Si u vra Egli Proga? Dinamika e plotë e ngjarjes dhe dëshmitë në Polici hap pas hapi! Kontradiktat dhe versionet e protagonistëve

Dritë-hije të shumta dhe përplasje mes institucioneve po pasojnë vrasjen e 42 vjeçarit Egli Proga në mes të qytetit të Pogradecit më 10 gusht. Në reagimin e parë të dhënë për mediat, 4 ditë pas vrasjes, Prokuroria zbardh dinamikën e ngjarjes, që nga momenti kur është marrë njoftimi për një person të gjetur pa ndjenja në rrugë deri tek regjistrimi i procedimit penal për veprën ‘vrasje nga pakujdesia’. Shqiptarja.com, në bazë të dëshmive që janë dhënë në Polici, ka rindërtuar dinamikën e ngjarjes. 

Rreth orës 19:09 të 10 gushtit, është marrë njoftimi se në afërsi të vendit quajtur “Axhensia”, tek rreth-rrotullimi, lagjja nr.2 në Pogradec, është gjetur një person i shtrirë pa ndjenja, i cili pas mbërritjes së punonjësve të policisë lokale, është identifikuar si Egli Proga. Sipas Prokurorisë, Proga, baba i dy fëmijëve, është dërguar në spital pa shenja jete.

Si nisi përplasja dhe dëshmitë në polici?

Egli Proga ka mbyllur lokalin e tij te ‘Nazua’ rreth orës 18:30. Report Tv solli videon e momentit të fundit para vdekjes së Progës, ku pasi ka mbyllur lokalin ka kaluar para një dyqani me fruta perime, dhe si duket më pas është futur në lokalin ‘Stropcka’, jo më larg se 20 m nga lokali i tij. Aty ka nisur gjithçka dhe sherri me Denis Meçen.Kjo është renditja e hapave sipas dëshmive të mbledhura nga policia:

1- Viktima ka vajtur tek lokali ku ka ndodhur ngjarja, për të pirë. 

2- Tek lokali kanë qenë jashtë autori me dy të tjerë edhe këta të pirë.

3- Brenda lokalit ka qenë dhe një shtetas vetëm, edhe ai duke pirë.

4- Viktima fillimisht është ulur me personin brenda duke pirë me të dhe në këtë moment ka nisur debati me tre shtetasit që kanë qenë duke pire jashtë kur vrasësi u afrua duke kërkuar një cigare.

5- Autori është ngritur nga tavolina e tij dhe ka vajtur tek viktima për ta sqaruar se çfarë kishte dhe debati u acarua.

6- Pas kësaj autori i ka kërkuar të dalë jashtë e të sqarohen dhe kur kanë dalë jashtë autori e ka shtyrë ose goditur viktimën i cili është rrëzuar.

Policia pretendon që nga informacionet e tyre, autori dhe viktima nuk kane patur ndonjë konflikt të mëparshëm as ngacmime ose gjobëvenie. 7 persona janë marrë në pyetje, ndërsa për 3 prej tyre ka nisur hetimi për mos kallëzim krimi, mes tyre edhe Voltan Shulku, pronari i lokalit ‘Stropcka’ ku ndodhi vrasja.

Në pyetje është marrë një person që ka qenë në lokal në të njëjtën tavolinë me Progën. Personi i identifikuar me inicialet A.Sh., ka deklaruar se Egli Proga është futur në lokal dhe atij i është dukur në gjendje të dehur. Fillimisht, sipas dëshmisë së tij, Proga dhe Meçe kanë nisur të bëjnë shaka me njëri-tjetrin, por në një moment Proga ka filluar që të ofendojë të riun. Më pas Meçe i ka kërkuar Progës që të dalin pak jashtë dhe të sqarohen.

Në këtë moment, sipas dëshmisë, Meçe ka qëlluar me grusht Progën, ndërsa ky i fundit ra në anën e një makine dhe më pas në tokë.

Në pyetje është marrë edhe A.B., kushëriri i Egli Progës. Ai deklaroi se ka qenë në një largësi rreth 30 metra kur ka parë që një person ka qëlluar me grusht një person tjetër dhe ai u rrëzua në tokë. Ai deklaroi se nuk u afrua por pa që doli pronari i lokalit, Voltan Shulku dhe i ofroi ndihmë të dëmtuarit.

Më pas në pyetje është marrë edhe pronari i lokalit Voltan Shulku, 40 vjeç, Arian Manellari, 55 vjeç, dhe Leonidha Guçe, 47 vjeç. Të tre kanë deklaruar se nuk e panë ngjarjen, por shkuan pranë viktimës pasi dëgjuan të bërtitura. 

