Siliqi  49 ditë pas 'Inxhinier Saimirit'
sërish fshikullima ndaj Paçramit

Siliqi  49 ditë pas 'Inxhinier Saimirit'<br />sërish fshikullima ndaj Paçramit
TIRANE- Nuk kishte kaluar as një muaj e gjysëm nga fshikullimat që Llazar Siliqi i jepte në raportin e tij të 12 prillit 1973 për Komitetin Qëndror, dramës së Fadil Paçramit “Çështja e inxhinier Saimirit” (Shqiptarja.com e botoi dje të plotë). Ekzaktësisht me  31  maj 1973 ai harton një tjetër raport prej 16 faqesh, ku këtë herë i bën një skaner të hollësishëm gjithë veprës dramaturgjike të Paçramit dhe evidenton qëndrimet e tij armiqësore. Ai e nis analizën e tij me  dramën e parë të Paçramit “Në tufan”, një dramë sipas Siliqit kolektive, “sepse në rregullimin dhe redaktimin e saj të gjithanshëm morën pjesë shumë njerëz” dhe e mbyll me dramën e fundit “4 shkurti, e cila edhe pse “u hodh poshtë nga Këshilli Artistik i Teatrit, regjisori K. Spahivogli filloi vënien e saj në skenë...”.

Siliqi ndalet tek shënimet dhe hyrjet me të cilat Paçrami zakonisht i pajiste dramat e tij në botimet e ndryshme. E pikërisht në këto shënime, sipas Siliqit, gjenden krejt të zhveshura idetë dhe qëndrimet e tij të dënueshme.  Siliqi merr si shembull përmbledhjen e vitit 1968 “Tri drama”, ku në shënimet përpara dramës “Rrugëve të pashkelura”, “Paçrami e ka shprehur ndoshta më qartë se në asnjë vend tjetër pikëpamjen e vet antidialektike, qëndrimin e vet mohues ndaj periudhës nga themelimi i Partisë deri në prag të viteve ‘60, megalomaninë e vet insolente, qëllimin e vet me e shpallë revolucionin të vjetruar, me u ngrit kundër “vargonjve ideologjikë”...”
Edhe ky raport që Llazar Siliqi e dërgon në Komitetin Qëndror, botohet për herë të parë në Shqiptarja.com dhe ruhet në fondin 14 në AQSH.
 
 
ShËnime mbi pikËpamjet dhe dramaturgjinë e F. paçramit
 
Duke nisur nga viti 1959, kur Fadil Paçrami iu vu edhe rrugës së krijimtarisë letrare, duke shkruar dramën e vet të parë “Në tufan” (dramë pothuajse kolektive, sepse në rregullimin dhe redaktimin e saj të gjithanshëm morën pjesë shumë njerëz) dhe deri në vitin 1972, kur ai i imponoi Teatrit Popullor dramën e vet të fundit “4 Shkurti” (drama u hodh poshtë nga Këshilli Artistik i Teatrit, por, megjithatë, regjisori K. Spahivogli filloi vënien e saj në skenë), F. Paçrami shkroi plot një duzinë dramash, prej të cilave mbetën pa u shfaqur vetëm “4 Shkurti” si edhe drama “Nuk kam mall për vjetërsirat”, botuar në tetorin e vitit të kaluar në revistën “Nëntori”.

Fabrikimin e dramave njërën pas tjetrës ai e nisi dhe e përfundoi, pra, gjatë 10-12 viteve të fundit. Periudha e këtij prodhimi koincidoi pothuajse tërësisht me vitet ‘60. Dhe qe pikërisht F. Paçrami që, me ndërhyrjet, arbitraritetin dhe këmbënguljen që e karakterizonin, kontribuoi shumë për fetishizimin e viteve 60, duke synuar e duke shkaktuar edhe përçarje në frontin letrar e artistik.

