me mision) Nako Spiru, Kolonel Shefqet Peçi, Prof. Thoma Papapano, Gjeneral/Lejt. Koçi Xoxe, Koço Tashko (me mision) Faik Shehu, Sulejman Baholli, Zef Haxhija, Kolonel Hysni Kapo (me mision).

z.Kryetar- Mbledhja hapet. Shoku Hasan Pulo ka një propozim.

z.Hasan Pulo- Shokë deputetë!

Popujt e fitojnë lirinë me sakrifica e me gjak, po që të mos venë dëm sakrificat dhe gjaku që derdhet, është e domosdoshme një udhëheqje e aftë dhe e sinqertë.

Lufta N.Çlirimtare, që bëri populli shqiptar për të fituar lirinë dhe pavarësinë e tij, qe një luftë e gjatë e ashpër dhe e përgjakshme, qe një nga luftrat që për të parën herë do kujtohet në historinë e popujve. Udhëheqja e kësaj lufte vigane që bëri populli ynë, qe larkpamëse, gjenjale po edhe jashtëzakonisht heroike, dhe që të fitohej kjo luftë kaq e madhe nuk do të kish patur mundësi pa një udhëheqjeje të tillë. Barra e rëndë e kësaj udhëheqjeje, doemaos ka rënduar mbi gjithë organizatorët dhe pjestarët e kësaj udhëheqjeje, por veçanërisht mbi shpatullat e Komandantit t’onë të dashur Gjeneral Kolonel Enver Hoxhës.

Populli shqiptar gjatë shekujsh robërije, për herë të parë pa të dalë nga gjiri i tij, nga gjaku i tij, nga bijtë e tij një udhëheqës i denjë për ta përçuar ashtu siç duhej dhe ta udhëheqte me përpikmëri, ndershmëni dhe sinqeritet për të harritur atje ku duhej.

Udhëheqës kombesh kanë dalë dhe dolën kudo, por të ktij tipi, d.m.th nga shtresat popullore dhe për shtresat t’ulta popullore janë të rrallë në historinë e kombeve.

Populli shqiptar është dhe do t’i jetë mirënjohës përjetë këtij biri të denjë dhe me të bashkë, partisë heroike Komuniste Shqiptare, flamurtare e luftës së popullit tonë. Është dhe do t’ju mbetet mirë njojtës sepse Enver Hoxha me Partinë Komunistë hodhën parrullën dhe dhanë kushtrimin e bashkimit të popullit t’onë për luftën e madhe të çlirimit, nga e cila u çlirua vendi ynë i dashur nga okupatori dhe shtypja dhe populli ynë i shumëvuajtur fitoj të drejtat dhe lirinë e vërtetë që kish aspiruar me shekuj.

Është dhe do të mbetet mirë njojtës për jetë, sepse është Partija Komuniste dhe Enveri që jo vetmë luftojnë t’a shpijën popullin t’onë në lumtëri e mirëqenie, por nuk flen asnjë minutë për t’a mbrojtur atë dhe indipendencën e Atdheut nga sulmet dhe intrigat e poshtra të reksjonit të huaj dhe këlyshavet sahan lëpirës të brëndshëm.

Shokë Deputet!

Është nder dhe kryenaltësi për një popull kur bëhet i aftë të njohë, të çmojë dhe vlerësojë udhëheqësit e tij të shquar dhe u jep atyre shpërblimin sambas meritavet të punës së tyre.

Kuvendi Popullor është autoriteti m’i lartë në pushtetin popullor. Kuvendi popullor me vendimet e tij shpreh vullnetin, përmbush dëshirat dhe aspiratat e popullit në ç’do sektor.

Pra unë tuke marrë parasysh dhe tuke çmuar vuajtjet, sakrificat, dhe heroizmin e komandantit t’onë të dashurë, i cili me gjenialitet, trimëri dhe vetmohim na udhëhoqi më së miri gjatë luftës N.Çlirimtare dhe që po me atë cilësi na udhëheq sot në paqe për rindërtimin dhe lumtërinë e vendit e të popullit t’onë.

Propozoj që Kuvendi Popullor n’emër të popullit shqiptar t’i japë titullin Hero i Kombit.

Këjo është dëshira e ime që besoj dhe jam i sigurtë që është e gjithë juve shokë deputetë dhe e mbarë popullit shqiptar; tuke përfunduar ju drejtohem juve shokë përfaqësuesa të popullit që ky propozim të pranohet me akllamasjon sepse emëri Enver jo vetëm që është rrënjosur thellë në shpirtin e gjithë popullit shqiptar, por dhe me atë emër në gojë kanë dhënë jetën në fushën e nderit me mijëra bij e bija të këtij populli.

Rroftë udhëheqësi Ynë Gjerneral –Kolonel Enver Hoxha!

Rroftë populli shqiptar! (duartrokitje)

Z.Kryetar e ve në votim proponimin e z.Hasan Pulo dhe pranohet me duartrokitje të paprera e ovacion.

Z.Profesor Skënder Luarasi – më parë se të vazhdojmë me rendin e ditës, unë do të dëshëronja të bëj një proponim që të zgjidhet një delegasion prej një deputeti nga çdo Prefekturë për të shpënë homazhet e thella të Kuvendit dhe të popullit shqiptar Komandantit t’onë.

Z.Pandi Kristo - Unë jam dakord me proponimin, vetëm të caktojnë çdo qark përfaqësuesin e tij.

