Kryepolici Skënder Hita ishte i pranishëm në një aktivitet sensibilizues në Tiranë për sigurinë rrugore, i cili synoi të ndërgjegjësojë përdoruesit e rrugës për përgjegjësinë që mbart gjithsecili.
Në fjalën e tij, Hita tha se Policia ka synuar të rrisë sigurinë rrugore duke i dhënë fund ndalimit pa shkak apo “gjuetisë” së gjobave përmes monitorimit inteligjent.
Një tjetër pikë që ai i kushtoi vëmendje është rritja e fluksit të qarkullimit gjatë sezonit turistik. Hita tha se janë hartuar plane të detajuara për të menaxhuar pikat kritike të trafikut.
Ai solli në vëmendje edhe disa këshilla të thjeshta, por të vyera për të gjithë përdoruesit të cilët duhet të tregohen të kujdesshëm me shpejtësinë, të mos bëjnë manovra të gabuara, të mos përdorin celularin apo konsumojnë alkool kur janë në timon.
“Siguria rrugore nuk është thjesht një sfidë institucionale. Ajo është një përgjegjësi e përbashkët, një detyrim moral dhe një garanci për jetën e çdo qytetari që lëviz në rrugë.
Sot nuk jemi këtu për një aktivitet sensibilizues të radhës, por për diçka shumë më të shtrenjtë, për jetën. Çdo humbje jete në statistikat tona të aksidenteve nuk është thjesht një numër, është një jetë e ndërprerë në mes, është një familje e lënduar. Drejtuesit e automjeteve, motomjeteve dhe këmbësorët duhet të ndërgjegjësohen dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit, pasi rruga nuk është një pistë garash, por një hapësirë bashkëjetese ku përgjegjshmëria e secilit prej nesh përcakton nëse do të kthehemi shëndoshë e mirë në shtëpi, te njerëzit tanë, ose jo.
Për të përmbushur një ndër prioritetet madhore të Policisë së Shtetit, siç është rritja e parametrave të sigurisë rrugore, dua të ndalem te një iniciativë e rëndësishme që kemi ndërmarrë në mënyrën se si e kontrollojmë qarkullimin. Koha e ndalimeve pa shkak apo e "gjuetisë" së gjobave ka mbaruar.
Sot, Policia e Shtetit ka hyrë në epokën e monitorimit inteligjent. Strategjia jonë e re bazohet në parimin, fajtorin e përcakton teknologjia, jo intuita.
Nëpërmjet mjeteve inteligjente si pajisjet “Poliscan”, dronët e cilësisë së lartë dhe radarët automatikë, ne evidentojmë shkeljet në kohë reale pa ndërprerë rrjedhën e trafikut dhe pa krijuar stres të panevojshëm te drejtuesit e rregullt të mjeteve. Ky është një hap i rëndësishëm drejt një policimi më profesional, më të saktë dhe më transparent, por, teknologjia nuk na shpëton dot nëse mungon vetëdija. Prandaj, gjej rastin t'iu bëj një thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve:
-Shpejtësia vret. Mos nxitoni për të mbërritur disa minuta më parë, duke rrezikuar të mos mbërrini kurrë ose të mbërrini të gjymtuar!
-Parakalimet e gabuara janë lojë me jetën;
-Celulari në timon ju verbon për sekonda që mund të jenë fatale, dhe mbi të gjitha
-Alkooli dhe substancat e tjera nuk kanë vend në timon! Kush drejton automjetin nën efektin e tyre, nuk po drejton një makinë, por një armë që rrezikon të vrasë jetën.
Po aq i rëndësishëm është edhe dimensioni i parandalimit dhe edukimit. Mesazhet sensibilizuese për drejtuesit e mjeteve janë thelbësore për të ndryshuar sjelljen në rrugë dhe për të rritur ndërgjegjësimin publik.
Një rol të veçantë në këtë proces ka bashkëpunimi me institucionet arsimore. Nxënësit dhe të rinjtë janë brezi që formëson kulturën e ardhshme të qarkullimit rrugor, ndaj edukimi i tyre që në moshë të hershme është investimi më i rëndësishëm për një Shqipëri më të sigurt.
Kjo është arsyeja pse ne po bashkëpunojmë fort me institucionet arsimore, sepse fëmijët dhe nxënësit tanë kanë një impakt të jashtëzakonshëm sensibilizues. Kur një fëmijë i thotë prindit në makinë, "Vendos rripin!" apo "Mos fol në telefon!", ai mesazh vlen më shumë se dhjetëra gjoba të Policisë.
Ky aktivitet merr një rëndësi akoma më specifike sot, teksa jemi në kulmin e sezonit turistik dhe siguria rrugore ka një rëndësi të veçantë në mbarëvajtjen e këtij sezoni, pavarësisht se vitet e fundit Shqipëria është pothuajse tërë vitin, në sezon turistik.
Për këtë fakt, Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë. Kemi hartuar plane të detajuara masash për menaxhimin e fluksit të madh të automjeteve që gjatë verës shumëfishohen. Fokusimi ynë do të jetë maksimal në pikat nevralgjike të trafikut, në akset bregdetare dhe turistike, duke bërë të mundur rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, lehtësimin e qarkullimit dhe një shërbim mikpritës e më profesional për çdo qytetar dhe turist që zgjedh vendin tonë.
Të nderuar të pranishëm,
As Policia e Shtetit dhe as teknologjia inteligjente nuk mund ta fitojnë këtë betejë pa kontributin e të gjithëve. Siguria rrugore është një kontratë sociale ku secili ka një pjesë të detyrës.
Është kontribut i këmbësorëve, që duhet të respektojnë vijat e bardha dhe mbikalimet.
Është kontribut i drejtuesve të motomjeteve që duhet të vendosin kaskën, dhe i drejtuesve të automjeteve që të respektojnë përparësinë në lëvizje dhe zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.
Është kontribut i autoshkollave, që nuk duhet të nxjerrin në rrugë thjesht njerëz me patentë, por shoferë të përgjegjshëm.
Është kontribut i shkollave, i çdo prindi, i institucioneve përgjegjëse dhe i mbarë shoqërisë. Çdo qytetar duhet të kuptojë se siguria rrugore fillon nga vetë përgjegjësia personale.
Duke bërë secili pjesën e vet, duke ndarë eksperiencat më të mira sensibilizuese, si kjo e sotmja me EVU-në, dhe duke rritur bashkëpunimin ndërinstitucional dhe bashkëpunimin me qytetarët, do të kemi rrugë më të sigurta dhe më shumë jetë të shpëtuara”, tha Hita.
Komente







Ishalla nje ore e me pare se po paguajme gjoba qe nuk kane adrese. Ne nje muaj kam paguar 300 mije leke gjoba me 50 % ulje.Adresat e gjobave jane : Ne Tirane, afer nje supermarketi, afer nje kafe etje. Sot sa pagova nje gjobe 30 mije Leke me adrese : Afer nje pallati ne ndertim. Kundravajtja nuk shenohet fare. Kjo eshte nje forme vjedhje .
PërgjigjuDakort z.drejtor por kur përfundon ky monitorim.
Përgjigju