Aviacioni sirian ndërmori sot sulme intensive në qytetin antik të Palmiras, pushtuar të enjten e kaluar nga xhihadistët e grupit të Shtetit Islamik duke shkaktuar vdekjen e katër civilëve, sipas një OJQ-je.
"Që prej mëngjesit të ditës së sotme, aviacioni i regjimit ka kryer 15 sulme në Palmira dhe rrethinat e saj. Bëhet fjalë për sulmet më intensive që prej marrjes së qytetit nga xhihadistët", konfirmoi Rami Abdel Rahmane, drejtor i Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH).
"Ka të paktën katër të vdekur mes civilëve dhe dhjetëra të plagosur dhe është e sigurt se ka gjithahstu të vdekur mes xhihadistëve të Daech (akronim në arabisht i ISIS) gjatë bombardimit të ndërtesës ushtarake të sigurisë",
Grupi i Shtetit Islamik ka ekzekutuar të paktën 217 persona, mes të cilëve dhe civilë, që prej pushtimit nëntë ditë më parë të një pjese të provincës siriane të Homsit që përfshin Palmiran, konfirmoi dje një OJQ.
Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH) deklaroi se kishte prova për ekzekutimin e 67 civilëve dhe 150 anëtarëve të forcave siriane nga xhihadistët e Shtetit islamik në disa rajone të provincës Homs që prej 16 majit./
/atsh/