Në përmbledhjen e vet të vitit 1968 “Tri drama”, në Shënimet përpara dramës “Rrugëve të pashkelura”, duke folur për vitet kur ne u ngritëm hapur në luftë kundër revizionizmit, F. Paçrami e ka shprehur ndoshta më qartë se në asnjë vend tjetër pikëpamjen e vet antidialektike, qëndrimin e vet mohues ndaj periudhës nga themelimi i Partisë deri në prag të viteve ‘60, megalomaninë e vet insolente, qëllimin e vet me e shpallë revolucionin të vjetruar, me u ngrit kundër “vargonjve ideologjikë” (siç shprehet ai vetë në “Shënimet” e përmendura), me shpallë se dielli lindi kur lindi ai si ideolog i madh atomik (idesh), që me izotope (mendime) qëllon sallën” (po në përmbledhjen “Tri drama”, në “Pak fjalë” përpara dramës “E bardha dhe e zeza”).

Në Shënimet përpara dramës “Rrugëve të pashkelura” F. Paçrami, duke folur, pra, për vitet 60, shkruan se kjo është koha “kur ne nuk shikojmë më vetëm nga jashtë. Kur fillojmë të ecim me këmbët tona. Kur merr rrugë mendimi shqiptar”. Kjo është një shpifje sa trashanike, aq edhe e poshtër. Mendimi revolucionar shqiptar ka marrë rrugë qysh me themelimin e Partisë Komuniste. Dëshmi e mrekullueshme – veprat e themeluesit të Partisë, shokut Enver Hoxha. Populli ynë, i udhëhequr nga Partia, eci me këmbët e veta dhe e fitoi lirinë me gjak dhe sakrifica të panumërta.

Edhe pas çlirimit të Atdheut dhe triumfit të revolucionit popullor, pa mohuar për asnjë çast faktorin e jashtëm, ne nuk kemi shikuar kurrë vetëm nga jashtë. Sigurisht, vitet ‘60 përbëjnë një periudhë të re në zhvillimin historik të vendit tonë, periudhë kur ne u impenjuam në një betejë të madhe e të guximshme kundër tradhtisë revizioniste, për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit, periudhë kur ne thyem bllokadën e egër imperialisto-revizioniste duke theksuar fort parimin e mbështetjes në forcat e veta, periudhë kur shpërthyen energjitë e gjithanshme krijuese të popullit, kur mori hov të ri dhe arriti maja të reja mendimi ynë shqiptar, mendimi revolucionar i Partisë së Punës, i udhëheqësit të Partisë e të popullit shokut Enver Hoxha. Dhe, në përputhje me këtë zhvillim të përgjithshëm të vendit, në vitet 60 ne patëm një hop cilësor edhe në letërsi e arte.

Pra – zhvillim dhe jo mohim. Pra – unitet dhe jo luftë brezash.
U ndalëm në pohimet e mësipërme të F. Paçramit dhe përmendëm edhe tezën e tij të preferuar të luftës së brezave, sepse këto mendime të tij kanë të bëjnë me synimet e tij kryesore.
Pikëpamjet e veta të shtrembra e të dëmshme F. Paçrami, pikërisht edhe për shkak të cerebralizmit të veprave të tij, i ka shprehur, ku më shumë e ku më pak, në dramat e njëpasnjëshme (ato i viheshin në skenë, edhe duke u zënë vendin dramave të autorëve të tjerë), që reklamoheshin, sidomos në gazetën “Drita”, me zell të veçantë, duke u lidhur fillimi i “dramaturgjisë së re” jo me teatrin tonë partizan e me veprat dramaturgjike të viteve të pasçlirimit, por pikërisht vetëm me dramat e viteve ‘60 dhe me eksperimentimet e artistëve të veçuar, në mënyrë të posaçme me krijimtarinë e F. Paçramit.

Këto pikëpamje të gabuara ai i ka shprehur edhe në plenumet e diskutimet krijuese të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ca më tepër në deklaratat pa përgjegjësi klubeve e kafeneve. Këto pikëpamje, me gjithë prepotencën dhe agresivitetin e tyre, ne i gjejmë edhe në “hyrjet” e “shënimet”, me të cilat e kishte zakon t’i pajiste dramat e veta, kur i përfshinte në përmbledhje të veçanta.

