Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka shkuar sot në GJKKO, ku është takuar me nënkryetarin Erion Bani. Vizita vjen në kuadër të masave të sigurisë të kërkuara pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja. Më 10 tetor, në ambientet e Gjykatës së Posaçme ishte edhe kreu i Gardës Simon Zereci.
Në mbledhjen e gjyqtarëve pak ditë pas vrasjes së Astrit Kalasë, Bani kërkoi inspektime në ambientet e gjykatave. Ai deklaroi se duhen evidentuar të gjitha problematikat deri tek pyetja e gjyqtarëve dhe stafit të gjykatave për çdo shqetësim apo problematikë që mund të hasin gjatë ushtrimit të funksioneve.
Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu tha se do të rishikojnë dhe përforcojnë masat e sigurisë brenda gjykatave dhe në perimetrin e tyre. Paketa për rishikimin e protokolleve në lidhje me sigurinë e gjykatave, do të përfshijë edhe angazhimin e Policisë së Shtetit, theksoi mes të tjerash ajo.
Ndërkohë, 260 gjyqtarët që u mblodhën javën e kaluar pas ngjarjes së rëndë te Apeli i Tiranës, në një deklaratë të përbashkët, kërkuan krijimin e një grupi të posaçëm me përfaqësim nga KLGJ, KLP, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Polica e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese.
Edhe KLGJ dje propozoi një plan masash, ku mes të tjerash kërkoi godina të reja për gjykatat, si ato ekzistuese, por edhe ato që do ndërtohen, të kalojnë në pronësi të tyre.
Komente










