Siguria rrugore, s'ka më furgona
10 ditë burg shoferëve të dehu

TIRANE- “Ndalohet transporti i qytetarëve me furgon. Kush kapet duke drejtuar mjetin i dehur apo pa patentë do të dënohet me 10 ditë burg.” Janë disa nga masat e rrepta që qeveria do të ndërmarrë për të rritur sigurinë rrugore, si dhe për të kufizuar aksidentet rrugore, të cilat vetëm brenda një dite morën jetën e 11 personave.

Dy ministra, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto zhvilluan sot në mesditë një konferencë të përbashkët për shtyp, për të prezantuar masat e reja të ndërmarra nga qeveria për sigurinë rrugore. Ministri Haxhinasto tha se do të punohet që patenta të mos jepet me para, por ta marrë kush e meriton.

EDMOND HAXHINASTO: FUND MARRJES SE PATENTES ME PARA NEN DORE
Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto foli dhe për ndryshime në Kodin Penal dhe Rrugor, si dhe për hartimin e një plani masash, që do t'i japin fund pagesave nën dorë për marrjen e patentës.

“Masat tona janë kryesisht të dy sektorëve, atyre që merren me transportin. Do të forcojmë gjithë procedurën e kontrollit të mjeteve, do të liberalizojmë tregun që të rrisim shërbimin e kontrollit të automjeteve. Do të heqim korrupsionin nga kontrolli i mjeteve. Do të vendosim elementë të detyrueshëm edhe për kontrollin e motorrëve të automjeteve, të ndotjes me gazra nga këto motorrë.”- tha Haxhinasto.

Sipas Ministrit të Transportit, “do të kemi një rikonceptim të të gjithë procesit të testimit për shoferët. Do të ndryshojmë procedurat, që në vend të dikujt të mos shkojë dikush tjetër. Do të kemi një metodologji konkrete, që askush të mos abuzojë dhe të marrin provimin për të tjerë persona”. 

HAXHINASTO: TESTIM PSIKOFIZIK PËR TË GJITHË DREJTUESIT E MJETEVE 
“Do të prezantojmë edhe një testim tjetër, atë psikofizik dhe mendojmë se është shumë i rëndësishëm për të parë se sa janë të gatshëm të drejtojnë automjetet. Ndryshime do të ketë edhe në sinjalistikë në rrugë. Janë parashikuar rreth 6 milion dollarë për sinjalistikën dhe do të vendoset në zonat e rrezikshme. Ndërhyrje do të ketë edhe në ruajtjen e rrugës, si një aset i rëndësishëm kombëtar dhe i qytetarëve. Ta ruajmë rrugën nga dëmtimet, nga vjedhja e sinjalistikës, duke ashpërsuar masat”, theksoi gjatë fjalës së tij, Haxhinasto.

HAXHINASTO: DO TË ELEMINOJMË KRYQËZIMET HORIZONTALE
“Do të vendosim një standard shumë të qartë për hyrjet dhe daljet në rrugë, që të mos jenë më pika të zeza ku shkaktohen aksidentet. Do të eleminojmë kryeqëzimet horizontale apo që janë në të njëjtin nivel. Kemi nevojë për një reformë të thellë, që transporti mes qyteteve të jetë i sigurtë, me mjete të sigurta, me shoferë të çertifikuar për këtë qëllim”, përfundoi fjalën e tij Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto.

SAJMIR TAHIRI: KJO ËSHTË PAKETA MË E PLOTË PËR SIGURINË NË RRUGË
“Kjo është paketa më e plotë e ndërhyrjes në të gjitha hallkat, të cilat pas kësaj ndërhyrjeje do të garantojnë siguri rrugore maksimale, për të garantuar jetën dhe shëndetin e drejtuesve të mjeteve, pasagjerëve dhe kalimtarëve. Siguria rrugore është një problem prandaj bashkë me kolegun Haxhinasto do të prezantojmë një paketë masash.
 
Çdo masë e pjesshme mund të ndikonte në sistem, por jo në mënyrë siç do të ndikojë kjo paketë. Ne jemi të vendosur që të luftojmë edhe shkaqet që çojnë në aksidente. Do të fillojmë edukimin që në shkollë për sigurinë rrugore. Ne jemi të vetëdijshëm që të gjitha këto masa do të ngelnin në letër nëse nuk do të përcaktohen dënimet për shkelësit e rregullave rrugore”, deklaroi Ministri i Brendshëm gjatë fjalës së tij për sigurinë rrugore.
 