E këtu duhen nënvizuar pikëpamjet e tij për një “dramaturgji të re”, për një “teatër të ri”, ku pikënisja nga jeta zëvendësohet me pikënisjen nga idetë (pra – një surrogat i teatrit brehtian, në të vërtetë një klasicizëm i ri sui generis, një krijimtari cerebrale), ku, ndër të tjera, personazhet veprojnë sipas dëshirës së autorit, ku nuk kanë rëndësi themelore vërtetësia historikisht konkrete e thellimi i personazheve dhe ku krijimi i emocioneve barazohet më kot me sentimentalizmin, duke e ndarë artificialisht në mënyrë metafizike, arsyen nga ndjenja, mendimin nga emocioni. Duhet vënë në dukje se këto pikëpamje të gabuara ai i përçonte me një këmbëngulje që kalonte deri në mani. “Edhe në teori, - pohonte F. Paçrami, - ka gjëra që s’kuptohen nga masat”, duke përligjur indirekt të drejtën për një art që edhe mund të mos kuptohet nga masat.

Ka pasur, sigurisht, - dhe s’kishte si të ishte ndryshe përderisa vija e Partisë ka qenë gjithnjë e drejtë dhe e qartë si drita e diellit, përderisa udhëhiqte Partia, - ka pasur edhe organe shtypi që kanë mbajtur qëndrim të partishëm, parimor dhe kritik, kundrejt pikëpamjeve dhe krijimtarisë së F. Paçramit. Ka pasur shokë që në diskutimet krijuese, në biseda me F. Paçramin ose me anë letrash, i kanë vënë atij në dukje (mjaft të citojmë nga letra që i dërgonte F. Paçramit kritiku P. Mitrojorgji tetë vjet më parë, më 1965) të meta parimore ideore dhe artistike.

“Përse personazhet negative, - i shkruante për dramën “E bardha dhe e zeza” P. Mitrojorgji, duke u ndalur te problemi me rëndësi kardinale i skalitjes së heronjve pozitivë, - kanë të drejtën e shprehjes deri në fund në mënyrë të qartë të pikëpamjeve të tyre të kundërta ideologjike, kurse personazhet pozitive, që përfaqësojnë idealet tona, nuk duhet ta kenë këtë të drejtë? Mos vallë këto ideale nuk kanë të drejtën e paraqitjes me një gjuhë letrare të bukur emocionante dhe artistike? Përkundrazi ... Ju i kini dhënë më shumë rëndësi thellimit të konfliktit nga ana negative dhe më pak rëndësi zgjidhjes së tij ... A nuk tregon kjo se në këtë mënyrë dramaturgjia jonë e re më shumë i përngjan dramës realiste kontemporane, se sa dramës realiste revolucionare”.

Ka pasur, sigurisht, edhe shokë kritikë, që kanë bërë v^brejtje të drejta dhe kanë ngritur probleme të rëndësishme për krijimtarinë e F. Paçramit në shtypin tonë, por ato mjaft herë mezi arrinin t’u shpëtonin ndërhyrjeve, barrikadave apo gërshërëve të disa redaksive. Mjafton këtu të përmendim shembullin e kritikut Razi Brahimi, që në revistën “Nëndori” (në shtator të vitit 1969) ka vënë në dukje se drama e F. Paçramit kalon “në një dramë racionale, intelektuale, ku logjike sundon jo vetëm mbi ndjenjat, po tenton të zejë edhe vendin e pasqyrimit të drejtpërdrejtë realist të fenomeneve e të ambienteve shoqërore, gjë që është e pamundur të arrihet pa përdhunuar realitetin, pa e gjymtuar atë, kritiku ka vënë në dukje se në këto drama “njeriu kthehet në një funksion të thurjes dramatike, të ideve dhe qëllimeve të autorit”. Kurse shoku Enver na mëson se ne duhet të krijojmë vepra “ku të ndritin realizmi dhe e vërteta”, vepra që do të kenë, siç ka theksuar në Kongresin e 6-të të Partisë, “në qendër të vëmendjes heronjtë e kohës sonë”, pra njeriun.

