DAMASK, 9 nëntor /ATSH-AFP/ - Pesë inxhinierë bërthamorë u vranë sot në një makinë me të cilën udhëtonin në periferi të Damaskut, pranë qendrës së kërkimeve shkencore ku ata punonin, njoftoi Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH).
Kjo organizatë joqeveritare, që ka një rrjet të gjerë informuesish në të gjithë Sirinë që nga viti i fillimit të luftës, 2011, nuk ishte në gjendje të konfirmonte rrethanat e vrasjes si edhe kombësinë e inxhinierëve.
"Persona të panjohur vranë pesë inxhinierë bërthamorë që punonin në këtë qendër shkencore në Barze, në periferinë veriore të Damaskut", deklaroi drejtori i OSDH-së, Rami Abdel Rahmane.
"Nuk dihet ende nëse janë goditur nga një bombë apo nga të shtëna", shtoi ai.
Termi "qendër kërkimore-shkencore" përfaqëson në Siri përgjithësisht qendrat kërkimore të atashuara pranë Ministrisë siriane të Mbrojtjes./ a.jor.