Të paktën 100 xhihadistë të grupit të Shtetit Islamik janë vrarë këto tre ditët e fundit në luftimet me forcat kurde në qytetin sirian të Kobanes, konfirmoi sot një OJQ.

Që prej fillimit, më 16 shtator, të ofensivës së gjerë të Shtetit Islamik në rajonin e Kobanës, 576 xhihadistë kanë humbur jetën në luftime, 361 anëtarë të njësive për mbrojtjen e popullit (YPG, milicia kryesore kurde siriane) dhe aleatët e tyre dhe 21 civilë, rreth 958 persona në total, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH).

"Gjatë këtyre tre ditëve të fundit kanë humbur jetën të paktën 100 anëtarë të Shtetit Islamik dhe nga policia fetare e ardhur nga Alepo dhe Raqa për të marrë pjesë në luftimet (...) në Kobanë dhe rajonet përreth", shtoi OJQ-ja.

Më shumë se 180 000 persona janë vrarë që prej fillimit të muajit mars 2011 si pasojë e luftës në Siri, sipas të njëjtit burim.

ATSH