Ashtu si teorizimet mbi pikënisjen jo nga jeta, por nga idetë, duhen refuzuar në mënyrë të vendosur e përfundimtare edhe pikëpamjet e shprehura haptas nga F. Paçrami qysh në plenumin për problemet e dramaturgjisë (në qershor të vitit 1970) mbi kundërvënien artificiale të brezave. Krijimin e “dramaturgjisë së re” e të “teatrit të ri” (këtë detyrë e shtron më 1970!!) ai ua ngarkon vetëm të rinjve, që po sjellin, siç thoshte ai, edhe një hero të ri në moshë, të ri edhe si mendon e si vepron.

Thua se është konservatorizëm të paraqesësh në një dramë si figura me mendime të reja dhe veprime të drejta edhe baballarët (atë e pati shqetësuar), si konservatore, edhe poema shumë e goditur e Dritëro Agollit “Baballarët”), thua se baballarët nuk e paraqesin dot në art edhe heroin e ri në moshë. Dramaturgët dhe njerëzit e skenës të brezave të tjerë, sipas F. Paçramit, le të ngushëllohen se “mund e do të sjellin në shumë e shumë fusha të tjera”, por (një arsyetim më se i çuditshëm!) jo në dramaturgji e në teatër!

Dhe le të përmendim këtu edhe fobinë që ai kishte për temat historike si edhe prirjen të luftonte me teza të shpikura nga vetë koka e tij si “bogdanizmi”, kur ishte fjala për të vënë në dukje ndikimet nga teatri i dikurshëm amator. Pastaj: kush e ka ngritur ndër ne tezën se ne vemi në teatër “për të harruar botën reale”? Kurse duhet të vemi, me sa duket, në teatër për të parë dramat e tij, që na ushqejnë me mendime izotope! Le të përmendim këtu jo vetëm tentativat e padenja, në lidhje me sa u tha më sipër për brezat, për t’i detyruar “të ndërrojnë zanat” disa nga aktorët tanë të njohur, por edhe gjestet e padenja, hakmarrëse kundër kritikuesve të veprës së tij.

Në përmbledhjen “Edhe tri drama” (më 1970) F. Paçrami i sulmon kritikuesit e dramës “19 ditë”, - të shndërruar më vonë në “20 ditë” me shpresën iluzore e naive për t’u shpëtuar kërkesave të kritikës, - për moskuptim të historizmit në art dhe, në lidhje me problemin e humanizmit, i radhit, as më pak as më shumë, me Hitlerët, Niksonët dhe oportunistët e të gjitha kohërave, ndërsa në plenumin e Dramaturgjisë (1970) i akuzon për “njolla” e për koncepte ideoestetike, që kanë të bëjnë, siç thotë ai, me sentimentalizmin e influencat klerikale, me patriarkalizmin konservator e me mënyrat e vjetruara klasike në konceptimin e teatrit. Dhe është një gjë negative për Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, që sulmeve të tilla hakmarrëse i vuri në dispozicion faqet e shtypit të vet, që në raportin e Kryesisë për kritikën letrare dhe artistike (në plenumin e shkurtit të vitit 1972) u morën nën mbrojtje teza dhe vepra të gabuara e të dëmshme.

