TIRANE – Sindikatat e Shqipërisë janë shprehur kundër vendimit të autoriteteve kosovare për të shtuar taksën e importit të çimentos, gjë që dëmton prodhuesit shqiptarë.

Ky vendim i Prishtinës zyrtare favorizon kompanitë greke dhe maqedonase, tha sot Gëzim Kalaja, kryetar i sindikatave të pavarura shqiptare, si dhe vë në rrezik vendin e punës të rreth 1000 punëtorëve shqiptarë.

Kalaja kërkoi që autoritetet kosovare të bëjnë një hap mbrapsht dhe të heqin taksën e importit të çimentos ose në rast të kundërt sindakalistët shqiptarë do të zhvillojnë një protestë përpara Ambasadës së Kosovës në Shqipëri.

Gjatë një mbledhjeje të Komisionit parlamentar të Ekonomisë, ku ishte thirrur të jepte shpjegime për vendimin e saj të kritikuar gati nga të gjitha forcat politike kosovare, ministrja Mimoza Kusari Lila tha dje në mënyrë konfidenciale se taksa e importit u vendos pas një premtimi të Greqisë për ndihmë nga BERZH si dhe anëtarësimit të vendit në këtë organizatë.

“Ligji nuk njeh komb”, mësoi Shqiptarja.com të ketë thënë Kusari Lila gjatë mbledhjes, duke pranuar kështu se Prishtina zyrtare në këtë rast ka vendosur t’i japë prioritet interesave të saj dhe jo atyre kombëtare.

(im/shqiptarja.com)