TAHIRI: NUMRI I TË VDEKURVE NGA AKSIDENTET MË I MADHI SE ÇDO VEND
Për Ministrin e Brendshëm, “numri i aksidenteve, shprehur në shifra, në Republikën e Shqipërisë është më i madh se në çdo vend tjetër dhe kjo është e papranueshme. Deri më sot Policia dhe Ministria e Brendshme kanë bërë të mundur përgatitjen e një protokolli standard për efektivët e Policisë Rrugore. Ky protokoll është i hartuar dhe tani është në fuqi”.
 
“Kemi firmosur marrëveshjen e bashkëpunimit për të bërë të mundur që para kolaudimit të mjetit, drejtuesi t'i shlyejë të gjitha detyrimet që ka ndaj shtetit. Kjo garanton që instrumenti i sanksionit në rastin e shkeljes së rregullave të rëndojë mbi drejtuesit e mjeteve. Çdo gjobë e paguar në postë apo banka, do të reflektohet menjëherë në sistem. Tani çdo gjobë që paguhet reflektohet menjëherë në sistemin e policisë”, tha Tahiri.
 
TAHIRI: FOTOGRAFIM DHE FILMIM TË ÇDO SHKELJEJE NË RRUGË
“Do të bëjmë dkumentimin e çdo lloj shkeljeje nëpërmjet fotografimit dhe filmimit në çdo zonë, urbane dhe rurale. Do të kërkohet respektimi i normave të shpejtësisë, duke luftuar përdorimin e alkoolit, drogës, i telefonit celular në drejtim të mjetit, mos përdorimin e rripit të sigurimit, mbajtjen e fëmijëve në vende të papërshtatshme në mjet dhe mos përdorimi i kaskave nga drejtuesit e motorrëve.
 
Këto janë shkeljet më të shpeshta dhe sjellin edhe pasoja fatale për jetën e njeriut dhe këto shkelje i kemi përcaktuar si prioritare, për shëndetin dhe jetën. Kemi numrim shumë herë më të lartë krahasuar me çdo vend të botës, ku në një aksident përfshihet një këmbësor. Në BE ky aksident nuk përfshihet fare në shifra. Në 295 aksidente me vdekje, 93 përfshijnë një këmbësor. Kalimtarët duhet të kenë respekt për shenjat e qarkullimit”, theksoi gjatë fjalës së tij, Ministri i Brendshëm.
 
TAHIRI: 10 DITË BURG KUSH DREJTON MAKINËN NË GJENDJE TË DEHUR
"Unë, dje, kam dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë propozimin për ndryshim në Nenin 291 të Kodit Penal, duke përcaktuar si masë minimale të dënimit të drejtuesve të mjeteve pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur, 10 ditë heqje lirie. Të drejtosh mjetin në gjendje të dehur ose pa patentë, nuk është shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor, por është vepër penale dhe përbën potencial të shtuar për të shkaktuar dëme serioze në jetën e njeriut, ose humbjen e jetëve. Një mjet që drejtohet nga njeriu në gjendje të dehur, ose pa patentë, është një armë që udhëton. Ndaj, si e tillë, Ministria e Punëve të Brendshme ka propozuar që dënimi minimal i mundshëm që mund të propozojë prokurori ose të japë gjyqtari është 10 ditë heqje lirie, ose thënë ndryshe, burg. Për statistikë, në 4 muaj, që nga dita e parë e ushtrimit të detyrës nga unë si Ministër ose nga kjo Qeveri, Policia e Shtetit filloi praktikën e arrestimit të drejtuesve të mjeteve pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur", deklaroi Tahiri.

Ai bëri të ditur se "Deri më sot janë arrestuar 660 shtetas, të ndaluar me vendim gjyqësor janë vetëm 83 shtetas".
"Ne mendojmë që mungesa e politikës së njëjtë në zbatim të ligjit lidhur me sanksionet, sjell detyrimisht mungesën e respektit të ligjit nga këta njerëz që ndalohen nga policia dhe lirohen në sallën e gjyqit. Ndaj na lind e detyrueshme t’i propozojmë Parlamentit të ndryshojmë Kodin Penal dhe arrestimi nga punonjësi i policisë të vlejë, minimalisht, 10 ditë heqje lirie. Kemi përfshirë në paketën e masave një sistem të tërë teknologjik dhe transmetimi i të dhënave on-line, të cilën unë e përmenda edhe më parë, për çdo lloj kundravajtje dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Duke garantuar kështu që shkelësit të marrin atë që meritojnë, jo pse ne kemi dëshirë të dënojmë shkelësit, por kemi detyrim të garantojmë jetën e qytearëve, qofshin edhe shkelës të rregullave të qarkullimti rrugor". 

