Ndërhyrja e fundit e avionëve rusë në Siri duke goditur jo vetëm objektiva të ISIS por edhe të luftëtarëve në frontin anti-Asad që mbështeten nga SHBA ka shkaktuar një tension të ri mes dy superfuqive ushtarake. E ndërsa presidenti rus Vladimir Putin ndodhej në New York në Asamblenë e OKB-së pas 10 viteve mungesë, ushtria ruse nga ana tjetër përgatitej për të kapur në befasi SHBA-në dhe aleatët e saj duke nisur fushatën e sulmeve ajrore në Siri.
 
Ndërsa gjithë bota priste fillimin e një dialogu ushtarak mes Rusisë dhe SHBA për krizën siriane , papritur avionët ushtarakë të Moskës ndërmarrin sulmin e njëanshëm ajror mbi Siri. Me preteksin e goditjes së objektivave të terroristëve të ISIS Rusia ka goditur dhe kampet e luftëtarëve kundërshtarë të regjimit të Asad dhe që prej kohësh stërviten nga CIA. Kjo lëvizje e papritur e Moskës ka kapur në befasi Uashingtonin që gjatë javëve të fundit kishte intensifikuar kontaktet për një dialog ushtarak të përbashkët me Rusisë në luftën e përbashket kundër ISIS.
 
Menjëherë SHBA ka krijuar frontin diplomatik me aleatët e saj Francën, Gjermaninë , Britaninë ë Madhe, Katarin , Arabinë Saudite dhe Turqinë duke i kërkuar Moskës të përqëndrohet në sulmet e saj vetëm mbi objektivat e ISIS . Gjithashtu fronti I udhëhequr nga SHBA ka shprehur shqetësimin e thellë për praninë e njëanshme ushtarake të Rusisë në Siri dhe vecanërisht për sulmet ndaj luftëtarëve kundër regjimit të Asad .
 
Nga ana tjetër Pentagoni është duke parë mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake për të mbrojtur rebelët anti-Asad të stërvituar nga CIA nëse ata do të bien sërish pre e sulmeve të Rusisë. Tensioni I rikthyer mes SHBA-së dhe Rusisë , më i rëndi që pas konfliktit të Ukrainës ka për shkak kryesor presidentin e Sirisë Bashar Al-Asad. Ndërsa Moska deklaron se regjimi I tij është I domosdoshëm për luftën ndaj ISIS dhe stabilitetin në Siri, SHBA-të kanë një qëndrim krejt ndryshe . Uashingtoni mendon se Asad është një nga shkaktarët kryesorë të krizës disa vjeçare siriane dhe një zgjidhje e mundshme politike për vendin nuk duhet të përfshijë më emrin e Bashar Al Asad.
 
E ndërsa Uashingtoni dhe Moska ishin shumë pranë në dukje të një dialogu ushtarak mes tyre me qëllimin e përbashkët shkatërrimin e ISIS ndërhyrja e papritur e avionëve rusë Sukhoi-34 ka prishur skenarët ë bashkëpunimit ndërsa ka detyruar SHBA-të të mendojë një tjetër skenar rreth krizes siriane. Uashingtoni kishte menduar krijimin e një fronti të përbashkët me pjesëmarrjen edhe të Rusisë kundër ISIS dhe më pas zgjidhjen politike ku aktorët kryesorë do të ishin pikërisht luftëtarët e lirisë anti-Asad të cilët sot janë vënë nën shënjestrën e avionëve rusë.
 
Nga ana e tij presidenti rus Putin me sulmin e menjëhershem ndaj kundërshtarëve të Asad ka dhënë mesazhin se nuk do të pranojë asnjë zgjidhje politike në Siri pa presidentin aktual. Burimet ushtarake ruse kanë bërë të ditur se ofensiva ajrore do të zgjasë të paktën 3 muaj duke nënkuptuar qëllimet serioze të Rusisë për të qenë aktori kryesor në vendin e trazuar prej vitesh tashmë. Ashtu siç veproi në Gjeorgji dhe Ukrainë, Rusia tregoi edhe njeherë tjetër se në raste krizash veprimet ushtarake të shpejta janë më efikase sesa negociatat politike .
 
Ashtu si në dy rastet e mëparshme, Rusia e kapi të papërgatitur Perëndimin përsa I përket veprimeve ushtarake dhe pavarësisht kritikave dhe embargove Moska arriti të merrte atë që synonte, dominimin e saj. Edhe këtë herë Rusia synon që duke përfituar nga lëvizja e ngadaltë e makinerisë ushtarake të Perëndimit, të përfitojë sa më shumë terren duke vendour e para flamurin e saj. Pas kësaj lëvizje shahu të Moskës pritet lëvizja e Perendimit me në krye SHBA-në, si në aspektin ushtarak ashtu dhe në atë diplomatik. Konfliktet e fundit kanë treguar se Perëndimi është më I aftë në rrafshin diplomatik por shumë i ngadaltë në atë ushtarak. Një hapësirë kjo e mbushur me shumë shpejtësi nga Rusia e Vladimir Putinit.
 
Sesi do të përfundojë konflikti në Siri është shumë e vështirë ta parashikosh por ajo që mund të thuhet tani është se sapo ka nisur një konflikt i ri mes Perëndimit dhe Rusisë. Kush do të triumfojë kësaj radhe , le të presim ….
 
 Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)