KORÇË- Një skenë e kontrabandimit të makinave është zbuluar në qytetin e Korçës. Një person ka rënë në pranga dhe një tjetër është vënë në hetim.

Dy personat dyshohet se sillnin makina kontrabandë nga Anglia, më pas i çmontonin dhe i shisnin për pjesë në vendin tonë.

Nga njoftimet e bëra nga policia në qytetin e Korçës është vënë në pranga një 27-vjeçar Shaqir Gërmenji,  ndërsa një 50-vjeçar A. S. është në hetim. Dy shtetasit dyshohen se sillnin automjete kontrabandë nga Anglia, i çmontonin dhe i shisnin për pjesë në vendin tonë.

"Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore se këta dy shtetas ushtronin veprimtari të paligjshme në serviset e tyre respektive, shërbimet e Policisë ushtruan kontrolle ku konkretisht në servisin e shtetasit Sh. G., gjetën 30 automjete, pa dokumentacionin përkatës, të pashoqëruar me faturat blerëse. Gjithashtu gjatë kontrollit në servisin e shtetasit A. S., i cili rezultoi i paregjistruar në organet përkatëse u gjetën 6 automjete të tjera, pa dokumentacionin përkatës, të pashoqëruar me faturat blerëse. Në cilësinë e provës materiale për këto dy raste u sekuestruan 36 automjete, me pjesë të çmontuara, të cilat dyshohet se janë kontrabanduar nga Anglia, në Shqipëri", njofton policia. 

Nga kontrollet e bëra në të dy serviset e tyre, konkretisht në aksin rrugor Pogradec-Korçë janë gjetur 36 automjete, të cilat janë sekuestruara nga Policia.

Të gjitha materialet në cilësinë e provës janë dorëzuar pranë Prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme.