Fiksimi im për të pasur më shumë drejtuese vajza dhe gra në vendimmarrje nuk frymëzohet nga ide feministe. Eshtë një dëshirë për të krijuar një balancim e harmoni të munguar në shoqërinë tonë, si dhe rezultat i një vëzhgimi gjatë eksperiencës në media. Sa shumë punojnë vajzat shqiptare dhe me sa vështirësi arrijnë në sipërfaqe, në majën e suksesit; dhe kur ja dalin, është 100 përqind merita e tyre e shumëzuar me 100 përqind vështirësi të nxjerra nga ambjenti maskilist dhe solidariteti i nënkuptuar mes burrave.

Këtë po mendoja gjatë koncertit të Vikena Kamenicës dhe pianistes Merita Rexha Tërshana në sallën e Universitetit të Arteve. Kush e ka njohur Vikenën nga afër, kush ka ndjekur karriërën e saj artistike, ka shijuar gjithmonë bashkë me talentin e saj, pasionin, përkushtimin dhe punën, punën dhe vetëm punën për të realizuar gjërat.

Kështu e kishte bërë dhe këtë koncert romantik, delikat, plot finesë me titullin “Endërr vere”: në harmoni në duetin me Meritën. Askush nuk i ka dhuruar asgjë Vikenës; ajo është rezultat i plotë i punës dhe i sakrificës si artiste. E impenjuar për të sjellë pjesë premierë dhe autorë klasikë dhuroi një pragmbrëmje të këndshme.

Sa mirë do të ishte të kishim shumë si Vikena e si Merita, në të gjitha fushat, që punën ta bënim intelektualisht ndershëm dhe mirë.
Në fakt kemi të kundërtën: burra që karrierën, suksesin e pasurinë nuk e kanë si rezultat i punës, talentit, por si kombinim i hileve. Ndaj kemi kaq shumë e kaq gjatë konflikte.