SIRI - Beteja për Kobanin vijon ende pas 40 ditësh luftë intensive. Që në mëngjesin e hershëm të së dielës kanë shpërthyer luftimet midis kurdëve irakenë dhe militantëve islamikë të ISIS.
 
Siç shihen edhe nga pamjet, re të mëdha tymi u përhapën në kodrat e Kobanit, 2 ditë pasi forcat e Peshmergas kaluan kufirin nëpërmjet Turqisë për në Siri, për të ndihmuar kurdët sirianë në luftë kundër ISIS, të cilët mbajnë të rrethuar prej më shumë se një muaji qytetin në kufirin siriano-turk.
 
Forcat e Peshmerga-s nisën dy ditë më parë një dyzinë kamionësh dhe makinash të blinduara, të cilët janë vendosur në një pikë rreth 8 km larg nga kufiri drejt Kobanit. Një sulm ajror goditi Kobanin teksa kurdët irakenë luftonin me ekstremistët islamikë.
 
E gjithë vëmendja është përqendruar në Kobani, i cili shihet si një test kyç për efektivitetin e sulmeve ajrore amerikane si dhe nëse forcat kurde me ndihmën e Peshmergas mund t’i rezistojnë ekstremistëve të ISIS, degë e Al Kaedës.
 
 
Ndërkaq, një makinë bombë në Irak, shtetin tjetër ku ISIS pretendon të ketë shtrirë territoret e saj, ka lënë të vrarë të paktën 6 persona dhe 27 të tjerë mbetën të plagosur në qendër të kryeqytetit, Bagdad. Sulmi kishte vënë në shënjestër një tubim të myslimanëve shiitë që përkujton vdekjen e Imam Hyseinit në rrugën e Palestinës në Bagdad.
 
Militantët e shtetit islamik i shohin shiitët si të pafe të cilët meritojnë të vdesin. Sulmet e ISIS mbi ta kanë risjellë në fokus dhunën e madhe të viteve 2006-2007 në kulmin e një lufte civile në Irak. Ndërkaq, pakicat shiite pritet të bëjnë një rezistencë të ashpër nëse kryeqyteti bie nën kontrollin e tyre.
 
Redaksia Online
(a.h.shqiptarja.com)