Sidrit Bejleri: Rrëfej
fenomenin Elhaida

Sidrit Bejleri: Rrëfej<br />fenomenin Elhaida
TIRANE - Një ditë pas triumfit në finalen e The Voice of Italy të Elhaida Danit, Sidrit Bejleri flet si e ka njohur këngëtaren. Cilët janë ata që e kanë zbuluar fenomenin Elhaida në Shqipëri.

“Elhaida ka fituar në Star Akademi, por unë e theksoj që shkak i mosnjohjes është mediokriteti sot në fushën e muzikës, sepse me sa duket mendjen njerëzve ua kanë pushtuar këto femrat që këndojnë “këngë kombëtare” ose ato të cilat s’dinë të bëjnë gjë tjetër veçse të shpalosin atë bukuri që u ka falë Zoti, të zhvishen dhe ndoshta s’e kanë provuar asnjëherë që mikrofonin ta mbajnë hapur”, tha ai dje për gazetën “Shqiptarja.com”, ndërsa e vlerëson vajzën nga Shkodra si një fenomen me të cilën ai dhe Shkodra ku ka lindur krenohet.

“Më bëhet qejfi kur Zoti u jep këtyre vlerave si në rastin e Elhaidës, atë që ju takon, ashtu si dhe në rastin e Juliana Pashës, e cila këndonte këtu, por vetëm kur na përfaqësoi ne në festivalin europian njerëzit filluan ta pëlqenin dhe ta vlerësonin.”, thotë Bejleri, duke na treguar sesi ka qëndruar atë natë deri në fund të spektaklit dhe çfarë mendonte për Elhaidën dhe mentorin e saj, kantautorin e famshëm italian, Rikardo Koçante.  
 
Si e keni njohur Elhaidën. Kur ka qenë kontakti juaj i parë me talentin e saj?
-Kontakti im i parë me Elhaidën ishte kur unë merresha me albumin “Shend e verë”, në studion e mjeshtrit Shpëtim Saraçi. Ai tha se mund të marrim edhe një vajzë të talentuar që unë e kam tek “E diela shqiptare”. Ndërkohë unë kisha bërë një bisedë paraprake me dy koleget e mia me Juliana Pashën dhe Eneida Tarifën, t’i kisha si vokaliste, zëra të dytë të albumit tim.

Shpëtimi insistoi “Është edhe shkodrane dhe do t’i përgjigjet shumë mirë dialektit tënd”. Megjithatë i qëndrova strikt mendimit tim, duke mos e njohur në atë kohë Elhaidën. Por surpriza e njohjes me të ndodhi kur unë isha në jurinë e Top-Festit, kur unë dëgjova mes zërave të tjerë, që mund të ishin edhe mediokër, një zë të veçantë live. Kjo ishte Elhaida Dani. Unë ia dhanë çmimin e parë asaj.
 
Për moshën që ka dhe arritjet që ka, Elhaida shpalosi një modesti mbresëlënëse, si e komentoni këtë fakt?
 -Këtë ia vuri re edhe Rikardo Kocante, po e dëgjuat që e vlerësoi shumë për thjeshtësinë. Këtë thjeshtësi ajo e ka edhe se është besimtare. Gurgullima e zërit të saj vjen prej ujit të Shkodrës se Shkodra prodhon talente, që edhe dalin, por ndonjëherë edhe humbasin.

Tashmë Elhaida vjen me këtë “gol të madh” që e ka bërë në fushën kundërshtare. Pas fitores i kam dërguar vetëm një mesazh urimi me tekstin që “Kur Zotin e kujton as ai nuk të harron. Përqafime, Sid Bejleri”
 
Pse fitoren e saj e quani gol në fushën kundërshtare?
-Sepse i referohem asaj se çfarë ndodhi e çfarë përflitej. Ku mendohej se edhe pse kishte talent vështirë se ia japin një shqiptareje çmimin në Itali. Mendova edhe se çfarë ndodh me ne këtu në Tiranë. U hap një luftë e turpshme në facebook kur Rona Nishliu doli si talent, “pse kosovarët vinin të konkurronin këtu tek ne”.