Proga në spital pa shenja jete

Në reagimin e saj, Prokuroria nuk jep detaje se kur ka mbërritur ambulanca në vendin e ngjarjes dhe sa ka qëndruar i shtrirë Proga në tokë, pasi ka akuza nga familjarët se është vonuar. Edhe pse shefi i Qendrës Kombëtare të Urgjencës, Skënder Brataj deklaroi sot se ambulanca ka shkuar në vendin e ngjarjes pa vonesa. Në orën 19:10 është njoftuar Spitali i Pogradecit, në orën 19:14 ekipi është nisur drejt vendngjarjes dhe në 19:18 ka mbërritur në vendin e ngjarjes, sipas Bratajt. 

Proga ka mbërritur në spital pa shenja jete. Nga këqyrja e jashtme e trupit të viktimës, bluzat e bardha kanë konstatuar dëmtime në pjesën e fytyrës, në krahun dhe këmbën e majtë, por nuk përcaktohet shkaku i këtyre dëmtimeve, nëse është si rezultat i goditje me grushte, me sende të tjera, apo nga rrëzimi i trupit të lirë të viktimës në trotuar dhe mundësia e përplasjes ndërkohë me ndonjë send. Do të jetë ekspertiza e Institutit të Mjekësisë Ligjore që do të përcaktojë saktë se nga çfarë janë shkaktuar dëmtimet në trupin e viktimës.

Efektivi fsheh ngjarjen: Një i dehur është rrëzuar dhe ka vdekur

Në momentin që bluzat e bardha kanë konfirmuar vdekjen e Egli Progës, i pranishëm në spital ka qenë efektivi Artur Lilo, i cili ka njoftuar sallën operative se një i dehur është rrëzuar në tokë dhe ka humbur jetën. Në spital ka qenë i pranishëm edhe kushëriri i Egli Progës, i cili ka dëgjuar telefonatën e efektivit Lilo dhe ka reaguar në atë moment duke i thënë policit se Egli ishte dhunuar.

Efektivi jo vetëm që s’ka raportuar dhunën, por ka shpërfillur edhe deklaratat e të afërmit duke iu përgjigjur ‘ik ore andej’. Polici është vënë në hetim për shpërdorim detyre pasi nuk e ka dokumentuar ngjarjen dhe shkakun e vdekjes.

'Kontradikta' për kapjen e Denis Meçes

Lajmet për vdekjen e Egli Progës u shpërndanë më 10 gusht në media si një vdekje aksidentale, por policia ka dalë me reagim zyrtar rreth 16 orë me vonesë, konkretisht më datë 11 gusht rreth orës 10:15. Policia konfirmoi se kemi të bëjmë me një vrasje dhe ka referuar materialet në prokurori për akuzën vrasje me dashje.

Po ashtu, blutë e Pogradecit njoftuan se kanë arrestuar autorin e dyshuar Denis Meçe, por në njoftimin e Prokurorisë ditën e sotme, 14 gusht, thuhet se pasi u identifikua autori i dyshuar u kryen veprime për gjetjen e vendndodhjes së tij, por Meçe është dorëzuar vetë në komisariat.

Autori: S'kisha qëllim ta vrisja Progën, s'e godita

Në dëshminë e tij, sipas Prokurorisë së Korçës, Meçe ka deklaruar se nuk ka patur si qëllim vrasjen e Progës. Sipas Meçes, ka tentuar ta godasë, por nuk e ka goditur, pasi Proga është rrëzuar direkt vetë në tokë. Më pas i çorientuar është larguar.

“Në një moment mua më kanë mbaruar cigaret dhe kam hyrë brenda i kam thënë pronarit të lokalit për cigare, por atje ky djali më ka thënë: ja se ta dredh një unë dhe unë për respekt ja mora. Sa kam kthyer kurrizin ky më shau.

Unë i kam thënë po hajde pak jashtë të flasim, ai më shau sërish dhe kemi dalë jashtë. Unë kam dashur t’i fus një shpullë ta qetësoja por, sa i jam afruar kam ngritur dorën ai është rrëzuar në tokë dhe nuk u ngrit më. Mua nuk më është besuar hiç dhe pasi jam frikësuar nga situata jam larguar. Dua të them se unë kisha gjithë ditën që konsumoja alkool dhe me sa pashë edhe ai ishte i dehur”.- ka deklaruar Denis Meçe.

