SIRI- Zbulohet identiteti i xhihadistit britanik Abu Saeed al-Britani, i cili u shfaq me fytyrë të zbuluar në një video shoqëruese me atë të ekzekutimit të pengut Alan Henning. Al-Britani jo vetëm sfidoi, me videon e tij, qeverinë e Cameron dhe aleatët por edhe si rast dëshmon dështimin e shërbimeve sekrete britanike.

Abu Saeed al-Britani, 27 vjeç, shfaqet në një video haptazi, me fytyrë të zbuluar dhe me një kallashnikov në dorë, ndërsa sfidon Londrën dhe i bën thirrje bashkatdhetarëve të tij për të luftuar me ISIS-in.

Identiteti i tij është zbuluar tashmë dhe përbën një goditje për agjentët 007 britanik. Emri i vërtet i tij është Omar Hussain dhe deri në Janar të këtij viti punonte si agjent sigurie në një qendër komerciale në High Wycombie, qytet në veri-perëndim të Londrës.

Në High Wycombie, Hussain falej në një nga gjashtë xhamitë e qytetit duke qenë pjesë dhe e grupimeve salafite, ku dhe gjithashtu shfaqte hapur radikalizmin e tij. Idetë e tij nuk kishin të mos binin në sy të policisë lokale dhe të inteligjencës britanike që gjithashtu në Qershir të vitit 2013 e kishin ndaluar Omar Hussain të merrte një fluturim për në Pakistan, me shumë mundësi me idenë për t’u bashkuar me ekstremistët islamik.

Rishtazi pas ndalimit në aeroport dhe pas disa kontrolleve në banesën e tij, ku nuk u gjet asgjë inkriminuese, Hussain u arrestua sërish disa javë më vonë. Por për mungesë të një akuze konkrete lihet i lirë nga autoritetet.

Në Janar të këtij viti, Omar Hussain (Ndryshe Abu Saeed al-Britani) doli nga shtëpia e tij në High Wycombie duke i thënë të ëmës:“Po shkoj të falem në xhami”. Qysh nga ky moment e ëma e Hussain nuk e pa më të birin deri ditën e djeshme, kur u publikua videoja në fjalë. Video që dëshmon mënyrën se si Hussain “vuri në lojë”agjenturën britanike në tentativën për ta ndalur.

Tashmë ai ndodhet në Siri dhe ka guximin të kërcënojë, pa u mbuluar dhe në krah të militantëve të ISIS, ushtarët britanik se do t'i kthejë në shtëpi nëpër arkivole.

Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)