Z.Qirjako Harito e gjen me vend proponimin, pse Komandanti ish absent në këtë mbledhje dhe kështu është nevojë e këtij Komisioni. Po në këto kohë duhet dhe formullimi, veç kësaj unë do të proponoja –thotë- që kryetari i këtij komisioni të jetë shoku Hasan Pulo që bëri proponimin.

z.Dr.Ymer Nishani – proponimi është me vend, po unë desha të them që ky vendim i Kuvendit duhet që t’i njoftohet Komandantit që sonte. Sa për redigjimin ay mund të bëhet sonte ose nesër…

Z. Kryetari ve në votim dhe pranohet proponimi i z.Skënder Luarasi me unanimitet.

z. Tuk Jakova – Kemi dhe proponimin e shokut Qirjako Harito që ay që e proponoj të jetë Kryetar i Komisionit. Prandaj na zgjedhim dhe kryetar dhe mund t’ja themi me gojë që t’ja thotë komandantit.

Z.kryetar ve në votim proponimin e dytë dhe pranohet me unanimitet që z.Hasan Pulo të jetë kryetar i Komisionit. Bëhen pesë minuta pushim për t’u zgjedhur nga një deputet për çdo prefekturë.

Pas pesë minutash mbledhja hapet.

Komisioni formohet në këtë mënyrë:

Hasan Pulo (kryetar), Ollga Plumbi, për prefekturën e Tiranës, Zylyftar Veleshnja për Beratin. Myslim Peza për Durrësin, Ramadan Çitaku për Elbasan, Siri Shapllo për Gjirokastrën, Naxhije Dume për Korçën, Rrahman Parllaku për Kukësin, Haki Stërmilli për Peshkopinë dhe Tuk Jakova për Shkodrën.

Z.Kryetar – Para se të shkojë delegacioni dhe përpara se të vazhdojmë me rendin e ditës Kryesija ka një proponim. Disa ditë më parë Kuvendi aprovoj Ligjën mbi zgjedhjen e gjyqtarëve dhe ndihmësgjyqtarëve. Në nenin 3 të asaj ligje i jepet Kuvendit Popullor për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Edhe në nenin 4 thotë se organi kompetent për zgjedhjet e gjyqtarëve cakton me vendim ditën e zgjedhjeve dhe e shpall së paku 7 ditë para asaj date. Kështu për caktimin e afatit për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Naltë është kompetent Kuvendi. Unë jam i mendimit të merret një vendim që dita e zgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të caktohet me 4 dhjetor d.m.th. 7 ditë nga sot. Pasi nuk pat njeri nonjë proponim tjatër, vihet në votim dhe aprovohet vendimi i formuluar nga z.Prof.Siri Shapllo si vijon:

Vendim

Kuvendi Popullor

Në mbështetje të neneve 3 dhe 4 të Ligjës Nr. 356 d.22.11.1946, mbi zgjedhjen e Gjyqtarëve dhe ndihmës gjyqtarëve.

Vendos:

Dita e zgjedhjes së Gjyqtarëve të Gjykatës së Naltë caktohet për më 3 dhjetor 1946. Theksohet se me mbylljen e këtij sesioni, sesioni tjatër do të hapet në Mars, prandaj ish i nevojshëm ky vendim se duhej zgjedhur Gjykata e Lartë.

Z.Dr.Manol Konomi shpjegon mënyrën e kandidaturave të gjyqtarëve, të cilat si pas ligjës paraqiten nga Ministrija e Drejtësisë ose prej një grupi pesë anëtarësh të organit zgjedhës ose prej vetë të interesuarve së paku tri ditë prej afatit të caktuar për zgjedhjet. Prandaj në ka që duan të paraqesin, duhet të paraqiten brenda afatit.

z.Arif Gjyli propozon që seanca e sotme të mbyllet, masi kjo u muar me deklarimin e Gjeneral Kolonel Enver Hoxha Hero të Kombit dhe Komisioni do të vejë t’ja njoftojë…

z. Qiriako Harito e gjen të arsyeshmë këtë proponim pasi koha është e kaluar dhe 10 nga shokët do të shkojnë ne Komandanti dhe është dhe një konferencë. Vetëm në rendin e ditës së sotme të shtohen edhe ato projekt-ligje që kanë mbetur.

Propozimi i z. Qiriako Harito përkrahet që rendit të ditës së sotme t’i shtohen edhe tri pika: I-rë) Zgjedhja e Gjyqtarëve për Gjykatën e Naltë. 2)Aprovimi i projekt-ligjës mbi Kryqin e Kuq Shqiptar. 3)Aprovimi i projekt-ligjës mbi dorëzanitë. 4) Aprovimi i projekt-ligjës mbi shlyerjen e detyrimeve të shtetit karshi privatëve. 5) Aprovimi i projektligjës mbi ndyshime në Ligjën Nr.198 datë 4-II-1946 mbi denoncimin e valutave dhe të divizave të huaja dhe mbi ndalimin e tregtisë së tyre, dhe lihet mbledhja për ditën e mërkurë në orën 17.

Z.Pandi Kristo në lidhje me sa tha z.Qiriako Harito për çështje të Konferencës, është i mendimit se Kuvendi nuk ka punë me konferencat. Kush të dojë nga anëtarët mund të kërkojë leje të vejë, por jo të mbyllim Kuvendit për të vatur në konferenca.

Mbyllet seanca në orën 18.

Kryetari Dr.Ymer Dishnica

Sekretari Prof.Sali Mborja

 

 

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar

Wall Street Journal: Pse Shqipëria duhet të jetë destinacioni i radhës për udhëtarët e zgjuar