Më 11 maj 1992,një delegacion qeveritar shqiptar i nivelit të lartë,i kryesuar nga kryeministri i Parë,i Qeverisë së Parë Demokratike të Shqipërisë,Aleksandër Meksi shkoi për një vizitë zyrtare në Bruksel.Në analet e diplomacisë,të politikës sonë të Jashtme,si dhe të veprimtarisë  të kësaj qeverie të re,ajo është regjistruar si një vizitë historike,pasi u kurorëzua me nënshkrimin e Marrëveshjes së Tregtisë dhe të Bashkëpunimit Ekonomik midis Shqipërisë dhe Komunitetit Europian,siç thirrej në atë kohë Bashkimi Europian,e cila hyri në fuqi më 1 dhjetor të të njëjtit vit. Ajo u shoqërua edhe me nënshkrimin e një Deklarate të Përbashkët Politike Shqipëri-Komuniteti Europian,duke e bërë Shqipërinë vendin e parë në rajon që nënshkruante një marrëveshje të tillë me Brukselin.Nga ky moment do të fillonin edhe financimet e para komunitare ndaj vendit tonë,në mënyrë të veçantë në kuadrin e programit “Phare”.Padyshim kjo vizitë do të përbënte edhe gurin themeltar të bashkëpunimit zyrtar Shqipëri-Europë dhe do të ishte një arritje e madhe e Qeverisë së re Shqiptare,vetëm një muaj pas krijimit të saj,si dhe një hap i rëndësishëm në rrugën e gjatë të integrimit të Shqipërisë në familjen europiane.Por kjo vizitë do të kujtohet në historinë e kësaj qeverie edhe për diçka tjetër,pasi në rrugën e kthimit në atdhe të delegacionit tonë,u shmang një katastrofë ajrore,e cila për fatin e mirë të kryeministrit Meksi dhe atyre që e shoqëronin u mbyll pa pasoja tragjike.


Çfarë ndodhi atë ditë maji në aeroportin e Rinasit?Pasi jemi njoftuar se delegacioni do të vinte nga Roma me një avion çarter,të vënë në dispozicion nga Qeveria italiane, nisemi për të pritur delegacionin e kryesuar nga Meksi.Jam nisur me ditë dhe kam arritur me ditë në aeroport.Në Sallën e Pritjes do të mbërrinin më pas edhe të gjithë ata që ishin lajmëruar nga Protokolli i Ministrisë së Punëve të Jashtme,në bashkëpunim me zyrën e kryeministrit,deputetë, anëtarë qeverie dhe punonjës të tjerë të shërbimit qeveritar.Midis tyre ka qenë edhe djali i madh i kryeministrit,Endri Meksi,i cili në prononcimin e tij për këtë ngjarje ka dhënë përshkrimin e tij që unë e konsideroj të saktë.


Sa për të rikujtuar edhe ndonjë detaj tjetër nënvizoj se ka qenë akoma ditë kur unë kam dalë në pistë me njerëz të tjerë për të rakorduar momentet e fundit të pritjes së delegacionit.Në këtë kohë njoftohemi se avioni do të vonohet dhe sigurisht që edhe nata pak nga pak po binte mbi aeroport.Atëherë jam afruar te pista dhe aty kam marrë vesh se nuk ka ndriçim,se sistemi i ndriçimit ishte jasht përdorimit.Të ndodhur përpara një situate të tillë dhe errësirës që po i zinte vendin dritës filluam të shqetësohemi dhe të diskutojmë me njëri-tjetrin se çfarë mund të bëhej.Aeroporti nuk garantonte asnjë lloj ndriçimi të pistës.


Në këtë moment shoferi i kryeministrit,Pirro Tollkuçi propozon që të përdorim dritat e makinave,që në ato kushte ishin edhe i vetmi burim ndriçimi që ne kishim në dispozicion.Të gjithë e përkrahëm mendimin e tij dhe ka qenë përsëri ai që u kërkoi të gjithë shoferave që ndodheshin atje,që ta ndiqnin nga pas,për të vendosur makinat në të dy krahët e pistës së uljes së avionit.Gjykuam gjithashtu që makinat të vendoseshin në distancë nga njëra-tjetra për të mbuluar një sipërfaqe sa më të madhe të pistës.Në fillim makinat u vendosën me drita nga perëndimi prej nga parashikohej të vinte avioni,por menjëherë duke menduar se në atë mënyrë do të verbonim shikimin e pilotit i kemi kthyer dritat nga lindja.Pasi u krye ky operacion dhe meqenëse edhe hëna kishte dalë sikur u qetësuam dhe u afruam të gjithë në pistë për të pritur avionin që të ulej.