Sipas kësaj logjike, i bie që një shqiptar të mos konkurronte fare në Itali. Pastaj vetë shqiptarët që kishin stisur diçka të tillë, ku ankoheshin se pse t’i jepet çmimi një kosovareje, për ta i bie të mos i jepej kurrsesi çmimi një këngëtareje shqiptare në tokën italiane.

Sikur Elhaida të ishte talent dhe italianët të mos ta kishin vlerësuar, do të ishte një turp i madh për ta. Italianët kanë fituar shumë pikë në sytë e shqiptarëve. Them që lotët e Elhaidës duhet t’i kushtohen publikut italian, i cili bëri zgjedhjen që u tha zemra për të.
 
Ka pasur ndikim juria?
-“The Voice Italy” është një paketë dhe është votimi i publikut që vendos. Është kontrata e patentës që publiku jep 71.7 me  28.3. Kur Elhaida mbeti vetëm me Timoteun, unë isha katërcipërisht i sigurt se Elhaida do të votohej, këtu nisem si profesionist, se këtu ai ka lëvruar vetëm atë rrokun, havy metal dhe shijet muzikale anojnë tep popi tek baladat.

Elhaida realizon çdo lloj materiali që vihet përpara. Por mbi të gjitha ajo performoi një këngë ku ka treguar vlera, tek materiali i dëgjuar dhe i kompozuar për herë të parë nga Rikardo Koçante. Aty shpalosi gjithë talentin e saj.
 
E lidhni ju fitoren e Elahidës me besimim?
-Po ta kini venë re, ajo ishte shumë e e qetë që në fillim buzëqeshte. Nuk dukej frika në sytë e saj. Dhe kjo nuk ishte çështje vetëbesimi, por ishte një dorëzim ndaj asaj që do të ndodhte... Dhe në qoftë se do të shkualifikohej, ajo do të mbetej e madhe një super këngëtare, që kushdo pret shumë prej saj.

Ajo ka shumë për të dhënë. Them që ishte thjeshtësia, qetësia dhe mençuria që e bëri atë të mos humbas kurrë energjinë, kur dihet që u konsuamuan pesë materiale.

Elhaida mua më rezulton se ka për fat edhe një emër ka dy kuptime fetare, nëse i përkthehet emri; “e udhëzuar nga zoti” dhe “dhuratë nga Zoti”. Di që ajo ka një traditë besimi, derisa ka performuar “Ilahi” aq bukur. Ajo ka sensin e besimit.
 
Si e komenton sjelljen e Koçantes me të?
-Jam shumë i iri për të folur për Koçanten. E njihja me “Margaritën” dhe nja dy arritje të jashtëzakonshme të tijat. Por me të vërtetë e kam kaptuar se peshën që ai ka si kantautor me veprën Notre Dame de Paris, një vepër perlë që e kam kënduar edhe vetë me rolin e Kuazimodos.

Profesionalizmi fantastik i tij e çoi këtë vajzë në fitore edhe pse ajo nuk kishte pasaportën italiane. Koçante e çoi deri në finale duke i dhënë materiale universale që e diferencuan Elhaidën me konkurrentët e tjerë, ku ajo tregoi superioritetin si lokaliste.

Ai i dha këngë të mëdha që kanë bërë histori dhe në këtë punë si profesionist fituesi nuk kishte diskutim. Po ta krahasoj me Timoteun konkurrentin e fundit, si profesionist them se pavarësisht stilit me të cilin këndoi, ishte shumë larg Elhaidës.

Këngët me peshën e Elhaidës, ai nuk do të mund t’i realizonte. Puthja në ballë e Koçantes është një gjest atëror, një gjest fisnikërie që ai në mënyrën më njerëzore çmoi talentin që vinte nga Shqipëria. Ai i shprehu të gjitha me këto fjalë: “Nuk jam unë që flas, është vokali që flet këtu”.

Mesazhi ishte prekës, familjar, popullor, i tillë që ta përqafonin të gjithë italianët. Elhaida e ngjiti spektaklin e The Voice në një shkallë sipërore. Nëse nuk do të ishte ajo, spektaklit do t’i mungonte një pikë e fortë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm