TIRANË – Në Gjykatën e Posaçme u inauguruan sot 4 salla gjyqësore, 16 zyra gjyqtarësh dhe holle tërësisht të rikonstruktuara në ngjashmëri me modelin amerikan të gjykatave.
Ajo çfarë ra në sy ishte prania e kafazit të qelqtë edhe në sallën e re ku u zhvillua inaugurimi, por për përdoriimin e saj pati një mesazh të qartë nga drejtuesi i GJKKO-së, Erjon Bani dhe ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, të cilët theksuan nevojën për "ekuilibër midis sigurisë dhe dinjitetit dhe prezumimit të pafajësisë”, dhe se duhet të jetë gjithmonë gjyqtari ai që e merr këtë vendim, duke nënkuptuar se jo çdo person që është në paraburgim duhet të mbahet në kabinën e xhamtë gjatë seancës gjyqëore.
Gjatë fjalës së tij, Gogu nënvizoi mesazhin e kreut të GJKKO-së, i cili tha se “siguria dhe dinjiteti në procesin gjyqësor nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por bashkëjetojnë”.
“Më vjen jashtëzakonisht mirë që në fjalën tuaj, Kryetar, ju e prekët atë që sot kemi edhe një debat publik, të merituar besoj, për sa i përket këtij standardi dhe që ka marrë vëmendje në mënyrën e organizimit të sigurisë në sallat e gjykimit, duke përfshirë edhe të ashtuquajturin “kafaz”. Dhe më vjen mirë, ndihem shumë mirë të konstatoj që me fjalën tuaj, pikërisht ju prekët atë ndryshim që duhet të ketë kjo çështje, sepse duhet ta trajtojmë me maturi, por edhe me seriozitet. Standardi europian kërkon atë ekuilibër, Kryetar dhe të nderuar gjyqtarë, që ju e parashtruat në fjalën tuaj përshëndetëse. Nga njëra anë siguri të procesit, por nga ana tjetër edhe dinjitetin njerëzor. Nga njëra anë prezumim të pafajësisë, por nga ana tjetër mbrojtje në sallën e gjyqit. Dhe mbrojtjen në rendin gjyqësor e vendosni pikërisht ju, të nderuar gjyqtarë. Gjykatat që trajtojnë krimin e organizuar, siç është kjo gjykatë, apo çështje me rrezikshmëri të lartë, kanë nevojë për siguri dhe duhet ta kenë atë. Por po aq i vërtetë është edhe detyrimi që çdo masë sigurie, siç edhe Gjykata e Lartë vendosi së fundmi, duhet të ketë proporcionalitetin e vet", u shpreh Gogu mes të tjerash.
Bani deklaroi se ambientet dinjitoze nuk kanë të bëjnë vetëm me paraqitjen, por edhe me cilësinë e gjykimit dhe trajtimit të qytetarëve që i drejtohen GJKKO-së në kërkim të drejtësisë.
“Në kuadër të Ditës së Drejtësisë inaugurojmë ambientet e rikonstruktuara dhe të rimodeluara të gjykatës. Godina ku ushtron veprimtarinë Gjykata e Posaçme është ndërtuar në vitin 2008 me mbështetjen e BE-së, për këtë mbështetje shprehim mirënjohjen edhe sot. Pas më shumë se 15 vitesh funksionimi intensiv, u bë e qartë nevoja për një ndërhyrje infrastrukturore. Sot nuk inaugurojmë vetëm salla gjykimi dhe holle. Një gjykatë nuk është thjesht një godinë, është vendi ku publiku kërkon të drejtën. Mënyra se si qytetari hyn në gjykatë, si trajtohet dhe si pritet është po pjesë e cilësisë së drejtësisë”,- tha Bani.
Më tej, drejtuesi i GJKKO-së shtoi se ky transformim nuk është luks, por domosdoshmëri institucionale dhe përgjegjësi ndaj qytetarit.
“Sallat e gjykimit janë zemra e gjykatës dhe duhet të garantojnë solemnitet, barazi dhe dinjitet. Transparenca nuk është detyrim formal, por pjesë e kulturës institucionale të gjykatës”,- tha Bani.
Mbajtja e të paraburgosurve në kabinën e qelqtë gjatë seancës gjyqësore po shihet si një masë e tepruar, pasi duket se po përdoret për të gjithë të pandehurit pa dallim personaliteti dhe pa analizë rrezikshmërie. Ata që bënë të zëshëm këtë problem ishin ish-presidenti Ilir Meta, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, të tre të akuzuar për vepra penale nga SPAK dhe në gjykim nga GJKKO. Vetëm Beqajt, Gjykata e Posaçme i pranoi kërkesën për nxjerrjen nga kafazi i xhamtë, ndërsa edhe Komiteti i Helsinkit ka bërë thirrje për të shmanguar këtë praktikë në raste të paarsyeshme.
Komente











