Kjo, edhe si pasojë e lëvizjeve që kishin ndodhur në vitin 1968, ku ngritja e ndërgjegjes kombëtare dhe largimi i Rankoviçit nga pushteti ( mënjanimi i tij nga Tito në fakt) kishin sjellë një përmirësim relativ e mjaft domethënës për shqiptarët e Kosovës.
Gjithsesi, në thelb gjendja vijoi të ishte ajo që kishte qenë, dhe kosovarët nga kjo anë e kufirit shiheshin vazhdimisht me dyshim si agjentë të UDB-së, e u kërkohej të propagandonin më shumë marksisëm-leninizmin në versionin enverist, se sa vërtetë mbështeteshin e cyteshin të luftonin për të arritur qëllimet e tyre finale. Por çfarë mendonin vetë kosovarët që jetonin tashmë si pjesëtarë të një emigracioni me status të azilantit politik, si “të huaj”, në Shqipërinë socialiste, për PPSH-në, udhëheqjen, për punën e saj në drejtim të çështjes së Kosovës, për kushtet në të cilat ishin lënë të jetonin e punonin në vendin “amë”, të ardhmen e tyre etj.
– Ja çfarë thuhej në një pikë të raportit SEKRET ( A.Q.SH. F.14/AP STR V.1970, D. 76, fl. 5-8.) që ish-Zëvendësminstri i Brendshëm, Rexhep Kolli, i dërgonte mbi këtë çështje, njërit prej sekretarëve të Komitetit Qendror, dhe ish-anëtarit të Byrosë Politike të PPSH-së, Ramiz Alia. “Flitet se Republika Popullore e Shqipërisë dhe udhëheqja e saj, asnjëherë nuk ka menduar seriozisht për Kosovën. Veprimtaria e saj në këtë drejtim, ka qenë e pakët. Edhe në periudhat më të vështira që ka kaluar Kosova, në vitet 1955-1956 – aksioni i armëve – dhe masat e tjera Rankoviçiane, shtypi i ditës e radioja shqiptare, janë mjaftuar me artikuj vetëm kundër revizionizmit titist dhe nuk kanë shkruar asgjë tjetër të veçantë për Kosovën”.
Diku tjetër thuhet se: “Gjendja e trajtimi i emigracionit kosovar në Shqipëri, jo gjithmonë ka qenë i drejtë. Kosovarët s’janë trajtuar si shqiptarë e patriotë, por janë mbajtur në kampet e Çermës dhe të Semanit”, ose edhe se: “Ne si kosovarë, pavarësisht se ç’bën shteti shqiptar, duhet të organizohemi e të punojmë për Kosovën”. Cilat ishin në fakt kërkesat e tyre dhe çfarë bisedonin me njëri-tjetrin?. Raporti në fakt dëshmon disa të vërteta të hidhura rreth kësaj çështje, dhe nga pikëpamja e sotme, por edhe e djeshme, vërteton me dëshmi të dorës së parë, pretendime të hershme për një trajtim joadekuat e jopatriotik të vëllezërve tanë të një gjaku dhe abuzimit me çështjen kombëtare. Për më shumë, raporti i plotë:
* * *
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
DEGA E VEÇANTË
Nr. 175
SEKRET
Tiranë më 1.4.1970
Lënda: Mbi disa pikëpamje armiqësore në radhët e emigracionit kosovar me banim në RPSH.
