Siç i kopjojmë Italisë turizmin, gatimin, modën, sa më shpejt dhe sistemin shëndetësor!

Siç i kopjojmë Italisë turizmin, gatimin, modën, sa më shpejt dhe sistemin shëndetësor!

Një dhomë në spitalin San Carlo, Milano, Itali

Shëndetësia publike italiane nuk është në ditët e saj më të mira. Si shumë shtete europiane vuan mungesën e fondeve, mungesën e personelit dhe eksodin e më të mirëve drejt vendeve të Europës qendrore dhe veriore ku paguhen më shumë; shpesh vuan listën e gjatë të pritjeve për një ndërhyrje apo kurim në spitale. E megjithatë, shëndetësia italiane është një mrekulli që ne duhet ta synojmë.

Pasi pret radhën (ndonjëherë e gjatë me muaj apo dhe në kapërcimin e vitit), është një telefonatë që njofton nga spitali përkatës (publik apo privat në konvencion me Shtetin) që duhet të prezantohesh për parashtrimin. Atë ditë infermierët u japin të gjithë pacientëve të paraqitur nga një numër dhe me radhë, njëri pas tjetrit, italianë apo të huaj, të rinj apo të moshuar, burra apo gra, bëjnë vizitat, analizat, ekografitë apo radiografitë e nevojshme për operacionin që do të zhvillojnë. Të gjitha bëhen brenda në spital, askush nuk të çon në struktura të tjera apo më keq private. Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i përfshin dhe të gjitha analizat e shërbimet janë realisht falas. Nuk duhet të lusësh askënd, nuk duhet të paguash askënd, nuk duhet të lavdërosh apo të shash askënd. Pacientët presin me durim kalimin nga një laborator në tjetrin derisa përfundojnë analizat që duhen bërë. Është kryeinfermierja që organizon dhe rregullon gjithçka duke thirrur me numër dhe sipas radhës. Të gjithë janë të shpejtë, të gjithë e dinë me saktësi punën që duhet të bëjnë.

Në ditën e shtrimit, që sipas ligjit italian parashikohet deri në 30 ditë prej datës së parashtrimit, sërish kryeinfermierja e repartit përkatës (urologji, neurologji, onkologji, ortopedi etj) cakton krevatin dhe dhomën në të cilën do të shtrohet pacienti. Strukturat spitalore italiane kalojnë disa dhjetëravjeçarë ndërtimi. Nuk kanë lukse apo ngjyra të bukura, por pastërtia dhe rregulli janë shembullorë. Krevati dorëzohet i dezinfektuar dhe me çarçafët të bardhë si bora dhe pacienti është si një bërthamë rreth të cilit lëvizin si milingona punëtore që nga infermierët, mjekët, pastruesit, dhe shërbimet e ushqimeve në tre vakte. Askush nuk lut infermierët të marrin ilaçet e ditës të masin tensionin, të rregullojnë e ndërrojnë çarçafët, apo më keq të paguajnë nën dorë për të marrë shërbimin që u takon. Pacienti hyn në spital vetëm me rrobat e trupit të cilat do t’i shërbejnë kur të dalë.

Italianët vetë ankohen papushim për shërbimin e tyre shëndetësor, denoncojnë parregullsi apo mjekë e infermierë neglizhentë dhe mirë e bëjnë, pasi kritikat (jo balta!) bëjnë që këto struktura të funksionojnë, ose kur nuk funksionojnë të vihen në lëvizje e të përmirësohen. Kush shkel rregullat është përjashtim, ndërsa tek ne, bën përjashtim kush i respekton.

Edhe në spitalet tona pacienti vendoset në qendër të vëmendjes, por të gjithë rreth tij sillen si milingona që duan ta çojnë në struktura private, apo të marrin pagesa për çdo shërbim që bëjnë. Analizat përpara një ndërhyrjeje kirurgjikale mund të qëllojnë të bëhen nga një cep tjetër i Tiranës dhe shpesh në laboratorë privatë. Një paciente terminale u lutej të afërmëve të paguanin mjekët dhe infermieret sepse “...të gjithë këtu kështu e bëjnë dhe më vjen zor”.

Sigurisht që ka përjashtime, ka mjekë të mrekullueshëm, por rasti i ndonjë të drejti apo të pastri, stonon në mjedisin e përgjithshëm ku konsiderohet budalla ai që nuk merr para’, e nuk bën aq shumë pasuri sa të ngrejë paralelisht klinika private e t’i mbushë pastaj me pacientë që “i rrëmben” nga radhët e shërbimit publik shqiptar.

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Geri: 25/11/2024 19:41

    Znj. Malltezi te pergezoj per artilullin dhe temen mese te rendesishme te trajtuar ne te!

    Përgjigju
  • Torino: 25/11/2024 19:40

    Ke te drejte Alba!Shto dhe kete:mos guxoni ti jepni leke doktorit se pefundon i denoncuar te karabinieret per korruptim te personave qe punojne ne pune publike!

    Përgjigju
  • Nik: 25/11/2024 17:51

    Italise ne radhe te pare duhet ti kopjojme kulturen pastaj te tjerat vijne vet... neve na mungon kultura, respekti per te tjeret ,.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sot në 13:30 Man. City - Everton, Armando Broja e nis nga stoli

Sot në 13:30 Man. City - Everton, Armando Broja e nis nga stoli