Prokuroria zbut akuzën në 'vrasje nga pakujdesia'

Këto dëshmi dhe prova janë referuar nga Policia në Prokurori dhe prokurorja Vasjana Postol në bazë të këtyre materialeve ngriti akuzën 'vrasje nga pakujdesia’ dhe jo ‘vrasje me dashje’ siç e kishte referuar Policia Vendore e Pogradecit. Akuzën vrasje nga pakujdesia, Prokuroria thotë se e ka ngritur pasi “goditja me grusht (siç ka rezultuar nga dëshmitë, autori i dyshuar e ka goditur vetëm një herë me grusht viktimën), nuk tregon vullnetin e viktimës për të vrarë një person, përndryshe prej tij do të ishte zgjedhur me shumë mundësi një send tjetër për të realizuar qëllimin e tij kriminal, por vetëm për ta dëmtuar atë, ndërsa vrasja me dashje kërkon qëllimin e viktimës për ta vrarë personin, duke marrë edhe sendet e nevojshme për ta realizuar qëllimin e tij.”

Ndërkohë, hetimet vazhdojnë dhe Prokuroria thotë se nga provat që do merren në vijim do të bëhet edhe regjistrimi përfundimtar i veprës penale si dhe do të njoftohet akuza e personave të pandehur.

Gjykata konfirmon masat e sigurisë

Në seancën e 13 gushtit, gjyqtarja Luljeta Kole la në fuqi masën arrest me burg për Denis Meçen dhe konfirmoi akuzën vrasje nga pakujdesia, ndërsa për 3 të tjerët, Voltan Shulku, Arian Manellari, Leonidha Guçe la në fuqi masën detyrim paraqitje. 

Zbutja e akuzës sjell reagime në opinion, institucionet ping-pong

Zbutja e akuzës në vrasje nga pakujdesia për Denis Meçen solli reagime të ashpra në opinion, ndërsa institucionet përgjegjësinë po ia kalojnë njëra-tjetrës. Policia thotë se ka referuar materialet në Prokruoi për akuzën ‘vrasje me dashje’. Nga ana tjetër, Prokuroria thotë se ka zbutur akuzën në vrasje nga pakujdesia në bazë të provave që ka referuar policia, ndërkohë Gjykata po ashtu zhvishet nga ‘përgjegjësia’ duke thënë se ka lënë në fuqi masën e kërkuar nga Prokuroria. ILD ka nisur verifikimet.

Familja kërkon drejtësi

Vrasja e Progës është shoqëruar me akuza të shumta nga familjarët se Policia ka tentuar të fshehë ngjarjen. Përmes homazheve të mbajtura sot ata kërkojnë drejtësi për vrasjen e Progës dhe që ngjarja të mos politizohet.

Familjarët thanë se autori i vrasjes, Denis Meçe dhe shokët e tij njihen si gjobvënës në Pogradec dhe shkak sipas tyre mund të jetë refuzimi i viktimës, Egli Proga për të paguar gjobën. Jashtë kameras, qytetarët kanë ngritur dyshime se organet e drejtësisë dhe policisë po favorizojnë 29-vjecarin Meçe pasi është nipi i eksponentit të PS-së, Valter Gorës, ish-drejtues i postes shqiptare dhe ujësjellës kanalizimeve në Pogradec, dënuar më herët për korrupsion dhe shpërdorim detyre./Shqiptarja.com

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:54
ME VIDEO/ Momenti i fundit kur Egli Proga mbyll lokalin pak para se të vritej! Pak minuta më pas i vrarë në mes të rrugës

Janë dy video, pamjet e të cilave të cilat do të ndihmojnë për të zbardhur vrasjen e Egli Progës në Pogradec më 10 gusht 2024.

Video e parë është momenti kur ai ka dalë nga kafeja “te Nazua’ ka mbyllur derën dhe është larguar për në shtëpi. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:30 minuta.  Report Tv solli edhe pamjet e fundit të Progës para se të rrihej brutalisht për vdekje. Shikoni me poshte 


 

Pak minuta më pas, jo shumë larg kafesë së tij më pas, 3 lokale më pas ai është takuar me autorin Denis Meçe në tek Lokali ‘Stropcka’ ku dhe ka takuar autorin Denis Meçe.

Aty ka nisur konflikti mes tyre dhe Meçe e ka goditur Progën. 42 vjeçari është goditur paraprakisht dhe në agoni e sipër ka bërë vetëm disa hapa jashtë lokalit dhe është rrëzuar pas një makine. Ky është dhe momenti I fundit që është kapur nga kamerat e sigurisë, ku Proga ndodhet i shtrirë përballë lokalit ku ndodhi ngjarja.

Foto: Momenti kur u gjet i shtrirë nga policia, 10 gusht 2024

 

 

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Drejtesia: 15/08/2024 08:48

    Po Rama ç’do që hyn në mes? Kërkon ti vej kapak e bëhet palë? Ça i djeg Ramës? I trembet ndonjë rebelimi të popullatës mbase?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë