VLORË- Policia Kufitare vijon monitorimin e vijës bregdetare, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit në Vlorë janë bllokuar 18 mjete lundruese. Bëhet fjalë për 13 Jet Ski, 4 gomone dhe 1 skaf të bllokuar për disa shkelje, si lundrim në zonë të ndaluar, mosregjistrim i pronësisë mbi mjetin lundrues dhe mungesë dokumentacioni në bord.
Konkretisht në Dhërmi, Palasë, Vlorë dhe Sarandë janë bllokuar 13 mjete lundruese Jet Ski. Njëri nga drejtuesit u ndëshkua me masën administrative 100 000 lekë, për lundrim në zonë të ndaluar, si dhe me masën 20 000 lekë, për mosregjistrim të pronësisë mbi mjetin lundrues, ndërsa 12 drejtuesit e mjeteve të tjera u ndëshkuan secili me masën 10 000 lekë, për mungesë dokumentacioni.
Në Dhërmi, Palasë, Radhimë dhe Vlorë janë bllokuar 4 mjete lundruese gomone dhe 1 mjet lundrues skaf. Drejtuesi i njërës prej gomoneve është ndëshkuar me masën 100 000 lekë, për lundrim në zonë të ndaluar, ndërsa drejtuesit e 3 gomoneve të tjera dhe drejtuesi i skafit janë ndëshkuar secili me nga 10 000 lekë, për mungesë dokumentacioni.
Këto kontrolle vijnë pas tragjedisë në plazhin e Llamanit në Himarë, ku një 16-vjeçar ka ndërruar jetë pas u përplas me një jet ski, duke kryer manovra të rrezikshme me bashkëmosharët e tij.
Ndërkohë, pasditen e djeshme policia i ka shkuar në ndihmë edhe një anije turistike me 200 turistë në bord, pasi kishte pësuar defekt gjatë lundrimit në det, në Vlorë. Menjëherë, shërbimet e Policisë Kufitare janë nisur me mjetet e tyre lundruese, në drejtim të adresës së dhënë. Anija turistike u nxor në breg dhe u ankorua në portin e Vlorës.
Po ashtu në ndihmë i është shkuar edhe një gomoneje që kishte pësuar defekt gjatë lundrimit, në gjirin e Borshit. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe kanë ndihmuar 3 shtetas, duke i nxjerrë në breg në gjendje të mirë shëndetësore.