KOMITETIT QENDROR TË PPSH
SHOKUT RAMIZ ALIA
TIRANË
Në vendin tonë, që nga viti 1948 e në vazhdim, kanë ardhur një masë e konsiderueshme shqiptarësh nga krahina e Kosovës dhe viset shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Nga ana jonë, në bazë të orientimeve, është bërë trajtimi i tyre duke i konsideruar emigrantë politikë. Pjesa dërrmuese e këtij emigracioni është stabilizuar përfundimisht në vendin tonë dhe si e tillë punon e aktivizohet në të gjithë sektorët e jetës së vendit. Qëndrimi politik i tyre është pro vijës së partisë dhe të gatshëm për të kryer çdo detyrë për mbrojtjen e atdheut. Mirëpo, në radhët e këtij emigracioni ka edhe elementë armiq e iredentistë që i kundërvihen me qëllim vijës së partisë në shumë çështje, e sidomos të atyre që kanë të bëjnë me problemin e Kosovës. Nga përpunimi që ju bëjnë organet tona këtyre elementëve, veprimtaria e tyre armiqësore mund të përmblidhet në këto drejtime:
- Flitet se Republika Popullore e Shqipërisë dhe udhëheqja e saj, asnjëherë nuk ka menduar seriozisht për Kosovën. Veprimtaria e saj në këtë drejtim, ka qenë e pakët. Edhe në përiudhat më të vështira që ka kaluar Kosova, në vitet 1955-1956 – aksioni i armëve – dhe masat e tjera Rankoviçiane, shtypi i ditës e radioja shqiptare, janë mjaftuar me artikuj vetëm kundër revizionizmit titist dhe nuk kanë shkruar asgjë tjetër të veçantë për Kosovën.
- Gjendja e trajtimi i emigracionit kosovar në Shqipëri, jo gjithmonë ka qenë i drejtë. Kosovarët s’janë trajtuar si shqiptarë e patriotë, por janë mbajtur në kampet e Çermës dhe të Semanit. Vetëm atëherë kur në Jugosllavi filloi të ndryshonte gjendja e kosovarit, me heqjen e Rankoviçit, qeveria shqiptare mori disa masa dhe prishi Semanin, ndërsa Çerma vazhdon të ekzistojë dhe është turp që akoma djem prej Kosove të mbahen atje. Në rast se udhëheqja e partisë e di këtë gjendje, ne nuk jemi me të. ( Dihet se në Seman të Fierit dhe në Çermë të Lushnjes, janë mbajtur personat më negativë, armiq e vagabondë, të cilët herë pas here i kemi riatdhesuar në Jugosllavi. Ndërsa aktualisht Çerma është një sektor ferme, ku banojnë disa familje dhe individë kosovarë. Më tepër janë elementë armiq të dënuar si agjentë të UDB-së, ose të atillë që kërkojnë të shkojnë në Jugosllavi).
- Aktualisht pak mendohet për Kosovën. Shtypi e radioja shqiptare nuk po ndërmerr asnjë veprim, asnjë artikull për gjendjen e atjeshme. Shumë shqiptarë të Kosovës ose viseve shqiptare në Mal të Zi e Maqedoni, po largohen përgjithmonë nga këto krahina, gjë që do të bjerë si pasojë asimilimin dhe zhdukjen e kombit shqiptar. Vendin e tyre do ta zenë kolonët serbë, malazezë e maqedonas.
- Ne si kosovarë, pavarësisht se ç’bën shteti shqiptar, duhet të organizohemi e të punojmë për Kosovën.
- Mendohet deri në organizim grupesh me persona të besuar, të cilët janë në gjendje për të rezistuar, në rast se veprimtaria e tyre keqkuptohet nga organet e sigurimit të shtetit, duke menduar se me këto veprime, do t’i diktojnë PPSH qëndrimin që duhet të mbajë në drejtim të Kosovës.
- Kërkojmë që Ministria e Arsimit, Universiteti, Biblioteka Kombëtare, Ministria e Punëve të Jashtme, përfaqësitë tona diplomatike jashtë shtetit, të akordojnë fonde të veçanta dhe këto të shpenzohen për të futur në Kosovë literaturë marksiste-leniniste, qoftë të klasikëve të marksizmit, apo dhe veprat e shokut Enver, RPSH e materiale të tjera të Partisë. E gjithë kjo të bëhet edhe me ndihmën e kosovarëve që banojnë në vendin tonë.
- Këta elementë armiq dhe iredentistë mundohen që pikpamjet e tyre dhe këtë qëndrim ta fusin edhe në radhët e studentëve kosovarë që ndjekin institucionet e larta arsimore. Si pasojë në radhët e disa studentëve, ka shfaqje që cënojnë unitetin e tyre. Ka grindje dhe akuza që i bëjnë njëri-tjetrit për lidhje me organet e sigurimit të shtetit.
