RAQA - Militantët e Shtetit Islamik kanë rrëzuar një avion ushtarak të koalicionit ndërkombëtar të drejtuar nga Shtete e Bashkuara të Amerikës në veri të Sirisë, në Raqa. Lajmi bëhet me dije nga Observatori i të drejtave të njeriut në Siri dhe sipas tyre avioni i përket shteteve arabe.

Pas publikimit të dy fotove nga ISIS në rrjetet sociale piloti është identifikuar si oficer i Jordanisë, Moaz Youssef Al-Kasasba. 

Vërtetësia e pamjeve nuk mund të konfirmohet për shkak të pamundësisë së monitorimit në këtë zonë konflikti ku prania e medias është e kufizuar. Sipas burimeve avioni është goditur pranë zonës së Raqa, një pikë e fortë e kontrolluar nga luftëtarët e shtetit islamik.

Deri më tani nuk ka asnjë reagim të qeverisë së Sirisë apo koalicionit të kryesuar nga SHBA mbi këtë incident.

Koalicioni ndërkombëtar i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në bashkëpunim me shumë vende arabe ka shënjestruar rregullisht me bomba pozicionet e ekstremistëve islamikë në provincën e Raqa-s.

Sipas Observatorit të të drejtave të njeriut në Siri, vetëm dje raportohet se janë vrarë mbi 20 persona gjatë sulmeve me avionë ushtarakë në këtë provincë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)