Fëmijët do të mësojnë në shkollë se si të mbrohen nga rreziqet e botës virtuale. Me nisjen e vitit të ri shkollor, siguria kibernetike do të përfshihet për herë të parë në programet e arsimit parauniversitar. Mësimi do të jetë me zgjedhje për klasat e para, të gjashta dhe të dhjeta në të gjitha shkollat e vendit.
“Kërcënime që kanë të bëjnë me bullizmin kibernetik, kërcënime që kanë të bëjnë me identitetin online, me vjedhjen e identitetit, me rënien në kontakt të përmbajtjes së papërshtatshme për këtë grupmoshë ose me rënien në kontakt të personave ë të rrezikshëm”, tha drejtori i AKSK, Bledar Kazia.
Kurrikulat do të përfshijnë njohuri të përgjithshme se si fëmijët duhet të mbrojnë të dhënat dhe identitetin e tyre online dhe si të reagojnë.
“Çfarë duhet të kenë kujdes duke filluar që nga informacioni që ato ndajnë online që nga dallimi i një përmbajtje reale nga një përmbajtje ë jo reale. Kjo duke marrë shkas edhe nga përdorimi në masë i inteligjencës artificiale kohët e fundit. gjithashtu me kë duhet të flasin në rast se kanë problematika ose hasin bullizëm kibernetik”, theksoi drejtori i AKSK, Bledar Kazia.
Për të garantuar që këto njohuri të përcillen siç duhet, do të trajnohen edhe mësuesit. Ata do të mësojnë si të reagojnë kur një nxënës raporton një rast abuzimi apo problematikë në hapësirën dixhitale.
“T'i trajnojnë se si duhet ta kenë qasjen në momentet kur një fëmijë ankohet ose paraqet përpara tyre një rast abuzimi në hapësirën dixhitale të çfarëdolloji qoftë ai, në mënyrë që ë mësuesit t'ia transmetojnë fëmijëve gjatë orarit mësimor dhe do vazhdojë e njëjta gjë edhe me prindërit në mënyrë që prindërit t'ua transmetojnë fëmijëve gjatë periudhës që ato janë jashtë ambienteve shkollore”, tha drejtori i AKSK, Bledar Kazia.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, në Agjencinë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike janë raportuar 240 raste abuzimi online.








Komente
Komento