SIRI- Xhihadistët e ISIS kanë arritur të depërtojnë në periferinë jugore të Kobani, qytet në veri të sirisë. Ndërsa e gjithë popullata kurdo-sriane është larguar nga qyteti, luftëtarët anti-ISIS janë të vendosur të luftojnë gjer në fund.
 
Ayn Al Arab (emri i Kobani në arabisht) ndodhet në veri të sirisë, ngjitur me kufirin turk. Ndërsa po nga kufiri turk burime të ndryshme kurde raportojnë se, pas dy javësh rrethimi, militantët e ISIS kanë mundur të hynë në brendësi të qytetit.
 
Sipas agjencive të lajmeve turke militantët e ISIS po fitojnë shumë shpejt terren në periferinë jugore të qytetit, ndërsa në qendër janë mbledhur luftëtarët e grupimit kurd, YPG. Këta të fundit janë të vendosur në mbrojtjen e qytetit dhe janë gati dhe për luftime trup më trup dhe në çdo rrugë. Gjithashtu bëhet e ditur se në brendësi të Kobanit nuk ndodhen njerëz civil. Qyteti faktikisht është boshatisur në masë në pak ditë dhe janë rreth 160 mijë personat që tashmë ndodhen matanë kufirit me turqinë për t’i shpëtuar mësymjes xhihadiste.

Kobani
 (Foto satelitore e qytetit Kobani, Siri)

Ky lajm vjen vetëm pak orë pasi vetë Ankaraja u shpreh qartazi se nuk dëshironte që Kobani të binte në duart e militantëve islamik. Për këtë u zotua dhe vetë kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, pak pasi parlamenti i vendit  autorizoi ndërhyrjen e ushtrisë turke kundër xhihadistëve suni të Kalifatit Islamik.
 
Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)