 TAHIRI: NUK DO KETË MË TRANSPORT PASAGJERËSH ME FURGONA
“Së bashku me kolegun Haxhinasto do të marrim masa immediate për të sanksionuar rregullat e transportit qytetar. Transporti me furgon përbëjnë shkak për aksidentet, shpeshherë fatale për jetën e qytetarëve. Po e trajtojmë si një masë sigurie për të parandaluar aksidente me pasoja fatale. Një masë që kërkon një planifikim në kohë. Me kolegun Haxhinasto po aplikojmë aktet përkatëse dhe menjëherë do të thotë menjëherë. Kemi parashkikuar në planin e masave kontrollin e mjetëve me targa të huaja. Në BE kjo nuk është problem, por në Shqipëri është problem, duke përcaktuar një rregjim për mjetet që nuk mbajnë targa shqiptare. Jo per mjete që vijnë jashtë Shqipërisë për qëllime të përkohshme, por për ato që qëndrojnë për vite të tëra”, tha ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri.

REGJIM TE POSACEM PER MJETET ME TARGA TE HUAJA
"Ndërkohë kemi parashikuar në planin e masave kontrollin e qarkullimit të mjeteve me targa të huaja dhe regjim të përkohshëm. Në Bashkimin Europian kjo gjë nuk është fare një problem, por në Shqipëri është problem dhe ne do ta trajtojmë si të tillë, duke përcaktuar një regjim të veçantë për mjetet që nuk mbajnë targa shqiptare. Këtu bëhet fjalë jo për mjete që vijnë jashtë Shqipërisë për qëllime të përkohshme, por për mjete që rrijnë këtu për vite të tëra me targa të huaja, duke zgjatur vit pas viti lejen e qëndrimit. Kjo nuk do të jetë më e mundur", bëri të ditur Tahiri.

PAJISJA ME KONTRATE SIGURIMI TE DETYRUESHME TE MJETEVE
Në planin e masave është parashikuar gjithashtu "detyrimi në fazën e regjistrimit të mjeteve rrugore dhe pagimi i taksave dhe detyrimeve shtetërore në këtë moment, që drejtuesi i mjetit të jetë i detyruar të pajiset me kontratën e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve. Kjo është një masë jo vetëm për të garantuar dëmet materiale që nuk i kushtojnë në fakt pak shtetit, por mbi të gjithë për t’i garantuar shëndetin dhe jetën e njeriut".

KONSULTA ME KOMPANITE E SIGURIMIT PER ULJEN E AKSIDENTEVE
"Nga ana tjetër, së bashku me kolegun Haxhinasto kemi filluar një proces konsultash me kompanitë e sigurimit, për të përcaktuar dënimin që duhet të bjerë mi ta, lidhur me marrëdhënien që duhet të krijojnë, në mënyrë institucionale me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Transporteve për instrumentet e përbashkëta të edukimit dhe parandalimit të aksidenteve në vend", tha ministri Tahiri. 

TAHIRI: NUK MUND TË KETË NGA NJË POLIC NË ÇDO KRYQËZIM
“Në planin e masave kemi parashkikuar detyrimin në fazën e rregjistrimit të mjeteve rrugore dhe pagimin e taksave që drejtuesi i mjetit të jetë i detyruar të pajiset me kontratën. Për të garantuar shëndetin dhe jetën e njeriut së bashku me një proces konsultash për të përcaktuar detyrimin që bie mbi ta, lidhur me marrëdhënien me Ministrinë e Brendshme dhe Transporteve, lidhur me masat për parandalimin e aksidenteve. Kërkohet bashkëpunim nga qytetarët, nga drejtuesit e mjeteve, por edhe nga kalimtarët. Në asnjë vend të botës nuk bie barra mbi Policinë e Shtetit që të ketë polic që të jetë në çdo kryqëzim apo kthesë”, përfundoi fjalën e tij, ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri.

HETIME PER AUTORITETET E KOMPANITE PERGJEGJESE PER AKSIDENTET
Jemi në diskutim, megjithse Policia e Shtetit ka filluar aplikimin prej disa mujash për hetime më të plota në raste aksidentesh dhe marrjen në përgjegjësi penale të Autoriteteve, qofshin edhe Publike por edhe Kontraktorët private, të cilët për shkak vonesash në përfundimin e punimeve në rrugë, apo për shkak të mosparashikimit të instrumenteve të sigurisë në rast punimesh, shkaktojnë apo sjellin pasoja të rënda ose fatale për shëndetin e njeriut. Këta do të konsiderohen subjekte të përgjegjësisë penale dhe do të hetohen si të tillë.


Redaksia online
(a.c/b.g/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sherr me sende të forta mes të rinjve në Tiranë, dhunohet djali i oficerit të Krimeve të Rënda

Sherr me sende të forta mes të rinjve në Tiranë, dhunohet djali i oficerit të Krimeve të Rënda