Ndërkohë në qiell u shfaq aeroplani i vogël,i cili filloi manovrën e uljes së tij.


Mendova me vete se përderisa ai po zbriste në kuotë çdo gjë po shkonte në rregull.Por në momentin që avioni preku pistën me rrotën e parë u dëgjua një zhurmë e fortë dhe më pas avioni filloi të rrëshqasë drejt fundit të pistës,duke u shoqëruar nga një dritë që lëshonte fërkimi i aksit të rrotës së parë,i cili ishte thyer dhe të lëkundej sa majtas-djathtas,duke përfunduar në bar jasht pistës.Më në fund avioni u ndal dhe ne të shqetësuar jemi afruar në mënyrë edhe të rrezikshme,sepse mund të kishte edhe ndonjë shpërthim të avionit,por kemi marrë frymë të lehtësuar kur shohim zbritjen e Meksit dhe pas tij edhe të atyre që ishin së bashku me të.Në këtë mënyrë,me dritat e makinave ne bëmë të mundur uljen e avionit dhe piloti italian me uljen e tij edhe pse të frikshme shpëtoi jetën e pasagjerëve të tij. 
 
Atë natë unë pothuajse e kam gdhirë qoftë sepse ishim të stresuar,qoftë se me porosi të kryeministrit kam qëndruar me pilotin italian,i cili u akomodua në një nga vilat qeveritare. Çfarë tha ai në bisedat që patëm gjatë qëndrimit së bashku.E para se nuk i kishte shkuar në mendje se do të ndeshej me një situatë të tillë pa ndriçim të rregullt të pistës së aeroportit.Së dyti se në ato kushte ndriçimi nga dritat e makinave nuk kishte mundur të llogariste si duhej impaktin e avionit me betonin e pistës.Së treti nuk kishte mundur të dallonte nga lart fundin e pistës.Sigurisht që kemi folur edhe për përvojat e tij si një pilot i vjetër i aeronautikës italiane.


Jehona e kësaj ngjarje ka vazhduar më pas për pak ditë dhe me çeljen e hetimit nga Prokuroria e Përgjithshme të paktën për ne të stafit të kryeministrit çdo gjë u bë histori.Por sigurisht në kujtesën time kjo ngjarje do të ngulitej dhe është kjo arsyeja që unë e kam përfshirë atë në librin tim,i cili do të botohet së shpejti dhe ku unë kam përshkruar gjithçka thashë më sipër,si edhe një moment humori që na ka ndodhur atë natë në Rinas.Sigurisht që e kam dhënë si një aksident gati tragjik që na ndodhi atë natë maji në aeroportin e Tiranës.
 
Pas 24 vjetësh,Izet Haxhia,bodigardi i Presidentit të asaj kohe e sjell  këtë ngjarje dhe e paraqet si një atentat për të eleminuar kryeministrin Meksi.Ai jep edhe gjithë situatën si e ka përjetuar Ai vetë dhe përmend edhe autorët e atentatit të dështuar.Ndërkohë kemi patur reagimin e menjëhershëm të Meksit dhe familjarëve të tij,si dhe disa dëshmi të tjera me të cilat tashmë është njohur opinioni publik shqiptar nëpërmjet medias.
 Unë kam reflektuar dhe po reflektoj për këtë ngjarje dhe mendova që të jap edhe unë dëshminë time.Por mendoj,se do të ishte mirë që për këtë çështje të rihapej hetimi,siç bën bota e përparuar dhe një shtet i së drejtës,dhe mendoj se për këtë janë e duhet të jenë të interesuar si ata që Izeti i konsideron si “viktima”,Meksi dhe të tjerët që kanë qenë në avion,si ata që Ai i konsideron si autorë të atentatit.Pra që edhe opinioni shqiptar të kuptojë realisht dhe ligjërisht se kemi të bëjmë me një shpifje dhe me një dëshmitar të rremë,apo kemi të bëjmë me një superdëshmitar dhe me një të vërtetë të frikshme.Ndryshe do ta shëndrronim në një rubrikë mediatike që mund të titulloj “A e mban mend ”,apo ”Mua më kujtohet ”,apo “Opinione për një tragjëdi të munguar”.Ose ta mbyllnim duke iu drejtuar mençurisë popullore që thotë se “sado që të lodhet njeriu për t’i bërë keq tjetrit,deri edhe në marrjen e jetës së këtij të fundit,Jetgjati nuk bëhet Jetshkurtër”.       


Romë,2 prill 2016