Në plenumin e kritikës, F. Paçrami kërkoi, ndër të tjera, që kritika jonë letrare ta zëvendësojë gjuhën e vet shkencore me gjuhën e figurshme të artit. Ai përsërit e ripërsërit me këmbënguljen e një ideje fikse, nga njëra anë, kanunet e skemat, që na paskan zënë frymën (në thelb – një fryrje me qëllim e pranisë së konservatorizmit, F. Paçrami realizmin socialist e përfytyronte “në një këllëf të ngushtë”) dhe, nga ana tjetër, ai vë theksin jo te shoqëria, te mësuesi i madh i pagabueshëm popull, por tek “njerëzit e përparuar të artit” (në thelb – një variant i ri i artit për një elitë), vë theksin tek shijet estetike “të përparuara”, tek “shijet shoqërore progresive”. Këtu kemi të bëjmë me pranimin e pikëpamjes se edhe në shoqërinë socialiste paskemi pothuajse dy kultura, ashtu si edhe në shoqëritë e mëparshme shfrytëzuese.

Pra paskemi edhe në socializëm një mendim shoqëror progresiv dhe një mendim tjetër shoqëror regresiv, duke harruar se mendimi i shoqërisë sonë të re është progresiv, kurse janë individë të veçantë, bartës të ideve të vjetra konservatore ose të rënë nën ndikimet e huaja liberale, që i kundërvihen këtij mendimi progresiv të shoqërisë sonë socialiste, që është mendimi marksist-leninist i partisë sonë. F. Paçrami e ndan kështu krijimtarinë tonë artificiale më dysh dhe shpie ujë në mullirin e përçarjes së forcave tona krijuese, duke u vënë disave etiketën e konservatorëve dhe duke u vënë disa të tjerëve kurorën me dafina të novatorëve të shquar.

Teorizimet e tij të ngatërruara mbi kritikun tonë, që duhet “të dashurojë edhe të urrejë, të entuziazmohet dhe të revoltohet”, janë një mbështetje e asaj “kritikës entuziaste”, që është në të vërtetë një predikim i subjektivizmit, janë gjithashtu një mbështetje e tezës së kundërvënies së brezave, që duhet domosdo t’i tejkalojnë brezat e mëparshëm dhe, që ta bëjnë këtë gjë, duhet jo vetëm t’i luftojnë, por edhe t’i urrejnë. Këtë ide të rrezikshme për socializmin F. Paçrami e ka shprehur, midis të tjerave, edhe ne dramën e vet “Çështja e inxhinier Saimirit”, ku Saimiri na paraqitet si përfaqësues i brezit të tij, që rezulton si i vetmi brez i luftëtarëve kundër konservatorizmit, për triumfin e së resë.

Diskutimet e F. Paçramit në plenumet e Lidhjes dhe “hyrjet” e tij të dramave dëshmojnë edhe për një mendjemadhësi, që me të vërtetë të revolton; duke cituar vetveten (në plenumin e Dramaturgjisë) si të citonte ndonjë klasik, duke bërë paralelizmin midis Migjenit dhe atij vetë (në “hyrjen” e dramës “Lagja e varfër”), duke komentuar vetë dramat e veta, duke sulmuar kritikën, që heshti për dramën “E bardha dhe e zeza” (në “hyrjen” përkatëse), sepse “kjo nuk honepsej lehtë përpara Letrës së Hapur” dhe duke e përçmuar kritikën, sepse “zu në gojë edhe njëfarë racionalizmi” (kurse kritikët tanë për një gjë kanë qenë të gjithë në një mendje, pikërisht për racionalizmin e këtyre dramave), duke i fyer ata që s’ia pëlqyen dramën “Rrugëve të pashkelura”, të cilën, - siç shkruan F. Paçrami, - “punëtorët e pranuan plotësisht, kurse “disa inxhinierë dhe burokratë nuk e pranuan” (në hyrjen për “Rrugëve të pashkelura”), duke imponuar vetëm një interpretim të mundshëm të dramave të tij, pa treguar as respektin më të vogël për lexuesit e spektatorët, që nga vepra letrare i nxjerrin vetë konkluzionet, të cilat burojnë nga vepra dhe jo nga dëshirat që autori ka pasur kur është ulur të shkruajë dramën dhe, së fundi, duke u hakmarrë kundër kritikuesve si në shembullin e përmendur më lart të dramës “20 ditë”.