- Kjo veprimtari armiqësore ka për qëllim të dobësojë unitetin e këtij emigracioni, t’a hedhi në opozicion me vijën dhe qëndrimin e partisë, një nga qëllimet kryesore dhe të organeve të zbulimit jugosllav.
- Vërehen raste që ky aktivitet armiqësor ka lëkundur edhe disa kosovarë të tjerë me qëndrim të mirë politik, të cilët nuk kanë arritur të kuptojnë si duhet qëndrimin e partisë karshi Jugosllavisë dhe në veçanti Kosovës: se me ta nuk bëhet punë e organizuar ideopolitike dhe jo gjithmonë zbatohet udhëzimi i Këshillit të Ministrave për trajtimin ekonomik.
Krahas punës politiko-edukative të diferencuar me këta persona, si dhe masave agjenturalo-operative kundrejt elementit armik, që do të ndërmarrin organet tona, mendojmë se edhe organet e partisë dhe pushtetit në rrethe, si dhe Komiteti i Partisë i Universitetit, duke u mbështetur edhe në të dhënat e degëve të punëve të brendshme, të rrisin punën politiko-ideologjike në drejtim të tyre, duke angazhuar shokë e kuadro, si dhe të zbatojnë drejtë udhëzimin e Këshillit të Ministrave për trajtimin e tyre: mbasi praktika e deritanishme ka treguar se mjaft nga këta për probleme të ndryshme; strehim, punë, shkollime etj., drejtohen vetëm në organet e punëve të brendshme. Ky spostim ka ardhur si rezultat i kujdesit të pakët që tregohet nga organet që janë ngarkuar për zbatimin e këtyre detyrave. Mendimi ynë është se përplasja e tyre për zgjidhjen e të gjitha problemeve me organet tona edhe politikisht nuk është e drejtë.
Zv. Ministri i Punëve të Brendshme
Rexhep Kolli
* * *
Kosova
Çfarë u kërkua dhe çfarë u arrit me demonstratat e 1968?
Shqiptarët në Kosovë mbajtën një valë demonstratash të mëdha në muajt tetor-dhjetor të vitit 1968, të cilat nuk synonin vetëm ngritje të statusit të krahinës së nëpërkëmbur deri atëherë nga politikat jugosllave e dora e Rankoviçit, por edhe një vëmendje më të madhe ndaj saj në aspektin e zhvillimit ekonomik e kulturor. Demonstrata u zhvilluan në më shumë se nëntë qytete të Kosovës, por edhe në ish-Republikën Socialiste të Maqedonisë, ku siç dihet jetonin dhe jetojnë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh etnikë. Nga këto demonstrata, zyrtarisht u raportua një i vrarë dhe 40 të plagosur, shumë u arrestuan dhe pati gjithashtu edhe dëme materiale.
Por sipas palës shqiptare, ka pretendime se ka pasur disa të vdekur e shumë më tepër të lënduar. Ndër kërkesat e kosovarëve në atë kohë renditeshin: themelimi i Universitetit të Prishtinës dhe futja e shqipes si gjuhë e parë në komunikimet zyrtare në Kosovë, vetëvendosje për shqiptarët në Kosovë e viset e tjera të banuara prej tyre në Maqedoninë Perëndimore e Mal të Zi dhe dhënien Kosovës së statusit “Republikë” brenda ish-Federatës Jugosllave me një kushtetutë të vetën.
Si pasojë pati një përmirësim të gjendjes së shqiptarëve në kohët në vijim, ku në vitin 1969 e 1971 u futën amendamente të reja kushtetuese në Jugosllavi, që u lejonin një pushtet e të drejta më të mëdha shqiptarëve brenda territorit që ata administronin. Në vitin 1969 u lejua dhe çelja e Universitetit të Prishtinës. Po ashtu, në atë kohë u ndryshua emri nga “Kosovë e Metohi”, në Kosovë. Gjithashtu këto hapa çuan edhe në një përmirësim të marrëdhënieve të ish-RSFJ me ish-RPSH, duke pasur një ndikim direkt sidomos në ngritjen e nivelit kulturor dhe atij ekonomik në ish-krahinën jugosllave.
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 27 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)