Policia e Shtetit ka prezantuar planin e masave për garantimin e sigurisë gjatë vitit të ri shkollor që nis të hënën, 14 shtator. Gjatë një konference për shtyp, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, deklaroi se në fokus do të jenë kontrollet brenda dhe jashtë perimetrit të sigurisë së shkollave, me qëllim identifikimin dhe ndalimin e personave që tentojnë t’u afrohen institucioneve arsimore për përfshirjen e nxënësve në veprimtari kriminale, veçanërisht në lidhje me narkotikët

"Në krye të të gjitha shërbimeve të angazhuara për sigurinë në shkolla do të jenë shefat e komisariateve, të cilët do të kenë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për organizimin, koordinimin dhe kontrollin e shërbimeve në territor. Kam kërkuar që këto masa të mos mbeten vetëm në planifikim, por të kontrollohen dhe të zbatohen në terren. Përgjegjësia është konkrete dhe do të jetë e qartë për çdo drejtues vendor të Policisë.

Në këtë kuadër, kam udhëzuar specialistët e sektorëve kundër Narkotikëve dhe atyre Operacionalë në të 12 drejtoritë vendore të Policisë, që të organizojnë kontrolle me intensitet të lartë, si brenda, ashtu edhe jashtë perimetrit të sigurisë, me fokus identifikimin dhe ndalimin, me forcën e ligjit, të çdo elementi kriminal që tenton t’u afrohet institucioneve arsimore, të bëjë nxënësit pjesë të veprimtarive kriminale, veçanërisht në fushën e narkotikëve, apo t’u shesë atyre sende të tjera të kundërligjshme dhe me pasoja për jetën dhe shëndetin" tha Hita

Vëmendje të veçantë Hita tha se i është kushtuar edhe sigurisë rrugore pranë shkollave, për mbrojtjen e fëmijëve gjatë lëvizjes së tyre në fillim dhe në mbarim të orarit mësimor, si dhe gjatë pushimit të gjatë.

"Strukturat e Policimit në Komunitet, të Dhunës në Familje, të Krimeve Kibernetike dhe të Policisë Rrugore do të jenë të pranishme në shkolla, me orë ndërgjegjësuese për rreziqet e bullizmit, dhunës psikologjike në shkolla dhe në hapësirën digjitale, për sigurinë rrugore, si dhe për reduktimin e përdorimit të drogës, duhanit dhe alkoolit", tha Hita.

Në kuadër të paketës së sigurisë, Hitja tha se Policia e Shtetit do të bashkëpunojë me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit për kontrolle në bizneset që operojnë pranë shkollave.

"Do zhvillojmë kontrolle periodike në këto subjekte, për të verifikuar jo vetëm formalitetin e ushtrimit të aktivitetit të tyre ekonomik, por edhe përbërjen dhe skadencën e produkteve që konsumojnë nxënësit, si dhe kushtet higjieno-sanitare ku mbahen dhe tregtohen këto produkte.

Në këtë sipërmarrje, rol të rëndësishëm luajnë edhe oficerët e sigurisë në shkolla, mësuesit dhe psikologët. Ata janë ura jonë e drejtpërdrejtë e lidhjes me përditshmërinë në shkollë dhe një pikë e rëndësishme kontakti për evidentimin në kohë të problematikave", shtoi ai.

Një risi e këtij viti është përdorimi i teknologjisë në kuadër të projektit “Smart City”. Hitaj tha se në 20 shkolla janë vendosur kamera inteligjente për monitorimin dhe parandalimin e situatave që mund të cenojnë sigurinë.

"Këtë vit, sigurisë në shkolla i shtohet edhe një tjetër dimension i rëndësishëm: teknologjia. Në kuadër të projektit Smart City, në 20 shkolla janë vendosur kamera inteligjente, të cilat rrisin kapacitetet tona për monitorimin dhe parandalimin e situatave që mund të cenojnë sigurinë. Teknologjia na mundëson të jemi më të shpejtë në evidentimin e problematikave, më efikasë në reagim dhe më pranë qytetarëve, aty ku prania dhe ndërhyrja jonë kërkohet.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt një modeli modern të sigurisë publike, ku puna e punonjësit të Policisë në terren mbështetet gjithnjë e më shumë nga teknologjia dhe sistemet inteligjente. Dhe dua ta them qartë: teknologjia nuk zëvendëson punonjësin e Policisë. Ajo e bën më të shpejtë, më efikas dhe më të saktë punën e tij në terren”, tha Hita.

Në fund Hita u bëri thirrje nxënësve të mos heshtin në rastet e dhunës, bullizmit, kërcënimeve, shpërndarjes së narkotikëve apo përfshirjes së bashkëmoshatarëve në veprimtari kriminale, por të njoftojnë prindërit, mësuesit, psikologët, oficerët e sigurisë ose Policinë.

"Policia e Shtetit dhe gjithë hallkat e zinxhirit të sigurisë do të jenë pranë jush dhe do të reagojnë me vendosmëri dhe profesionalizëm, që ju të ndiheni të qetë e të sigurt në rrugën e dijes. Ky është angazhimi ynë, shkolla të sigurta, për të ardhmen e vendit tonë", përfundoi ai.