Një nga veprat më me ndikim në historikë e muzikës klasike, Simfonia e 9-të e Beethovenit, do të ngjitet në skenën shqiptare të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, mbrëmjen e 14 korrikut.

Në skenë do të interpretojnë Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Orkestra e RTSH-së dhe solistët Eva Golemi, Vikena Kamenica, Amadi Lagha dhe Artur Vera.

“Simfonia e Nëntë është një nga veprat më të fuqishme të Beethovenit. Pas gjithë dramës së tre kohëve të para, vjen 'Oda e Gëzimit', që sjell mesazhin e paqes, shpresës dhe vëllazërimit. Nuk është rastësi që është zgjedhur edhe si himni i Bashkimit Evropian. Mendoj se është mbyllja më e bukur që mund t'i bëhej sezonit artistik.”, thotë mezzosopranoja Vikena Kamenica.

Sopranoja Eva Golemi, interpreton Simfoninë e Nëntë për herë të parë, një përvojë që e cilëson të veçantë për vetë rëndësinë historike të veprës.

“Bashkëpunimi mes Korit të Teatrit të Operës dhe Orkestrës Simfonike të RTSH-së është i shkëlqyer dhe besoj se publiku do të përjetojë një koncert vërtet të veçantë.”, thotë Golemi.

Simfonia e 9-të e Beethoven-it vlerësohet një nga veprat më domethënëse të repertorit botëror, edhe për mesazhin që ajo përcjell.

“Kjo simfoni sjell një mesazh të jashtëzakonshëm. 'Përqafoni njëri-tjetrin, o miliona' është një thirrje për paqe, gëzim dhe përmbushje shpirtërore. Është një vepër që duhet dëgjuar nga çdo njeri.”, thotë baritoni Artur Vera.

Tenori Amadi Lagha rikthehet në skenën shqiptare. Interpretimi i kësaj vepre thotë se është sfidë artistike, pasi kërkon një qasje krejt ndryshe nga repertori operistik.

“Ky repertor është larg atij që këndoj zakonisht, si Rossini apo muzika e shenjtë italiane dhe franceze. Është diçka vërtet e veçantë. Këtu roli i tenorit është pothuajse ai i një instrumentisti. Nuk është mënyra e zakonshme e përdorimit të zërit; frazimi dhe shkrimi muzikor janë më shumë instrumentalë, sikur të interpretoje me një flaut apo violonçel. Kjo kërkon një qasje psikologjike dhe muzikore krejt tjetër. Duhet të përshtatesh shpejt me një stil tërësisht të ndryshëm, ndërsa edhe gjuha gjermane, me bashkëtingëlloret e saj karakteristike, e shton vështirësinë. Jam shumë i lumtur që rikthehem në Tiranë. Sa herë vij këtu ndihem si në shtëpi dhe është kënaqësi ta interpretoj këtë kryevepër pikërisht për publikun shqiptar.”, thotë Lagha.

Simfonia Nr. 9 e Ludwig van Beethoven ‘do të vijë nën dirigjimin e Facundo Agudin dhe me dirigjent kori Dritan Lumshi.