SINGAPOR- Këtë vit në Singapor është mbledhur parada më e madhe ndonjëherë nga shoqëria civile në mbrojtje të të drejtave të gay-ve pas një situate të trazuar nga kundërshtimet e grupeve fetare kundër këtij komuniteti.
 
Është përllogaritur të kenë marrë pjesë gati 26 mijë persona të cilët kanë dalë në Parkun e Hong Lim për paradën e përvitshme të të ashtuquajturës “Pink Dot” që mblidhet që prej vitit 2009 kundër diskriminimit të çifteve me të njëjtën gjini.
 
Marrëdhëniet seksuale mes të njëjtës gjini janë të ndaluara në Singapor dhe dënohen deri në dy vite burg, megjithëse rrallë zbatohet ky vendim.
Parada, në të cilën morën pjesë njerëz të veshur me ngjyrë rozë për një piknik dhe një koncert në park, duke u bashkuar më pas në një rreth në formën e “pikës pink”, është realizuar pa shënuar protesta të mëdha kundër saj.
 
Këtë vit disa grupe myslimanësh dhe të krishterësh u kanë kërkuar ndjekësve të tyre të vishen me të bardha për të treguar kundërshtinë e tyre për këtë event që sipas tyre po rrit pranueshmërinë e homoseksualitetit në vend.
 
Kjo ka detyruar organizuesit e paradës të punësojnë personel sigurie për të shmangur çdo incident të mundshëm, ndonëse nuk ka patur precedentë për një ngjarje të tillë.
 
Megjithatë organizatori i eventit është shprehur se këtë vit agresiviteti dhe negativiteti ndaj komunitetit të tyre ka qenë më i ashpër se vitet e mëparshme dhe ai ndihet i shqetësuar për këtë. Sipas tij ata synojnë vetëm të promovojnë diversitetin dhe gjithëpërfshirjen për t’i bërë njerëzit që i përkasin komunitetit të LGBT-së të ndihen të pranueshëm dhe të kenë dhe ata vendin që u takon.
 
Megjithatë nuk kanë munguar kundërshtitë sidomos nga komuniteti mysliman të cilët ishin kundër realizimit të paradës pikërisht në ditën e nisjes së muajit të Shenjtë të Ramazanit.
 
Nga ana tjetër të krishterët i kanë kërkuar qeverisë të përforcojë ligjin kundër marrëdhënieve brenda të njëjtës gjini.
 
Organizatorët dhe pjesëmarrësit ndryshe nga vitet e mëparshme mundën të përfshinin dhe himnin kombëtar të vendit i cili u vu në sfond ndërsa një flamur u lëshua nga një helikopter në fluturim. Pjesëmarrësit gjithashtu priten të binte mbrëmja për të formuar traditën e pikës rozë duke ndezur një zemër të bardhë me drita rozë rreth saj dhe telefonat celularë.

Redaksia Online
(Suada Bajraktari/e.s/shqiptarja.com)