Një testament artistik mbi dashurinë mund të konsiderohet “Kënga e Mjellmës” e kompozitorit Franz Schubert, koncert që është ngjitur premierë absolute në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit nën interpretimin e baritonit Artur Vera dhe pianistes Etrita Ibrahimi. Koncerti krijoi një përvojë intime muzikore për publikun, duke vendosur në qendër interpretimin solistik dhe duke përcjellë një cikël liedesh me poezi nga Rellstab, Heine dhe Seidl, në një mbrëmje ku çdo notë tingëlloi si një rrëfim i sinqertë, i brishtë dhe thellësisht njerëzor.

“Ciklet e Shubertit i përkasin gjinisë së vokaleve të dhomës. Ka vështirësi teknike se nuk i përket gjinisë vokale operistike dhe vokali duhet të përshtatet mjaft mirë me mesazhin, fjalën, interpretimin e fjalës dhe poezisë, më tepër sesa me aftësitë vokale. Vokali është më tepër në funksion të poezisë. Për këtë është dashur punë e madhe, sidomos me dinamikat me të cilat luan kompozitori.”, thotë për "Report TV" baritoni Artur Vera.

Ky është cikli i tretë dhe i fundit i Franz Shubertit, cikle, që nga i pari deri te i fundit flasin për dashurinë, e cila shkon përtej personales.

“Është qershia mbi tortë, kurorëzimi më i mirë i punës sonë të këtij viti, pasi ky është cikli i fundit që Shuberti ka shkruar, sepse vetëm pak muaj më pas u nda nga jeta. Cikli përbëhet nga 14 liede, që i dedikohen dashurisë. Gjysma e tyre është nostalgjia për të dashurën e personazhit të veprës, ndërsa pjesa tjetër është humbja e dashurisë së tij.”, thotë pianistja Etrita Ibrahimi.

Shuberti ka shkruar më shumë se 600 liede gjatë jetës së tij dhe kryesisht është bazuar te tema e dashurisë, natyra dhe bukuritë e saj etj. “Kënga e Mjellmës” erdhi pas dy cikleve të tjera të Shubertit, të sjella po ashtu premierë në skenën e TKOB-it, “Rrugë dimërore” dhe “Mullixhesha e bukur”.