Pjesë nga krijimtaria e kompozitorit grek Mikis Theodorakis me ciklet më të njohura të tij: “Axion Esti”, “Epitafios”, “Epifania”, “Ta Lyrika” dhe vepra të tjera, të mbështetura mbi poezinë e ndjerë të poetëve të mëdhenj grekë, si: Odysseas Elytis, Yannis Ritsos, Tasos Livaditis e të tjerë, sollën në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit shpirtin e gjallë të Greqisë. Koncerti mban emrin “Zorba the Greek”, një nga kolonat zanore më të famshme për muzikën dhe kinemanë greke, e kompozuar nga Mikis Theodorakis. Nën interpretimin e artistëve Artur Vera dhe Etrita Ibrahimi, me praninë e instrumentit simbol të muzikës greke, buzukut, interpretuar nga Panagiotis Lympanovnos, si dhe me interpretimin e poezive nga aktori Xhuliano Brisku, mbrëmja mori formën e një rrëfimi të vërtetë artistik.
“Mendoj se është gjithmonë momenti i duhur që të luhet Mikis Theodorakis. Rëndësia e luajtjes së këtij kompozitori dhe recitimi i këtyre poezive është gjithmonë koha e duhur. Jam shumë i lumtur që interpretoj në Shqipëri së bashku me kolegët e Teatrit të Operas dhe Baletit”, tha instrumentisti Panagiotis Libanovnos.
“Muzika e Mikis Theodorakis është nga më të rëndësishmet e muzikës europiane pasi ai është një kompozitor shumë i shquar. Është kompozitori ndoshta më përfaqësues i Greqisë i cili ka meritën e madhe që ka bashkuar muzikën elitare, poezinë elitare me folklorin. Ai ka bashkëpunuar me poetët më të mirë nobelistë të Greqisë, duke ia sjellë kështu poezinë elitare pranë publikut të gjerë. Sigurisht duke bashkuar këto dy lloje stilesh, ka bashkuar edhe instrumentet, ka bashkuar instrumentin e buzukut me orkestrën simfonike, gjë që nuk ndodh rëndom.”, tha pianistja Etrita Ibrahimi.
Për baritonin Artur Vera kjo është diçka e paprovuar më parë.
“Është një emocion i veçantë, jemi shqiptarë dhe kemi një instrumentist grek. Por, mendoj që nuk është bërë diferencë e madhe, do ta sjellim për publikun në mënyrën më të mirë të mundshme. Shqiptarët e pëlqejnë muzikën greke. Është një muzikë që bashkon, në tekste dhe në këngë është gjithmonë fryma e dashurisë ajo që është kryefjalë e të gjithave”, tha baritoni Artur Vera.
Për herë të parë, në skenën e TKOB u ngjit dhe aktori i teatrit Xhuliano Brisku, për të interpretuar poezitë në gjuhën shqipe.
“Ka dhe një kënaqësi tjetër që ne do të udhëtojmë. Jemi në Vlorë, jemi në Berat, jemi në Korçë, kështu që për mua ngelet diçka shumë e veçantë në karrierën time. Unë jam pak a shumë në rolin e një narratori që spektatori të ndiejë ndjesinë e këngës që Arturi do ta interpretojë më vonë. Kjo është po themi risia interesante që një narrator tregon. Dhe pastaj gjithë emocionin e jep kënga e Arturit bashkë me Etritën, po ashtu dhe me virtuozin tjetër Panajotis.”, tha aktori Xhuliano Brisku.
Pas premierës mbrëmjen e së mërkurës, shfaqja do të udhëtojë edhe në Vlorë, Berat dhe Korçë, në datat 16, 17 dhe 18 prill.
Komente