E meta themelore e dramave të F. Paçramit, nisja jo na jeta, por nga një ide (duke u larguar nga teoria leniniste e pasqyrimit, duke absolutizuar konvencionin si edhe duke neglizhuar funksionin njohës të artit) del në mënyrë shumë të qartë, për shembull, pikërisht në dramën “20 ditë” (1969). Në këtë dramë autori është udhëhequr nga një ide e kërkuar, që nuk përputhet me të vërtetën historike të kohës që ai trajton. Kontradikta që ekziston midis idesë themelore që orvatet të na imponojë autori dhe idesë që buron nga realiteti i kohës së luftës nacional-çlirimtare, e ka shthurur dramën, megjithëqë autori, me mjete të ndryshme, përpiqet ta mbajë në këmbë. Ai nuk mund t’i largohet idesë themelore të kësaj epopeje në rast se do të krijojë një vepër artistike realiste, bindëse dhe të atillë që të komunikojë me spektatorët.

Duke mos u nisur nga e vërteta e jetës, vepra nuk tingëllon e natyrshme, e besueshme dhe, si rrjedhim, nuk ngjall emocione. Në dramë ka gjëra të sajuara, ireale, të montuara me vështirësi, personazhe që veprojnë sipas dëshirës së autorit, kurse personazhet pozitive të dramës, në mënyrë të veçantë, janë me të vërtetë anemike, të zbehta e pa botë të brendshme. Personazhet në dramën “20 ditë” lidhen, gërshetohen e ndeshen fort pak njëri me tjetrin, dhe kjo ndodh sepse nuk janë të thelluar dhe janë vënë në situata më tepër të kërkuara, në dramë ne shohim më tepër kujdesin për sfondin se sa për personazhet.

Kjo e metë themelore (dramaturgjia me tezë, nisja nga idetë, e justifikuar dhe e propaganduar nga F. Paçrami) ka sjellë, veç të tjerave, dy të këqija: nga njëra anë minimizimin e domosdoshmërisë së njohjes së jetës dhe, nga ana tjetër, (mbasi kemi të bëjmë me propagandimin e disa ideve të gabuara), dëmin ideologjik, në vend të edukimit të shëndoshë komunist të masave përmes veprave të artit. Këtu si shembull tipik të një drame, që përpiqet të përçojë tek spektatorët një sërë mendimesh të shtrembra, mund t^marrim dramën “Çështja e inxhinier Saimirit” (1971).

Në të gjejmë, ndër të tjera, kultin e luftëtarit kundër konservatorizmit, që del si çështja e ditës, pra si rreziku kryesor, gjejmë identifikimin e marshimit tonë përpara me udhëtimin drejt të panjohurës, identifikimin e eksperimentimit me novatorizmin, kultin e ajkës, e novatorëve të shquar, që kanë gjithmonë a priori të drejtë, që kanë të drejtë të jenë edhe arrogantë e prepotentë dhe që s’kanë përgjegjësi për asnjë gabim të bërë, vetëm sepse janë novatorë, gjejmë në këtë dramë kultin dhe ekskluzivitetin e guximit, në fakt e një guximi megaloman e agresiv, si edhe idenë se forca sulmuese, goditëse është intelektuali novator, është rinia, së fundi në dramën “Çështja e inxhinier Saimirit” gjejmë tezën armiqësore mbi luftën e brezave.

Bile në dramë del qartë mendimi se për zullumet që mund të bëjnë, përfaqësuesit autentikë të së resë nuk ka pse të japin llogari. Lufta e së resë me të vjetrën, me absolutizimin që i është bërë, zëvendëson praktikisht luftën e klasave. Gabimet, sado të rënda qofshin, kur bëhen në emër të “kërkimit të së resë”, nuk duhen dënuar as nga gjykata, që ka mundësi të qëndrojë, - dhe në këtë dramë qëndron, - në pozita konservatore.

(Vijon nesër...)

Shkrimi u publikua sot (20.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Enver Robelli: Kolosi shqiptar në Amerikë

Enver Robelli: Kolosi shqiptar në Amerikë