DAMASK- Damasku konsideron çdolloj ndërhyrje ushtarake turke në Siri si një agresion, vlerësoi sot Ministria e Punëve të Jashtme, një ditë pas rezolutës së parlamentit turk që autorizon ushtrinë të ndërhyjë në Siri dhe Irak kundër organizatës Shteti Islamik (ISIS).
"Politika e ndjekur nga qeveria turke përfaqëson një agresion të vërtetë kundër një shteti anëtar të Kombeve të Bashkuara", njoftohet në një komunikatë të ministrisë të cituar nga televizioni shtetëror.
Parlamenti turk votoi dje në mbrëmje me shumicë votash një projektrezolutë të qeverisë islamo-konservatore të Ankarasë që autorizon ushtrinë e saj të ndërhyjë në Irak dhe në Siri kundër ISIS-it dhe të presë në territorin e saj trupat e huaja që do të marrin pjesë në një zonë ushtarake.
"Turqia do të bëjë gjithçka që mundet për të penguar xhihadistët e grupit të Shtetit Islamik të marrin kontrollin e qytetit kufitar sirian kurd të Kobanes (Ain al-Arab)", premtoi kryeministri turk, Ahmet Davutoglu.
SHBA-ja dhe një grup vendesh arabe, kryesisht të Gjirit Persik, filluan më 23 shtator të kryejnë bombardime ajrore kundër pozicioneve xhihadiste në Siri, një muaj e gjysmë pas fillimit, me 8 gusht, të sulmeve amerikane kundër ISIS-it në Irak./ATSh/