Deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj, ka deklaruar gjatë fjalës në Kuvend votën pro propozimit të PS për hërtën e re territoriale.

"Krijohet përshtypja se disa bashki ishin të nënës dhe disa të njerkës. Gjatë kësaj periudhe kemi patur debate mbi mënyrën sesi duhet të avancojë kjo reformë. Kemi pasur edhe mendime të ndryshme mbi çështje të caktuara. Por ky debat dhe këto diskutime nuk kanë qenë kurrësesi për interesa personale. Kanë qenë debate për të garantuar që qytetarët që na kanë votuar si shumicë, të marrin maksimumin e mundshëm, siç vetë ligji u'a garanton. Idetë dhe mendimet e mia në votimin e Grupit Parlamentar mbeten në minorancë. Grupi i PS miratoi për një votim politik pro ndarjes së re territoriale. Në fund të ditës janë pikëpamje që koha do t'i tregojë. Në këtë moment, kur Grupi i PS ka marrë vendimin politik për ta votuar këtë ndarje territoriale, përgjegjësia ime morale dhe politike i lë vendin përgjegjësisë morale e politike të forcës sonë politike, vendimmarrjes së PS. PS duhet të tregojë se e meriton besimin që zgjedhësit i kanë dhënë", tha Sinaj.

Ndërkohë pas tij fjalën e mori Berisha, i cili i tha Sinajt se brenda 3 ditësh u shndërrua në eunuk për interesat e tij personale dhe ndryshoi qëndrim.

"Dhe e vërteta është se të dhënat ti i di vetë si kanë qenë, jashtëzakonisht problematike me disa importe, disa produkte. Po duket se kur të nxorën kartonin e kuq për të shndërruar big market në small market, edhe ti u palose. E hëngre turpin me bukë. E dëgjuat vetë se si midis Big Marketeve të tij, të mbushura me ushqime të skaduara dhe shpeshherë me probleme të mëdha, dhe Selenicës, të drejtave tuaja për të patur vetëqeverisjen, ai që s'dua t'ia them as emrin këtu, zgjodhi Big Marketin e tij. Po ti mo, a të mbylleshe atje, ti ke aq shumë fitime sa mund të rrije dhe të zgjidhje të mbroje interesat.

Po ku je ti mo? Çfarë je mo? Po si të ka denatyruar pasuria në këtë mënyrë? Si ka mundësi që del këtu edhe na bën histori, në një kohë kur, faktikisht, fjala jote është funerali i Bashkisë Selenicë. Shtylla e turpit në atë bashki do ngrihet dhe emri i parafolësit do shkruhet me gërmat më të zeza. Mbajeni mend këtë, edhe po s'ndodhi shpejt, do ndodhë, do ndodhë, do ndodhë", tha Berisha.


Lajmi kryesor:

LIVE TV - ‘Territorialja’, seancë maratonë në Kuvend/ PD: Po asgjësoni 15 bashki, duhet referendum! PS: Asnjë shërbim nuk largohet! ‘Pendohet’ Sinaj, kritika Braçe! Mbërrin Rama