Të gjithë kanë arsye për të dyshuar për një ligj si ky që emërtohet si ligji “Anti-KÇK”. Të gjithë mund të kenë dyshimet se sa e drejtë do të jetë qeveria dhe sa thelbësore do të jetë goditja ndaj krimit.
Mbi të gjitha, Partia Demokratike, si partia më e madhe e opozitës, duhet t’i ngrejë këto dyshime bazuar pikërisht tek aftësia që ka ky ligj për të goditur krimin dhe për të qenë i drejtë, dhe jo tek përdorimi e tij, për linçim politik.
Por reagimi i parë i Partisë Demokratike për këtë ligj ishte më zhgënjyes dhe më i frikshëm se vetë ligji. Reagimi të kujtonte se nëse ky ligj do ishte bërë nga Partia Demokratike dhe do të zbatohej prej saj, ai do përdorej politikisht dhe për emra të përveçëm.
Deklarata e ish- deputetit Alibeaj, i cili e shikon ligjin si një mundësi për të ndëshkuar një listë armiqsh të tij politik, tregon se çfarë rreziku është ky ligj, nëse bie në duar të papërgjegjshme.
PD sot qenka e kënaqur nga ligji nëse hetohet Taulant Balla, në bazë të trillimit propagandistik për një biznesmen që e kanë masakruar më shumë politikisht, se sa juridikisht këto dy vite, pse ka qenë dënuar një herë në vitet 2000.
D.m.th Partia Demokratike nuk ka probleme me ligjin, as me rreziqet që mund të sjellë ai për shtetin e së drejtës. Ajo ka problem me listën që ajo kërkon të linçojë.
Po ta kishte ajo në dorë, sipas kësaj llogjike, ajo do linte mënjanë grupet kriminale, apo rreziqet serioze që i kanosen shoqërisë nga forcimi i krimit, dhe do bënte politikë, duke sulmuar kundërshtarët e saj.
Po ta mendonte kështu dhe Edi Rama, sonte forcat speciale duhet të zbarkonin tek shtëpia e Enkelejd Alibeaj, t’i bënin inventarin, pse ai ka një vëlla që është përfolur në shtyp si i dënuar në Gjermani. Derisa ta provojë për 48 orë Alibeaj, që bufenë s’ia ka blerë vëllai apo makinën nuk ja ka dërguar ai, ata mund t’ia sekuestrojnë të gjitha.
Në fakt ky është dhe rreziku real që ka ky ligj nëse nuk përdoret drejt. Kjo është pika më e dobët e tij, pasi ngjall dyshime se mund të bjerë në dorë të një qeverie të padrejtë.
Përfytyro tani sikur Edi Rama të mendonte si Alibeaj, çfarë mund të bënte sonte. Me këtë kriter që thotë vetë Alibeaj, meqë ka vëllain të përfolur si të dënuar para dy vjetësh, i duhet sekuestruar gjithçka.
Pra nëse ka një rrezik ligji ‘Anti KÇK”, ka pikërisht mentalitetin politik të opozitës, nëse bie në dorë të saj, si një ligj që mund të përdoret për përbaltje politike apo hakmarrje.
“Anti-KÇK”, në fakt është një ligj i ashpër, që tejkalon kornizat normale të të drejtave të njeriut dhe që kjo ja shton përgjegjësinë ligjzbatuesve për të qenë të drejtë dhe të fokusuar tek krimi real, dhe jo tek përdorimi politik.
Kjo është dhe sfida reale e qeverisë për të cilën SHBA dhe BE, kanë mbajtur distancë nga ligji, derisa të shikojnë si zbatohet ai. Larg qoftë sikur të kenë mendtë e opozitës, nëse ajo ka vërtet mendtë e ish- deputetit Alibeaj.