Shqipëria po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes kolektive euroatlantike. Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi e ka theksuar këtë mesazh në një takim me stafin e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve që janë pjesë e "Balkans Forward Congressional Fellowship 2026" të Këshillit Atlantik.

Ai thotë se Shqipëria po kontribuon në stabilitetin rajonal, ndërsa mikpritja e Samitit të NATO-s në Tiranë është shprehje e besimit.

“Bashkëbisedim i mirë sot në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes me anëtarë të stafit të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së , të cilët bëjnë pjesë në programin "Balkans Forward Congressional Fellowship 2026" të Këshillit Atlantik.

Një mundësi për të ndarë mesazhin se Shqipëria nuk është më vetëm një konsumatore e sigurisë euroatlantike – ajo po shndërrohet gjithnjë e më shumë në kontribuuese faktike e mbrojtjes kolektive, stabilitetit rajonal dhe gatishmërisë së NATO-s.

Korridori VIII, Porto Romano dhe Baza Ajrore e Kuçovës janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë kombëtare në kuadër të angazhimeve në Aleancë, ndërsa mikpritja e Samitit të ardhshëm të NATO në Tiranë është nder e përgjegjësi, shprehje e besimit ndaj vendit tonë dhe konfirmim se Ballkani Perëndimor është pjesë integrale e hapësirës së sigurisë euroatlantike”, shkruan Nufi në Facebook.

Ora 22:42
Siguria euroatlantike, Nufi: Shqipëria po kthehet në kontribuese, Samiti i NATO-s në Tiranë është shprehje e besimit